SHPENDI TOPOLLAJ
Qysh kurse u themelua 30 vjet më parë OBVL, iu kushtua një vëmendje e veçantë organizimit dhe funksionimit të gazetës së saj, ku do të shpërfaqej si qëllimi, idetë, opinionet e synimet, ashtu edhe gjithçka do të realizohej gjatë gjithë aktivitetit të saj. Gazeta, u gjet e arsyeshme të quhej “Veterani” edhe pse në përbërje të kësaj organizate do të inkuadroheshin edhe anëtarë të rinj, të cilësuar si pasardhës veteranësh, çka do të siguronte vazhdimësinë e saj. Historikisht, misionin e gazetave, qysh kur ato u shfaqën fillimisht aty nga shekulli i XV - të dhe sidomos pas zhvillimit që morën nga viti 1700, askush nuk e ka përcaktuar më mirë se Joseps Pulitzeri i cili thosh se “Një gazetë që i rri besnike qëllimit të vet, merret jo vetëm me mënyrën se si janë gjërat, por edhe se si duhet të jenë”. Por, natyrisht që ecuria e gazetarisë në kohë nuk ka qenë e njëtrajtëshme, pasi krahas shumimit të saj, interesave të grupeve të caktuara, nevojës për fitime, propagandës shtetërore dhe shërbimit politik, të cilat e forcuan rolin e saj deri sa e quajtën pushtet i katërt, kanë sjellë pa fund mendime, përkufizime, lëvdata e kritika të ashpra, aq sa edhe Honore Balzaku i quante ato “armë në duart e partive”. Ky përcaktimi i fundit, më mirë se kudo u pa gjatë viteve të gjata të komunizmit në vendin tonë, ku fjala e lirë dhe e vërteta të përcaktuara nga norvegjezi Henrik Johan Ibsen si kollonat e shoqërisë, u përdhosën deri në pështirosje. Përmbysja e atij regjimi, solli mundësinë për të krijuar tashmë në demokraci, forca politike, shoqata, organizata e grupime të çfarëdoshme, pra atë që e etiketuam si pluralizëm, nga e cila lindën edhe gazetat e lira si përfaqësuese të ideve, platformave dhe opinioneve të gjera. Në këtë kuadër krijimi i OBVL - së, nga luftëtarë të vjetër si Heroi i Popullit Rrahman Parllaku, zonja Liri Belishova, Dr.Ymer Dëshnica, Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Edip Ohri, Maqo Çomo, Manol Konomi, Kiço Ngjela, Fadil Paçrami, Nexhip Vinçani, Ernest jakova, Skënder Malindi, Gjergj Titani, Xhemal Ymeri, Myfit Guxholli, Sotir Budina e plot të tjerë, e pati të domosdoshme pasjen e një gazete. Ajo do të ishte mjeti që do të shtronte para lexuesve qëndrimet dhe platformat e asaj organizate atdhetare, e cila do të evidentonte luftën e madhe që populli shqiptar bëri për çlirimin e vendit, gjakun që derdhën bijtë dhe bijat e saj, rrugën luftarake të formacioneve partizane, drejtuesit dhe fatet e tyre, ngatërresat politike mes komunistëve dhe nacionalistëve, problemin e bashkimit kombëtar me Kosovën dhe Çamërinë etj. etj dhe gjithçka ngjau pas fitores, kur padrejtësisht goditja e diktatorit ra mbi shokët e tij. Mbi të gjitha, kjo gazetë do të kishte në programin e vet, edukimin e brezave me vlerat e mëdha të asaj lufte, me trimërinë e treguar dhe me nevojën e bashkimit të popullit tonë sot, duke lënë mënjanë gabimet e rënda të së shkuarës dhe duke parë më shumë nga e ardhmja. Mjaft kishim vuajtur nga lufta e klasave, pra nga përçarja. Nuk mund të