Vlerërësim për punën e thelluar studimore të Ing. Kol Dedaj në 120 vjetorin e Shkollës

• Iballasit gjithmonë kanë qenë një popull punëtor, guximtar, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të tyre, që nuk e dëshirojnë mbetjen prapa të tjerëve. Prandaj edhe hapja e shkollës shqipe në Iballë bën pjesë në këtë kuadër interesash e virtytesh. Për hapjen e shkollës iu drejtuan Ndre Mjedës, poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, i cili mbante lidhje të mira me Pukën, me vendlindjen e të parëve të vet

Xhemal MEÇI
Studjues & Mjeshtër i Madh

Dokumentat e zbuluara kohët e fundit në Vatikan nga dr. Mark Pal Nika, vërterojnë se shqipja shkruhej që në shek. XIV, sidomos në Shën Palin e Pukës. Kjo traditë shkrimi dëshmon se shqipja duhet të mësohej e të shkruhej edhe më parë se në shek. XIV dhe kjo e njohur në histori që nga fillimi i mijëvjeçarit të parë me një veprimtari të madhe fetare, shoqërore, kulturore e politike deri ne shek. XIV – XV.
Një tregues tjetër për këtë arsimim janë Gazullorët, një degë e të cilve u vendosën në Raguzë.
Me dëmtimet shkatërruese që pësoi Puka gjatë ekspeditave osmane për afro dy shekuj, gjithçka u shua.

Domeniko Pasi për interesimin për arsimim në Iballë.
(A.Fulv Cordignano, Romë 1933, Vll: I)
Përkthyer në shqip i ndjeri Injac Zamputi, Tiranë 1978

D. Pasi, një misionar Italian shumë i vullnetshëm për fenë e krishterë, i cili erdhi në malet e Pukës në vitet 1888-1906, tregon për interesimin e madh të fëmijëve për arsimim bile edhe të rriturve. Duke parë se sa inteligjentë ishin e sa të etur për dije e kulturë, ngriti kurse mësimi në formë shkolle për lutje të besimit të krishterë. Këtë punë e bëri me sukses në Iballe, Berishë, Arst, Mzi, Kokdodë, Bugjon, Fierzë, Mertur dhe në Aprripe e Dardhë. Megjithatë, gjatë atyre ditëve, edhe pse kohë dimri e kohë pune, u arrit të tërhiqeshin mjaft djem, sa vete D.Pasi e quan “Misioni i çunave”, Iballë. “..për nja 10 dite, nga 18-28 nëntor (1888) u mblodhen në mengjes e në darkë mesatarisht nja 30 çuna… edhe në dëborë edhe (pse) fryente një erë e ftohtë, sa nuk ishte e mundur për shumë fëmijë… të veshur keq (dhe) punët që kërkonte blegtoria nuk lejojnë që të bashkohen që të gjithë. Disa nga këto lutje mësohen edhe në vargje së bashku me këngë e hymne të tjerë… duke ia përshtatur çdo gjëje temperamentit muzikor të shiptarëve që pëlqejnë “arie” shumë të thjeshta në “minore”. Dhe ato vargje ua mësonin njëri-tjetrit dhe i këndonin kur barinjtë të dilnin në kullotë me kopetë… Edhe vajzat mësonin nga vëllezërit disa lutje liturgjike.
Dardhë. Djemtë që kishin mësuar lutjet “ishin bërë mësues duke ua kaluar dijen e vet të gjithë të tjerëve, të mëdhej e të vegjël, burra e gra. Edhe unë, me çudinë time të madhe dhe me ngushëllim, shihja duke më dalë para fëmijë, djelmoça e burra që donin të më recitonin lutje për të marrë një rruzare si çmim”.
Mertur. “Kalova në Mertur (17 dhjetor 1888, ditën e enjte) te konaku i Gjon Difit. Çunat erdhën me dëshire të madhe. Ditën e parë pak pas mesnate erdhën të trokitnin te porta. U përgjigja, se ishte tepër shpejt, u nisën, por erdhën dhe dy herë të tjera para se të zbardhte dita”. Misionari D. Pasi konstatoi se interesimi për të mësuar prej tij ishte i madh edhe prej burrave.
Edhe kleri mysliman në Pukë, Qërret. Kabash (1904), Iballë, Kryezi, tregonte se Dukagjini (Spas) hapi mejtepe (kurse) njëvjeçar deri në trevjeçar për mësime fetare islame. Zenel Mehaj, një djalë shumë i zgjuar e i vullnetshëm, filloi të mësonte pranë Hoxhë Pukës (Musa Dizdarit) jo vetëm lutjet. Duke parë përparimin e çuan jashtë për shkollim të lartë arabisht për teologji. Si u kthye u bë imami i Pukës. Mësimet fetare i lidhte me ato shqipe dhe në histori. Këto e bënë shumë popullor e të respektuar në popull. Përkrahu kryengritjet e përgjithshme antiturke 1912, revolucionin e 1924-trës, por më pas përkrahu regjimin e Zogut, si zgjidhja e vetme e shpëtimit të vendit nga lakmitë e shovinistëve fqinj dhe revoltave separatiste.
Sadoqë kurset e shkollat e ulta fetare të krishtera e islame përhapnin dije edhe në shqip, prapë dëshira për shkollim në shkolla shqipe mbeti kërkesë në rritje, aq më tepër kur panë se në Dajç (Zadrimë) u hap shkolla shqipe (1901); në Mirditë: Orosh 1900, Spaç 1902, Kashnjet 1903.

