Brigada e 12 Sulmuese u krijua në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ishte maj i vitit 1944, kur partizanët shqiptarë po vulosnim me betejat dhe gjakun e tyre fitoren e kësaj lufte çlirimtare, antifashiste, patriotike dhe emancipuese për Shqipërinë dhe kombet e qytetëruara.
Ishte 20 maji 1944, kur 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, në Sukë krijuan Brigadën e 12, nën drejtimin e Komandantit Refat Bajrami dhe Komisarit Qemal Klosi, dy personalitete të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Brigada e 12 ka shumë merita lufte, trimërie dhe heroizmi. Por kjo Brigadë ka edhe një meritë të veçantë, që e dallon nga formacionet e tjera të Ushtrisë partizane: numrin shumë të madh të vajzave luftëtare. Rreth 200 vajza ose 30 përqind e luftëtarëve të Brigadës ishin vajza.
Kjo rrethanë zbulon një tipar tjetër të vlerave antifashiste: lidhjen e tyre me vlerat shoqërore dhe kulturore emancipuese. Antifashizmi nuk ishte vetëm çlirimi prej pushtuesve nazistë e fashistë, por hapi rrugën për progres të gjithanshëm politik, shoqëror e kulturor në gjithë botën e qytetëruar.
Prej këtij progresi nuk përfituan vetëm kombet fituese, por të gjitha kombet, të gjithë vendet dhe të gjithë popujt.
Brigada e 12 ka një bilanc të pasur betejash e fitoresh. Pas përfundimit të Kongresit të Përmetit, luftëtarët e saj shkruan faqe heroizmi e lavdie në luftimet e Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë, Therepel, Vokopolë, Rehove etj. Njësive të saj u takon merita e çlirimit të Sarandës, Vlorës, Sazanit, Peqinit, Rrogozhinës, Kavajes, Durrësit e Shijakut.
Brigada e 12-të Sulmuese la në altarin lirisë 105 dëshmorë, të cilët i kujtojmë sot me respekt e nderim të thellë.
Trimëria legjendare e djemve dhe vajzave të Brigadës së 12 nuk përfundoi më 29 nëntor 1944. Ju, veteranët e saj, pasardhësit tuaj dhe familjet e dëshmorëve të lirisë kini mbajtur e mbani gjallë frymën antifashiste, patriotike, progresiste dhe europiane të luftëtarëve të saj.
Dekoratat që ndrisin në gjokset tuaja janë mirënjohje dhe dëshmi e një epopeje nga më të lavdishmet në historinë tonë kombëtare, të devocionit e sakrificave sublime në shërbim të Atdheut, lirisë dhe progresit. Shkëlqimin e tyre nuk ka argument apo pseudo-historian që ta mohojë.
Antifashizmi, atdhetarizmi, përkushtimi e sakrifica për liri e progres nuk vjetrohen kurrë.
Këto vlera qëndrojnë në themel të Europës dhe qytetërimit të sotëm perëndimor.