Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Heroi i Popullit Rrahman Parllaku, në 105 vjetorin e lindjes është përkujtuar si memoria historike e kombit.
Në Akademinë Përkujtimore që Organizata e e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL) mbajti më 20 prill 2024 në Akademinë e Shkencave, me moderimin e Mjeshtrit të Madh Defrim Methasani, përveç Veteranëve e pasardhësve të tyre, familjarëve, miqve dhe të afërmëve të të paharruarit general Parllaku, merrnin pjesë dhjetra personalitete ushtarake, të politikës e letrave, si Namik Dokle, Pëllumb Xhufi, general. .Piro Ahmetaj, Shaqir Rexhvelaj, Tefta Cami, Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka, historian Xhemal Meçi – Mjeshtër i Madh, nënkryetarja e OBVL Miraja Ohrikol. Ali Demushi, akademik Fatos Daci, etj.
Pas dokumentarit “Gjenerali që bëri epokë”, që u ndoq me interes të veçantë, të pranishmit u përshëndetën nga: Gjeneral major Manushaqe Shehu – Zv/ Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH; Flamur Noka – deputet & Sekretar i Përgjithshëm i PD; Jonida Halili – Nënkryetare e Bashkisë Tiranë; Lekë Hoxha – Kryetar i Org. Veteranëve të LANÇ të Kosovës; Enver Parllaku – Përfaqësues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” të Filadelfias SHBA, Prof. Dritan Spahiu – Kryetar i Shoqatës Luma, ish – ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami, etj.
Jeta dhe vepra heroike e gjeneral Parllakut, si organizator dhe drejtues i talentuar i LANÇ dhe Ushtrisë Shqiptare, qëndresa në burgjet e diktaturës dhe publicistika e tij, u përçuan më së miri nga kumtesat që mbajtën: Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj dhe shkrimtarët e publicistët Shpendi Topollaj, Sakip Cami dhe Nikolla Sudar.
E përbashkëta në fjalët përshëndetëse dhe e trajtesave që u mbajtën në këtë Akademi Përkujimore, qe përcjellja te publiku konkluzioni se, në spiralet e historisë, gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet, duke pasur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës.
Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuintesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcolli përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv.
Kjo Akademi Përkujtimore u pasqyrua edhe nga televizionet publike kombëtare Top chanal e Ness 24.
Më poshtë vijojnë disa nga përshëndetjet në këtë Akademi përkujtimore për Nderin e Kombit Rrahman Parllaku.