Rrugëtimi i vështirë me urtësi, trimëri e sakrifica mençurore i ish – sekretarit organizativ të Rinisë antifashiste të krahinës Reç e Dardhë

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Në plejadën e 800 nxënësve të Internatit të njohur të Kastriotit (1925-1939) nga Shqipëria verilindore, të cilët më vonë dhanë një kontribut të çmuar në shërbim të kombit, në fusha të ndyshme të jetës së vendit, bën pjesë edhe Mehdi Islam Luca nga Tartaj i Zall Dardhës.
Në vitin 1934 në këtë fshat erdhi një bursë studimi për Aqif Kacën për të ndjekur shkollën fillore të Kastriotit, por meqë familja e tij nuk pranoi, fati e solli që atë ta merrte Mehdi Luca. Kjo, falë ndërhyrjeve të babait të tij largpamës, Islamit, me të gjitha mundësitë që kishte, te kryeplaku i katundit, në parinë e vendit e deri te kryetari i komunës në Kraj Reç, që aso kohe ishte Ahmet Salija nga Burgajeti i rrethit të Matit.
Kështu e nis rrugëtimin për arsimim e dije Mehdi Luca i datëlindjes 14.07.1925, kur ishte vetëm 9 vjeç, për ta përfunduar shkollën fillore 5-vjeçare në harkun kohor të pesë viteve (1934-1939) me rezultate të shkëlqyera. Dhe si shumë të rinj nga kjo shkollë që rrokën armët në luftë kundër fashizmit, edhe Mehdi Luca do të ishte ndër nismëtarët e organizimit të rezistencës në krahinën e Dardhës.
I frymëzuar nga 25 të rinj të kësaj shkolle që dhanë jetën për çlirimin e atdheut si: Heroi i Popullit Nazmi Rushiti dhe dëshmorët Tofik Çanga, Demir Gashi, Riza Doda, Besim Imami, Tasim Shehu, Abdi Kazani, Rifat Kaloshi e të tjerë, Mehdi Luca, në fillim të vitit 1944, kur u ngrit Organizata e Rinisë Antifashiste në krahinën Reç – Dardhë, u zgjodh Sekretar Organizativ për këtë krahinë, detyrë të cilën e kreu me përkushtim deri pas çlirimit të vendit.
Në librin e tij me kujtime “Baba Islam” (faqe 74), ndër të tjera Mehdi Luca evidenton aktivistët e dalluar të asaj organizate, shokët e tij të rinisë: Maliq Troci, Hazis Elezi, Rufat Sufa, Rexhep Troci, Liman e Sali Hoxha, Bajram Ndreu, Halil Xhediku, Ramadan Braka, Avdi Kaca, Hamit Çera, Haxhi Çera e të tjerë. Në këtë libër ai shkruan edhe për inspektorët e Rinisë të rrethit Dibër, që mbanin lidhje me organizatën e Rinisë të krahinës Reç-Dardhë që ai drejtonte, të cilët ishin: Bitro Tase (që u mbyt në Drin të Zi në Zall Dardhë, duke kaluar lumin); Esma Agolli, Sadush Baholli, Kozma Vjera etj, që kalonin në këmbë ditën e natën, në shi e borë, gjithë krahinën për të kryer detyrat e ngarkuara për rininë.
“Ndër to, detyrat më kryesore ishin: të shtohen radhët e brigadave partizane me të rinj, veçanërisht për ato brigada që kalonin nëpër zonën tonë. Të siguronim strehim për brigadat partizane që kalonin andej. Të rritej propaganda për brigadat partizane, forcën e tyre kundër fashizmit dhe përkrahësve të tyre. Këto detyra i kryem deri në fund të çlirimit dhe ishim nga organizatatat më të dalluara në rrethin e Dibrës”, – shkruan Mehdi Luca në kujtimet e tij.
Mbas çlirimit ai punoi në Komitetin e Rinisë të rrethit si përgjegjës sporti e fiskulture nga viti 1948-1949 me shokët e shoqet, Fiqiri Aliu – Sekretar i Komitetit të Rinisë, Fadil Asllani, Shazimet Asllani etj.
Dy vitet në vijim (1949-1951) kryen me përgjegjësi detyrën e punëtorit operativ në Degën e Punëve të Brendëshme, me shokët Hazis Asllani, Izet Hasani, Sami Kamberi e të tjerë.
