Rreth librit “Ballkani viktimë e gjeopolitikës”

SHPENDI TOPOLLAJ

I botuar në vitit 2023, libri “Ballkani viktimë e gjeopolitikës” i Pano Hallkos, autorit tashmë të mirënjohur për praninë e tij me opinionet dhe analizat e mençura e të sakta, vjen për lexuesit, pse jo edhe për politikanët tanë, në një kohë mjaft të trazuar. Ngjarjet që pasuan në planin politik dhe diplomatik të pas viteve nëntëdhjetë të shekullit që shkoi, e kthyen edhe një herë problemin tonë kombëtar në qendër të vëmendjes, veçanërisht pas shthurjes të fqinjit tonë, Jugosllavisë, ku zakonet e vjetra të serbëve ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, dolën përsëri sheshit me egërsinë e kafshës që po jep shpirt. Nga ana e saj edhe Shqipëria, tashmë me rend demokratik, jo vetëm u hap ndaj Perëndimit dhe u bashkua me organizmat e saj, ku më e rëndësishmja është futja në NATO dhe përpjekjet serioze për pranimin në BE, por edhe luajti ndershmërisht rolin e saj për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Mirëpo, korrektësia e qeverisë tonë, nuk do të mjaftonte për ta realizuar këtë synim, pasi lakmitë, ndikimet, rivendikimit, mosmarrëveshjet, orekset e kundërshtitë e vjetra mes shteteve Ballkanike, ku edhe Greqia vijon të mbajë në fuqi ligjin tashmë anekdotik të luftës, nuk ishin harruar. Po ashtu, edhe ndërhyrjet e vendeve aleate me SHBA në krye, nuk e patën të lehtë të ushtronin autoritetin e tyre, kur arena ndërkombëtare ishte e kërcënuar nga luftra të përgjakshme, ku dallohen ato në Ukrainë dhe Palestinë, pa folur për rrezikun permanent rus, deri tek ajo heshtja kërcënuese e Kinës. Te ne edhe nxënësit e shkollave e kanë të qartë si drita e diellit sesi është luajtur si nga Fuqitë e mëdha dikur, ashtu edhe nga fqinjët tanë, me tkurrjen krejtësisht të padrejtë të shtrirjes tokësore të Atdheut tonë. Prandaj, vendosja nga ana e autorit të këtij libri dinjitoz, e një karikature mbi mosmarrëveshjet mbi kufirin e Shqipërisë, marrë nga një gazetë finlandeze, nuk çudit askënd dhe nuk i shkakton askujt të qeshura. Përkundrazi, ajo të shkakton keqardhje dhe të vë në mendime. Dhe në morinë e mendimeve që të sillen në kokë, mbizotëron pyetja se a po dimë të mbajmë qëndrimin e duhur ne shqiptarët para këtyre realiteteve, pra a jemi të orientuar si duhet në marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjët tanë, dhe a po e thonë me guxim fjalën e tyre, qofshin politikanët, qofshin intelektualët? Se këta të fundit ndofta janë më të besuarit në sytë e popullit dhe me dritën e fakteve i paraprijnë të vërtetës edhe për hapat që ndërmerr politika. Dhe nuk ndihesh mirë kur vëren se fare pak nga ata shprehin shqetësimin e tyre për këto probleme me rëndësi jetike. Kjo del dukshëm edhe në këtë libër, ku autori më së shumti i referohet kryesisht njërit prej tyre, të nderuarit dhe kurajozit Shaban Murati i cili nga ana e tij për këtë libër shprehet: “Këndvështrimi gjeopolitik shqiptar për lidhjet dhe raportet e sotme shqiptare, si dhe të çdo faze të zhvillimit shoqëror e historik, i jep vlera këtij studimi, në drejtim të pasurimit të teorisë shqiptare të marrëdhënieve rajonale e ndërkombëtare”. E gjithë kjo analizë që përfshin më së shumti periudhën e pas shpalljes së pavarësisë është shpërndarë në 43 kapituj, ku secili trajton probleme të veçanta, por të lidhura ngushtësisht me njëra – tjetrën. Në to shohim zhvillimet botërore dhe evropiane që influencuan mbi Ballkanin dhe sidomos mbi fatet e Shqipërisë gjatë historisë e cila i pagoi më shtrenjtë se kushdo rreth e rrotull, ndërhyrjet e të huajve. Dhe si për ta bërë sa më të besueshëm atë çka ai hedh në letër, Pano Hallko po autorëve të huaj u është referuar në pafundësinë e veprave të tyre që lidhen me temat respektive. Ka aty historianë, politikanë e ushtarakë grekë, serbë, francezë, gjermanë, etj. deri edhe kujtime, artikuj gazetash e dokumente arkivore të ministrive e të qeverive të ndryshme.