1903 shkollë shqipe në Iballë

Iballasit gjithmonë kanë qenë një popull punëtor, guximtar, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të tyre, që nuk e dëshirojnë mbetjen prapa të tjerëve. Prandaj edhe hapja e shkollës shqipe në Iballë bën pjesë në këtë kuadër interesash e virtytesh. Për hapjen e shkollës iu drejtuan Ndre Mjedës, poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, i cili mbante lidhje të mira me Pukën, me vendlindjen e të parëve të vet. Ishte me origjinë prej Bardhajve të Kabashit të Kryeziut (M. Quku -Origjina e Ndre Mjedës Gazeta “Bashkimi”. Tiranë, 14.08.1988, f. 3). Me ndërhyrjen e Ndre Mjedës pranë ipeshkvisësë Shkodër dhe konsullatës Austro-Hungareze Shkodër, u sigurua përkrahja për hapjen e shkollës. Për justifikim para qeveritarëve turq u tha se do të hapej një shkollë fetare. Kjo u bë shkak për mosmarrveshje mes komuniteteve me besime të ndryshme; të krishterë e myslimanë. Për situatën e acaruar në Iballë nuk u bë sa duhet sqarimi e qetësimi i gjëndjes.
Rapsodi i shquar Prendush Gega nxori një këngë me të cilen donte t’u kujtonte iballasve tolerancë e harmoninë ndërfetare të kabashëve në shekuj: “Ti n’Kabash ndonjëherë je kanel/ A ke pa ni xhami n’lam?!Dere per dere kish’ e xhami turk e të kshtenë ishin kojshi”….

