SHPENDI TOPOLLAJ

Janë për tu përgëzuar dy bashkautorët e librit “30 VJET OBVL - HISTORI SUKSESI”, zotërinjtë e nderuar Halil Rama dhe Sakip Cami, të cilët ashtu pa u ndjerë, punojnë me mish e me shpirt për të pasqyruar me vërtetësi veprimtarinë atdhetare të organizatës tonë. Tre dekada nuk janë pak për të treguar se sa të drejtë kishin ata burra që e krijuan në korrikun e vitit 1994 këtë organizatë, që kishte si objektiv kryesor jo vetëm nderimin e vlerave historike të luftës Nacionalçlirimtare, sakrificat e panumërta që u bënë për të na çuar në fitore, shembullin e paharruar të atyre djemve dhe vajzave që dhanë jetën e tyre të re në këtë luftë heroike, ndihmën dhe përkrahjen që njerëzit e thjeshtë i dhanë asaj, ndriçimin e së vërtetës nga falsifikimet që diktatura i bëri asaj periudhe, dënimin qoftë dhe moralisht e politikisht të krimeve të komunizmit, domosdoshmërinë për bashkim e mirëkuptim mes shqiptarëve, ngritjen e zërit për problemin madhor të Kosovës e Çamërisë, por edhe rehabilitimit të atyre kuadrove drejtuese dhe nacionaliste që çmenduria dhe pashpirtësia i goditi pa mëshirë me akuza nga më absurdet, duke e shtrirë hakmarrjen deri te familjet e tyre. Shumë nga ata nuk janë më midis nesh, por kushdo e di sesa fisnikë u treguan ata si gjatë vuajtjeve deri ndër burgje e internime, ashtu edhe kur në Shqipëri proçeset demokratike triumfuan. Nga të gjithë kishte çtë mësoje, por dashje pa dashje, Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjeneral Rrahman Parllaku u shndërrua në simbol virtyti që me fjalën dhe sjelljen e tij i dha organizatës tonë një profil paqeje, dashurie e harmonie me këdo, pavarësisht bindjeve të tij.
Besnikë të këtij amaneti, ne si me shkrimet tona, ashtu dhe me veprime kemi dashur të japim edhe një shembull kaq të nevojshëm për shoqërinë tonë sot: morëm takim si kryesi me kryesinë e shoqatës së organizatë së LANÇ që me të drejtë i konsiderojmë vëllezërit tanë dhe u propozuam bashkimin, pasi asgjë nuk na ndante.
Kryetari, Prof. Hulusi Hako si gjithmonë i arsyeshëm na kuptoi drejtë, por më pas me keqardhje konstatuam se nuk ja kishin miratuar të tjerët qëndrimin për bashkimin e organizatave tona që janë të dyja Nderi i Kombit.
Më pas lexuam në shtyp edhe kundërvënien dhe qortimet që iu bënë atij nga një grup anëtarësh që duke u hequr sikur janë për parimet e Luftës Nacional Çlirimtare, harrojnë se Konferenca e Pezës qysh në vitin 1942 bënte thirrje për bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje. Kurse ata sot pas 82 vjetësh, duan ta nxisin përçarjen mes shqiptarëve.
Ne, trashëgimtarët e atyre prindërve që bënë sakrifica të panumërta dhe nuk i lëshuan për asnjë çast armët nga dora për shporrjen e okupatorit, nuk arrijmë ta kuptojmë qëndrimin e atyre që duan të duken si pronarë të luftës dhe dëshmorëve tanë, përveç se si një fatkeqësi për synimin tonë euroatllantik. Se mendoni se sa dëm i bëjmë atdheut, kur bota sheh se ende dalin disa kalorës mjeranë heshtëthyer në mbrojtje të diktaturës dhe diktatorit.
Por ne, në asnjë rast nuk u jemi përgjigjur të tillëve që nuk u ka bërë asnjë përshtypje as jeta dhe vepra e figurave madhore që autorët Rama dhe Cami kanë përjetësuar në librin e tyre “30 VJET OBVL, HISTORI SUKSESI”, që u promovua më 26 korrik 2024 në sallën e Librit Akademik të Akademisë së Shkencave në Tiranë. Këta njerëz të nderuar që historia do të përulet me respekt, për ata trumykurit kanë mbetur armiq, spiunë, agjentë e poliagjentë të komunizmit.
Ja pse libra të tillë, me të vërtetat e tyre, janë mëse të domosdoshëm. Prandaj kanë një meritë të madhe këta dy autorë që në heshtje dhe pa bujë punojnë pa u lodhur sipas parimit të Mark Tweinit se “Zhurma nuk provon asgjë. Shpesh pula që bën vetëm një vezë, kakarit sikur bën një asteroid”.