Kuptohet, se për këtë shkallë të lartë njohurish, përveç formimit të tij, Panos i ka shërbyer edhe përvoja në detyrat që ka kryer si gazetar e drejtues shtypi dhe i botimeve ushtarako – shkencore në Ministrinë e Mbrojtjes, etj. por edhe ngulmimi për të gërmuar e studiuar me pasion rreth çështjeve të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe tonave me të huajt. Se nuk ka sesi ta shohësh Shqipërinë të shkëputur nga bota, nga luftrat e zhvilluara dhe nga interesat e të tjerëve. Kështu, fjala vjen, ai merret me marrëdhëniet greko – turke apo franko – ruse, si dhe influencat e dy luftrave botërore. Po ashtu, Panua është kujdesur të sqarojë kuptimin e gjërë të togfjalëshit Lindje – Perëndim. Ai me kulturën e tij e zgjeron konceptin pezhorativ që merr ky togfjalësh, duke dhënë fakte, vepra dhe personalitete me ndikim në kulturën botërore. Nuk flet me termat degiruese të kohës, duke mohuar për hir të qëndrimeve aktuale politike dhe nuk mban ndonjë anësi për hir të religjionit. Nuk u shmanget tezave të gabuara dhe tendencioze të historianëve të tjerë që kanë parë thjesht atë që i leverdis vendit të tyre dhe di të thotë apo më mirë, ti kundërshtojë me arsye dhe fakte të pavërtetat që ata paraqesin. Madje ai është i prirur të na tregojë më shumë ato që i bashkojnë të dy krahët, të dy qytetërimet, madje edhe të dyja fetë kryesore, duke përqasur më shumë sesa duke ndarë Biblën nga Kuranni.
Nga ana e tij, ai na jep shembuj, ndofta për shumë, krejt të panjohur, si ai pohimi i spanjollit Pedro Tafuri cili në viti 1435 shprehej se “Turqit i konsiderojnë vepra të shenjta ndërtimet dhe godinat e qytetërimit të vjetër klasik dhe nuk i shkatërrojnë ato”. Aq sa kur një ushtar otoman qëlloi me mushqetë brenda në kishë, atij iu pre dora me ferman të sulltanit. Pra, qenë komplekse sjelljet e vendeve apo invazorëve të huaj, pasi po këta nuk i shmangnin fatkeqsitë që u shkaktonin të tjerëve. Dhe ajo që nënkuptohet gjatë leximit të këtij libri është fakti i pranuar nga të gjithë, se ne shqiptarët, askujt nuk i kemi rënë në qafë dhe asnjëherë nuk e kemi ngatërruar Ballkanin duke provokuar luftra edhe pse na janë bërë kaq padrejtësi. E vërteta është se qysh herët Ballkani, i dominuar nga Turqia ka paraqitur interes për Evropën, por ishte François de None që thosh se “Më mirë le ta lemë diskutimin për ndarjen e territoreve pas luftës, kur të kemi gjahun në dorë” dhe që e çoi më tej në vitin 1726 Kryeministri – Kardinal Alberon i cili u paraqiti oborreve evropiane propozimin për “frymëmarrje të gjerë”, ku ndër të tjera parashikonte aneksimin e Egjeut, dhe ndarjen në formë dhuratash të ishujve të tij princave të rinj që do të dalloheshin në luftime. Natyrisht që ashtu sikurse pranonte Luigji i XIV – të, sot nuk janë të modës Kryqëzatat, por kjo nuk i ka penguar që të kërkohen rrugë të tjera edhe më të djallëzuara për shtrirje influencash, çka ka sjellë përherë atë që me të drejtë është quajtur
Ngatërresa Ballkanike. Dhe janë këto synime që sollën krimet e andartëve grekë në vitet 1913 – 14 sipas atij “Protokollit” famëkeq apo mësymjen drejt Shkodrës nga ushtria malazezo – serbe. Edhe sot e kësaj dite, askush nuk habitet kur sheh se po vazhdon po kjo politikë nga ana e Serbisë apo Greqisë të cilave ua dhanë Kosovën dhe Çamërinë dikur, si dhe Maqedonisë të Veriut, ku shqiptarët ende luftojnë për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura. Por në kushtet e reja, diplomacisë shqiptare i del detyrë gjetja dhe zbatimi i politikave të zgjuara dhe afatgjata. Me këtë merret mësë shumti në këtë libër autori Pano Hallko i cili evidenton gjykimet e tij apo dhe kritikat ndaj rasteve, kur vëren mefshtësi apo mosveprimet e duhura nga ana e qeverive shqiptare gjatë 33 viteve të demokracisë.
Ai jep edhe shembuj të shumtë ku edhe personalitete të ndryshme protestojnë energjikisht ndaj padrejtësive që na bëhen siç është rasti i dy gazetarբve francezë të “Charlie Ebdo” të cilët gjatë vizitës në Athinë i pyetën drejtpërdrejtë kolegët e tyre grekë: pse mbani anën e Milosheviçit, kur ne në Francë me karikaturat tona e bëjmë leckë atë, gjë për të cilën dhanë edhe jetën në 7 janar të vitit 2015. Veç së pari duhet që vetë ne shqiptarët të ngremë zërin dhe të punojmë për këtë. Autori i librit e thotë hapur: “Edhe në Shqipëri do të duhet të vijë dita kur të rishikohen ngjarje dhe figura të cilat kanë zenë vend në histori” dhe vazhdon duke arsyetuar se shqiptarët së pari duhet të përmbushin interesat e Kombit tonë e pastaj të përmbushin ekuacionet e interesave të fuqive të huaja. Ndaj duhet kujdes me varrezat, me kufijtë detarë, me asociacionet e lëshimet e tjera si ndaj grekëve ashtu dhe ndaj serbëve. Se pastaj në situata si ajo e veriut të Kosovës apo e paramilitarëve që kryen sulmin e poshtër në repartin e Peshkëpisë apo e atyre ushtarëve grekë që parakalojnë duke kënduar se me zorrët e shqiptarëve do të lidhin këpucët etj. Penës së Pano Hallkos nuk i ka shpëtuar edhe simpatia për personalitetet e shquara me origjinë shqiptare si Teodor Pangallo, Aristidh Kola e Jorgo Miha apo politikanët e Kosovës së lirë e të pavarur, ashtu edhe qortimet për emisarët e huaj që përkëdhelin Serbinë agresore. Ai, i kthehet sërish gadishullit tonë, me atë nismën e “Ballkanit të Hapur”, ku rreshton tentativat e hershme për realizimin e saj, por që cilido nga udhëheqësit e rëndësishëm synonte të ishte kreu i federatës. Autori e sqaron imtësisht lexuesin me këto histori, por këtu ka vend edhe për një vrejtje miqësore: Ishte ky Ballkan i hapur në interes të Aleksandar Vuçiçit, që nuk e pranoi atë edhe Kosova, por që duhet thënë e vërteta, se qeveria shqiptare ishte përkrahësja më e vendosur e saj. Ajo gabimisht u rreshtua me Serbinë dhe u përball me Kosovën, çka çoi në një konflikt fare të panevojshëm mes dy Kryeministrave tanë. Pavarësht këtij momenti, në këtë libër me shumë vlera, del aspirata e hershme e shqiptarëve për të shkuar e sigurt drejt Evropës. Se është ashtu sikurse citohet Faik Konica i cili qysh në vitin 1907 mësonte se “Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do të ishte e realizueshme po qe se stëgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm”. Dhe kësaj përgatitje i shërben edhe ky libër.