Kole Zezaj mësues në Iballë
me 1903-1906

Kujtimet e mbledhura në Iballë e Shkodër në messhekullin XX tregojnë se shkolla e Iballës viteve 1903-1906 ishte shkollë shqipe. Mësuesi i saj që Kole Zezaj, arsimuar për teologji në Bosnje. Zotëronte latinisht, italisht, frengjisht e serbo-kroatisht. Kur u kthye në vendlindje u bind se nëvoja më e ngutshme ishte arsimi shqip. Filloi punën mësues në Dajç 1901. Kur i propozoi Mjeda që të shkonte mësues në Iballë, ai pranoi pa hezitim. Para tij po fillonte një provë e vështirë; mësues në zona të thella malore në moshën 27-vjeçare i sapomartuar, me gjendjë të brishte ekonomike.
Tërhoqi në shkollë 15-20 nxënësit e parë. Siguroi mjetet më elementare për mësim: në sofër e rreth saj u vendosën këmbëkryq nxënësit e tij; pak letra e ndonjë laps, pllaka me maja plumbi. Kohën e lirë e kalonte duke takuar prind të nxënësve, burra të njohur të dy besimeve. Prania e tij u bë e nëvojshme jo vetëm për shkollën, por edhe për vetë normalizimin e marrëdhënieve në mes komuniteteve myslimanë e katolike.
Shkolla e Iballës u bë vatër arsimimi dhe edukimi atdhetar pa dallime besimi e krahinore..
Për diten e hapjes së shkollës së Iballës ka dy mendime: i pari, shkolla u hap me 15 tetor 1903.(S. Sinani)- Historiku i arsimit të Pukës. Puke, 1974 (Dorëshkrimi në Arkivin e Muzeut të Arsimit); i dyti, shkolla u hap më 15 korrik 1903. (Mentor Quku, drejtori muzeut historik te Shkodrës, studiues i Ndre Mjedës).
Gjendja e pastabilizuar politike (kryengritjet seperatiste 1921, 1922, 1923 dhe revolucioni 1924-ës) u bë shkak që shkolla të qëndronte e mbyllur. Dokumentat tregojnë se shkolla u rihap me (1917-18) e më pas 1921 dhe vazhdoi nga viti në vit, ndërsa mësimi u zhvëndos prej çele të kishës në shtëpine e Mark Marashit i cili lëshoi një dhomë. Mësuesi erdhi me arsim pedagogjik nga Shkodra. Numri i nxënësve arriti në 55 me një rritje nga viti në vit. Mësuesi Lin Çurçia, më 1937 arriti të sillte në shkollë 9 vajza, gjë që shihej si një sukses. 1937-a ishte 25-vjetori i Pavarësisë Kombëtare. Kudo u festua kjo ngjarje. Edhe në Iballe, mësuesi Lin Çurçia bashke me pushtetin vendor, familjet me emër tradicional, si edhe të klerit arriti të përgatis një program të pasur artistik atdhetare. Në mbyllje u bë edhe ceremonia e pajtimit të 11 familjeve në gjakmarrje.
Me kapitullimin e Italisë fashiste në shtator 1943, shkolla u mbyll. Ų rihap me 1945 me 40 nxënës, me 1946 numri i nxënësve arriti në 115. Në Shkodër u hapën kurse pedagogjike ku mësuesit morën mësimet e para pedagogjike. Në Durrës u hap shkolla “e mesme” pedagogjike me bazë fillore ku u përgatitën qindra mësues. Në çdo fshat u hapën edhe kurse për zhdukjen e analfabetizmit për të rriturit.
Me 1952 u hap klasa e pestë e shkollës unike (shtatëvjeçare), me mësuesin shkodran Hamit Helovia.
Me 1954 drejtor shkolle caktohet Beslim Hoxha, kuadër me të mesme pedagogjike, organizues i mire i procesit mësimor, drejtues me kulturë, i duruar, me vullnet dhe i dhënë shumë në punët mësimore e drejtuese të shkollës edhe pse 20 – vjeçar. I gjithë brezi ynë ishin 20-23-vjeçar drejtues shkolle në Iballë. Ndue Pjetri drejtor 22-23 -vjeçar. Une (Xh. Meçi ) zv/drejtor e drejtor ne moshën 22-23- vjeçar.

Puna artistike në shkollë

Ngritëm grupin artistik amator dhe përgatitëm një program të mirë për ato kushte. Mungesën e elementit femër e zgjidhëm me tërheqjen e pesë vajzave të shkollës. Na ndihmuan edhe prindërit e vajzave. Mes nxënëseve ishte Age Fran Miraka, vajzë inteligjente, e edukuar e me vullnet. Babai i saj kishte vdekur në burg, i denuar politik. Po ajo na i mbante vajzat të afruara, prandaj e përkrahëm.
Grupi artistik dha shfaqje në Iballë, deri në Mzi. Vendosëm të shkonim edhe në Pukë, ku jeta artistike mungonte. Grupi artistik amator në Pukë bëri përshtypje, sepse kaloi nëpër qytet i veshur me rroba kombëtare duke u rënë veglave muzikore popullore. (Rrobat i kishin siguruar nëpër familjet e nxënësve, rregulloheshim nëpër shtëpi të njohurëve). Nja pesë i mora unë në shtëpi. Me rastin e festës lokale të çlirimit, 16 tetor 1959, komisioni i festës na dha flamurin e kuq të rrethit për rezultate të mira në aktivitetet kulturore me popullin e zonës. Këto arritje më dhanë mundësi që të transferohesha drejtor në shkollën shtatëvjeçare “1 Maj”, Fushë Arrëz.

Festimi i 70-vjetorit të shkollës

Festimi i 70-vjetorit të shkollës së Iballës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme në veprimtaritë arsimore të ish-rrethit të Pukës. Përgatitjet filluan që me 1973, por meqë interesimi i Ministrisë së Arsimit e të Kulturës nuk u arrit në kohën e duhur, festimi u shtye për me 15 shtator 1974.
Përpjekjet për një përgatitje sa më të mirë në rreth qenë të gjithanshme, sidomos në Seksionin e Arsimit e të Kulturës me përgjegjës Ramadan Hoxhën, inspektorët: Zef Delia, edhe të sekretarit të kom. ekzek. Rexhep Toska. S. Sinani me artikujt e tij në shtypin qëndror, sidomos te “Mësuesi” i dha mjaft publicitet 70-vjetorit të shkollës shqipe të Iballës. Ky publiciteti u bë shkak që në këtë festim përvjetori të vinte vetë zv/ministri, Prof. Dr, Hasan Duma.
Drejtori i shkollës Ndue Deda, Mësues i merituar, zv/drejtori Ndue Rexhepi, drejtori i shtëpisë së kulturës Iballë, Lin Shahini si edhe mësuesit: M. Cufaj, Gj. Alia, B. Arifaj. Dh. Doko, Z. Vata, D. Qerreti, L. Vata, Gj. Shahini etj. së bashku me kryetarin e këshillit Demush Salihi, përballuan një ngarkesë të madhe për përgatitjen e klasave kabinet, mjediset e shkollës, grupin artistik amator, deri në parullat kushtuar 30-vjetorit të çlirimit e 70-vjetorit të shkollës.
Edhe prindërit e nxënësve i pritnin në shtëpitë e tyre të ftuarit e largët. Edhe administrata e kooperativës bujqësore u muar me përgatitjet e ushqimeve e të mencës për të përballuar numrin e madh të të ftuarëve edhe nga fshatrat e zonat përreth. Afro 100 të ftuar shkuan në Iballë që më 14 shtator. H. Duma pyeti për historikun e shkollës dhe emrin e fshatit Iballë. Unë iu përgjigja, duke i thënë se vjen nga burimi vendas: “Iball / ballë me bashkimin e nyjës -i të gjinorës, karakteristike e përdorimit vendas. P.sh. “Shkova i Porav, i Miliska, i Mzi. “Nga ana perëndimore e Iballës, ballë shtëpive të tyre qëndron mali Bale, nga ku ka dalë emri i fshatit, por me një dobësim të -ll në l!.”
Më 15 shtator, në orën 9 – 11 u zhvillua sesioni shkencor, që, për fat të keq, materialet ishin mjaft të ideologjizuara me bardhë e zi. Bardh, çdo gjë që kishte të bënte me vitet e diktaturës komuniste dhe zi, çdo gjë që kishte të bënte me forcat politike të djathta, Mbretin Zogu I, krenët, klerin. As unë nuk i shpëtova kësaj skeme, megjithëse mora guximin e përmenda Kolë Bibë Mirakën mësues 1917 – 18. P.Miska më terhoqi vëmendjen: “S’duhet ta kishe përmendur Kolën, or dorëzi!” Mjaftoi ajo vërejtje, pas tre muajsh u shkarkova nga drejtor i Kabinetit Pedagogjik dhe deri sa dola në pension mbeta mësues i thjeshtë fshati.
Aspektet kryesore të asaj feste u fotografuan për kujtim. Festimi i 70-vjetorit (në fakt i 71-vjetorit) të shkollës shqipe të Iballës ka qenë madheshtor, i papërsëritshëm për kohën. Por 120-vjetori duhet model kombëtar.

