Në emër të Kryesisë së Org.Veteranëve të LANÇ të Kosovës i uroj OBVLP 30-vjetorin e krijimit të saj.
Në ditët e bukura të majit, disa mijëra njerëz mblidheshin në sheshin kryesor të Prishtinës, pranë bustit të heroit Emin Duraku në Gjakovë, në kompleksin memorial të Lidhjës së Prizranit etj, për të festuar fitoren kundër fashizmit, njërën ndër momentet më të rëndësishme në historinë tonë. Vendoseshin kurora dhe lule të freskëta në varezat e dëshmorëve dhe heronjve të popullit. Në fillim të programit zyrtar, nxënësit e shkollave, me flamuj kuq e zi përshëndetnin të pranishmit. Pastaj orkestrat luanin motive nga këngët partizane. Tubimet i hapnin veteranët. Të pranishëm ishin përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe ato partiake. Flisnin për rëndësinë e LANÇ. Por, tani gjithnjë e më pak po veprohet kështu. E tëra ngeli si një ëndërr dhe dëshirë e veteranëve dhe pasardhësëve të tyre. Tani po shënohet Dita e Evropës.
Ne, dy organiziat tona: OBVLP dhe OVLANÇ të Kosovës, përherë kemi qenë jemi bashkë për të ruajtur dhe promovuar vlerat e LANÇ. Për realizimin e këtyre synimeve kemi vendosur marrëdhënie të shkëlqyera. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi me gazetën “VETERANI”, e cila në Kosovë, ku nuk botohet asnjë gazetë e printuar, e plotëson këtë boshllëk. Shpreh bindjen se edhe në ardhmen do të vazhdojë ky bashkëpunim për promovimin e antifashizmit, vlerave të atdhetarisë, barazisë, demokracisë dhe paqes, për të respektuar, kujtuar dhe nderuar luftëtarët e lirisë, heronjtë dhe dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës.