Në emër të Shoqatës “Bïjtë e Shqipes”, të Filadelfias në SHBA-së, ju sjell përshëndetjet miqësore e vëllazërore për nderimin që i bëni sot birit të shquar të Novosejtë të Lumës, të paharruarit, “Nderi i Kombit” dhe “Heroi i Popullit”, Gjeneral Lejtnant Rrahaman Parllaku, në 105 vjetorin e ditlindjes së tij.
Gjeneral Rrahman Parllaku, është padyshim krenari kombëtare shqiptare, por para së gjithash ai është krenaria e familjes, efisit tonë, e fshatit Novosej ku lindi dhe e Kukësit që e burrëroi, e fisnikëroi dhe e brumosi me shqiptarizmë. Ishin këto virtyte që e karakterizuan në drejtimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në krijimin e konsolidimin e ushtrisë Shqiptare.
Por ne krenohemi edhe me qëndrimin e paepur përballë diktaturës që e burgosi dhe e dënoi padrejtësisht, ndërsa Ai nuk u ligështua, por doli edhe më stoik e udhërrëfyes në mbështetje të proceseve demokratike. AI u bë dhe mbeti burim frymëzimi edhe për brezat e ardhshëm, përfshi edhe shoqatën tonë “Bijtë ë Shqipes”. Në disa aktivitete që ne organizojmë, “Gjeneralin mendjendritur vazhdimisht e kujtojmë dhe e vlërësojmë, siç ai e meriton.
Si një nga të afërmit e tij, si pjestar i fisit emërndritur “PARLLAKU”, ndjehem krenar, sa herë mes shqiptarëve të diasporës përmendet emri i “Gjeneral Rrahman Parllakut”, sepse ai vlerësohet dhe nderohet si Gjenerali-Legjendë në kufirin e tri kohëve , që jetoi e përshkoi, thuajse në hapësirën tonë mbarëkombëtare, një rrugë plotë sakrifica, duke reflektuar besë e burrëri, trimëri, mençuri, fisnikëri, humanizëm , atdhetari e shqiptarizëm për të mbetur me grada të përjetshme…,si gjenerali që me jetën dhe veprën e tij ka fituar pavdekësinë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!