Si edhe dhjetra dibramë të tjerë që kishin studjuar në Internatin e Kastrtiotit dhe që kishte mbaruar edhe Shkollën e Mesme Ekonomike në Tiranë, Mehdi Luca do të ishte shembull i kuadrit të devotshëm në sektorë të rëndësishëm. Ai ishte ndër të parët Përgjegjës Fiskulture e Sporti në Komitetin e Ekzekutiv të Rrethit Dibër (1951-1953), ku në saj të një pune intensive u ngritën mbi 50 kolektiva sportivë në gjithë fshatrat fushorë e kodrinore dhe sporti mori një gjallëri të madhe edhe në ndeshjet me rrethe të tjera, si në futboll, volejboll etj.
Përvojën e fituar në këtë sektor të rëndësishëm do ta implementonte edhe në Kooperativën e Kombinuar të Artizanatit Peshkopi si nënkryetar e kryetar i saj (1953-1956), për të vijuar po dinjitetshëm e suksesshëm si Shef Seksioni për investime, transport dhe ambalazh në Bashkimin e Kooperativave të Konsumit Peshkopi në vitet 1956-1959; si zëvendëskryetar dhe shef prodhimi në kooperativën e Artizanatit “23 Gushti” Peshkopi (1959-1961) dhe për tetë vite të tjera (1961-1969) si shef plani në Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale Peshkopi.
TEFTA CAMI: ME PUNËN ME PASION E PROFESIONALIZËM
MEHDI LUCA MBOLLI PEMËN E PAVDEKËSISË

Bashkëkohësit, ndër të cilët do të veçoja Tefta Camin, Elmaz Lalën, artistin e mirënjohur Skënder Cala, Mjeshtrin e Madh Muharrem Gjoka, publicistin dhe poetin Shaqir Çerpja, Znj. Hajrie Hajro e Dhurata Pano dhe veprimtarët shoqërorë shembullorë Irfan Zebi e Selim Çerpja, e kujtojnë Mehdi Lucën si kuadrin shembullor e intelektualin e mirëformuar edhe kur shërbeu si shef furnizim-shpërndarje e shef plani në NISH Prodhime Peshkopi (1969-1974). Ishin vitet kur nga kjo ndërmarrje, me prodhimet e frutave si reçelna, komposto etj, plotësoheshin jo vetëm nevojat e vendit tonë, por edhe eksportonin në shumë shtete, sidomos komposton, për të cilën kishte shumë kërkesa nga Gjermania, Austria etj.
Ish – Ministrja e Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami, e vlerëson Mehdi Lucën si intelektualin e drejtuesin e shquar, si mikun e komshiun fisnik e të kulturuar. “Ruaj kujtime të bukura për të, për dashurinë e mirësinë, qe u dhuronte njerëzve, për përkushtimin ndaj familjes e punës, për kujdesin që tregonte ndaj punonjësve e njerëzve në nevoje. Ai shquhej për thjeshtësi dhe mençuri… Mehdi Luca, me punën me pasion e profesionalizëm që bëri, mbolli pemën e pavdekësisë, sepse la një emër të mirë, që do të kujtohet e nderohet për shumë vite nga pasardhësit e tij e të punonjësve, si dhe nga qytetaret dibrane. Familja, fëmijët, farefisi e miqtë duhet të jenëi krenarë për jetën e kontributin e madh të tij! U prehtë në paqe!”, shprehet Tefta Cami.
Ndërsa Elmaz Lala – ish – Shef i Seksionit të Arësimit e Kulturës në KE të KP të rrethit Dibër e kujton Mehdi Lucën si: “një burrë i urtë, i kulturuar, model i sjelljes shoqërore, fisnik edhe në paraqitje e komunikim, me pasion për librin, njeri që bënte vetëm miq e te “prisheshe” me të fajin kerkoje te vetja”, një qytetar shumë i përgjegjshem e që respektonte miqtë e deres së tij si pakkush”
Mehdi Luca do ta mbyllte karrierën e tij të një nëpunësi simbol të aftësisë profesionale dhe të një intelektuali me dije e vizion bashkëkohor si shef furnizim – shpërndarje në ish – Ndërmarrjen e Ndërtimit Peshkopi, detyrë të cilën e kreu me devotshmëri e përkushtim të rrallë për 11 vjet (1974-1985) deri sa doli në pension.
Kjo karrierë profesionale dhe kontributi i tij intelektual, e rendisin Mehdi Lucën me elitën dibrane që luajti rol parësor në procesin e formimit të vetëdijes kombëtare dhe rindërtimit të vendit të rrënuar nga lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, por në gjithë krahinën Reç e Dardhë, e më gjerë në gjithë rrethin e Dibrës.
Në formimin e tij si intelektual, krahas dijeve të fituar në Internatin e Kastriotit dhe në Shkollën e Mesme Ekonomike Tiranë, ndikoi edhe bashkëpunimi me ish kuadro drejtues e drejtorë me reputacion të ndërmarrjeve të Dibrës, si Ahmet Kaçorri, Shaban Sadja, Kadri Meta, Ahmet Perleka, Faris Reka, Destan Aga, Rrahman Çenga etj, të cilët dhanë kontributin e tyre në progresin shoqëror dhe ekonomik të Dibrës.
Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij, Sudja, një zonjë fisnike e me inteligjencë natyrore të rrallë, ka jo vetëm meritën e qëndrimit besnike pranë Mehdiut në çdo etapë të jetës bashkshortore, por edhe të mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve.

BURRË I URTË E I MENÇUR I ODAVE
E MEXHELISEVE

Mehdi Islam Luca ishte ndër burrat e urtë e të mençur të odave e mexheliseve, të cilat përbënin shkallën më të lartë intelektuale të popullit të krahinës së Dibrës, për të zgjidhur probleme, që edhe drejtësia moderne do t’i kishte lakmi për mençurinë e përdorur nga “pleqtë”, që ndanin kuvendet, bashkonin njerëzit, pajtonin gjaqet, zgjidhnin problemet e pronës, u jepnin të drejtë njërës palë, pa marrë parasysh rrangun a ofiqin që kishte pala tjetër.
Ai ishte familjar dhe prind shëmbullor. Kishte lexuar shumë e kjo kulturë e fituar nga leximi reflektohet edhe në librin e tij “testament” me kujtime, ku me një gjuhë mjaftë të pasur e mjete shprehëse interesante evidentohet dashuria e pamatë për babë Islamin, nënë Hanishen mixhën Sali, bashkshorten Suden, për fëmijët Kujtime, Ylli dhe Iliri, motrat Sulltana, Xhevahire dhe Mihane.., dhe jo vetëm.
Është ky një libër ku përshkruhet mjeshtërisht gjeografia e vendlindjes, miqtë e shtëpisë së tij (ndër të cilët veçon: Hamit Çerpen, Avdi Lushin, Elez Dervishin, Bajram Muratin, Xheladin Bucin, Dodë Vladin “byrazer”, Cen Lekën, Islam Xhedikun, Rustem Gjonin, etj. Po ashtu ai shkruan për Institucionin e “Odës Dibrane” ( në katër shifra me gjuhë alegorike).
I brumosur me ndjenjat e zjarrta të atdhedashurisë që si bazë ka familjen, Mehdi Luca e personifikon atë edhe me rrugëtimin e vështirë, nga vendlindja Tartaj e Dardhës për t’u strehuar një vit pas martese me Suden në një dhomë të vogël private tek shtëpia e Haqif Shehut pas xhamisë Peshkopi, për të vijuar po në një dhomë të vogël rreth 5 m2, tashmë edhe me një fëmijë në rrugicën e ngushtë të Pazarit ku ngjitet rruga për në bulevard të qytetit; pas 3 vjetësh në lagjen Kallavere në një dhomë të shtëpisë së Maliq Xhelilit, ku lindën edhe fëmijët Kujtimja dhe Ylli; në pallatin dy katësh afër PPT; në një pallat tjetër në të majtë të Shkollës së Mesme Bujqësore dhe së fundmi me dy dhoma e një kuzhinë në një pallat katër katësh (i fundit në të djathtë afër Shkollës së Mesme Bujqësore), ku jetuan për 26 vjet, nga viti 1968 deri më 1994, kur e shitën dhe erdhën në Tiranë.
Edhe këtu në metropolin shqiptar, (deri sa u nda nga jeta më 5 nëntor 2018, i përcjellë për në botën e përtejme me të gjitha nderimet që meritonte, nga familja, farefisi, miqtë e shokët e tij të shumtë), Mehdi Luca bëri jetë intensive si veprimtar i shquar shoqëror, frekuentues i librit e shtypit dhe me krijimtari letrare mbresëlënëse, për të cilat na flet me dashuri e mirënjohje, nipi i tij Zyber Gjoni, ish – zv/dekan i filialit të Universistetit të Durrësit në Peshkopi, një përfaqësues dinjitoz i elitës intelektuale dibrane në qytetin e Peshkopisë.