Shkolla ne vitet ‘70-2000

Më 1976 u hap shkolla e mesme bujqësore dhe pas 12 vitesh ajo arriti kulmin e saj: u diploman 278 maturantë me e pa shkëputje nga puna. Numri i përgjithshëm i nxënësve ishte 750 të cilëve u jepnin mësim 35 mësues.
Gjatë këtyre viteve drejtuan shkollën drejtorë të pasionuar, me përgatitje të lartë arsimore e përvojë të mirë didaktike, si: Zef Delia, Ndue Deda, Ndue Binaku, Bardh Doda, Lekë Hajdari etj.
Me shpërbërjen e kooperativave bujqësore, me rritjen e interesave për pronën private, me lëvizjen e lirë të fshatarëve drejt bregdetit e qyteteve të mëdha si dhe me shtimin e pasigurisë, me dobësimin e shtetit gjatë tranzicionit demokratik, shkolla pësoi goditje e tronditje: u grabitën e u dëmtuan, sidomos baza materialo – mësimore. Në këto kushte numri i nxënësve ra shume. Pati e ka largime nga klasat e pesta deri në të teta, bile edhe në fillore.
Ja si paraqitet gjendja në fund të vitit shkollor 2002-2003, në 100-vjetorin e vet : gjithsej 218 nxënës (fillore =76, tetëvjeçare, e mesme = 82 -(Statistike e Drejtorisë Arsimore Pukë).
Me 2018 mbyllet shkolla e Mesme. Arsimi 9-vjeçar ra në afro 20 nxënës.

KONTRIBUT ME VLERË I ING. KOLË DEDAJ

Libri “Shkolla e Iballës”… përgatit për botim nga ingj. Kolë Dedaj është një përpjekje me përkushtim nga autori për të pasqyruar sa më të plotë këtë evniment duke sjellë me shumë kujdes përshëndetjet, duke filluar nga Presidenti i Republikes SHT T Z. Bajram Begaj deri te kumtuesit e Sesionit Shkencor, Prof.Dr. Nevila Nika, Prof. Pashk Leka, Prof.Rexhep Uka, si dhe ish-drejtorë e nxënës të kësaj shkolle. Gjithashtu i ilistruar me fotot e kësaj shkolle. Në këtë libër del qartë niveli shkencor i autorit ing. K.Dedaj, duke qëdruar si një lis i lartë mes kolegëve të tij, por duhet ruajtur më shumë nga subjektivizmi dhe familjariteti në studimet e tij. Që ky botim të dalë më i plotë autori me bashkëautorë seriozë, të realizojë së shpejti edhe botimin: “Muzeu i shkollës Iballë në 120-vjetorin e saj”, një model për shkollat në shkallë Rebuplike e më gjërë. Gjithashtu i duhet kërkuar Presidentit të RSH Bajram Begaj që të dekorohet Shkolla e Iballës si dhe Zotni Dedë Maluta, si organizatori, nxitësi e frymëzuesi si dhe sponsori gjeneral i këtij 120-vjetori.