vazhdohej më gjatë kështu. Romakët e vjetër kishin parimin “Pësimet - mësime”. Ne ishim dhe jemi vëllezër të një gjaku, me të njëjtën histori, me të njëjtit heronj, me të njëjtën dashuri për Atdheun tonë të shtrenjtë dhe pse jo, me të njëjtit armiq. Ashtu sikurse në këto dekada jemi së bashku në të njëjtën Aleancë ushtarake, në NATO dhe kemi aleatë të njëjtat shtete perëndimore me SHBA në krye. Dhe sa ishte gjallë, këtë e dëshmoi i gjithë qëndrimi i “Nderit të Kombit” të paharruarit Rrahman Parllaku si drejtues i kësaj organizate. Kudo që ai shkoi, kudo që ai foli, kudo që atë e intervistuan dhe në gjithë artikujt e shumtë që janë të botuara në gazeta, apo librat që shkroi, kishte vetëm një fjalë: dashurinë për njëri - tjetrin, pra të shqiptarit për shqiptarin. Dhe ishte fat që si kryeredaktor i kësaj gazete të caktohej një intelektual, gazetar dhe shkrimtar me përvojë, kulturë dhe reputacion si Halil Rama i cili me urtësi ka ditur prej shumë vitesh të zgjedhë bashkëpunëtorët dhe ta ruajë të pastër në artikujt e shumtë, frymën e asaj organizate. Falë këtij qëndrimi, gazeta “Veterani” ka predikuar sistematikisht paqen mes nesh, evidentimin e vlerave të larta, ngjarjet me rëndësi kombëtare, stigmatën ndaj asaj që ndodhi, ngritjen e zërit për padrejtësitë dhe krimet që ju bënë popullit të Kosovës, pasqyrimin e luftës trimërore të UÇK, demaskimin e pa ndërprerë të qëndrimeve dashakeqe të Serbisë me Aleksandar Vuçiçin në krye. Po ashtu, në faqet e saj ajo i ka kushtuar një rëndësi edhe përhapjes së kulturës te lexuesit, duke nxjerrë në pah vlerat dhe përfaqsuesit më në zë të saj. Gazeta “Veterani” , si organi i vetëm i OBVL, gjithmonë ka kërkuar edhe shkrirjen në një të dy organizatave, pra bashkimin e saj me atë të LANÇ, pasi nuk shihej asnjë arsye për të qenë të ndarë. Ajo e ka kërkuar këtë me sinqeritet të plotë, me dashamirësi dhe pa asnjë ndikim partiak, qoftë edhe për të dhënë një shembull sesi mund të bashkëpunohet edhe sot kur ndarjet janë bërë modë. Sipas qëndrimit parimor të organizatës, në gazetën “Veterani” asnjë shenjë inati nuk mund të gjendet edhe ndaj dikujt që mund të verë në dyshim këtë kërkesë e cila tek e fundit është në shërbim të vendit tonë. Seneka, shpërfilljen ndaj fyerjeve e ka quajtur diçka tipike për shpirtrat fisnikë, ndaj anëtarët e kësaj organizate nuk i zemërohen askujt. Për të gjithë ata që kanë pasur fatin të shfaqin mendimet dhe qëndrimet e tyre në këtë gazetë të nderuar ka vlejtur konstatimi i drejtuesit të Institutit Konstruktiv, danezit Ulrik Haagerup i cili mësonte se “...duhet të jemi pushteti i tretë mes qeverisë dhe opozitës, duhet të përpiqemi të jemi të paanshëm. Ne duhet të jemi miku më i mirë i publikut”. Veteranët e organizatës dhe pasuesit e tyre, në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara e kanë dëshmuar me pjekuri se mbi të gjitha është Shqipëria. Këtë ka pasqyruar në faqet e saj edhe kjo gazetë, që ashtu si vetë OBVL ka mbetur faktor pajtimi, mirëkuptimi e bashkëpunimi, të cilës do t
i qëndrojnë besnikë edhe në të ardhmen.