Me Sejfulla Malëshovën historia dhe njeriu qëndron në unison. Këtu, për hir të së vërtetës, ai historisë i dha emër, ajo ia çmoi personalitetin dhe veprën e tij shumëplanëshe. Në veprimtarinë shoqërore ai erdhi si intelektual i kompletuar dhe pikërisht ky tipar dallues, në veçanti pas luftës antifashiste, u bë “gjykimi” i tij.

DAUT HOXHA

Historia e një populli dhe një kombi në kapërcyellin e përvjetorëve s’ka se si të mos nderojë dhe respektojë bijtë dhe bijat e tij, të cilët me vlerat njerëzore, intelektuale dhe patriotike i shërbyen asaj duke u bërë njëherazi objekt dhe subjekt i vetë historisë.
Në plejadën e kësaj gjenerate, në veçanti në historinë e re e moderne, do të kujtojmë një politikan, burrë shteti dhe njëherazi i letrave, që dha gjithçka për fitoren e luftës antifashiste të popullit tonë, e cila e renditi atë në Aleancën Antifashiste Botërore të Luftës së Dytë Botërore. (Deklarata e 12 Dhjetorit 1942).
Ky njeri, ky mendimtar, është Sejfulla Malëshova (Malëshovë, 2 mars 1900 – Fier, 11 qershor 1971) , që në këtë vit i kujtojmë 124 vjetorin e lindjes. 50 vjet mbeti i harruar nën trysninë e diktaturës, 38 vjet, i persekutuar, i denigruar dhe i masakruar shpirtërisht dhe fizikisht, vdiq si militanti i mendimit dhe i veprimit socialdemokrat Sejfulla Malëshova, alias Lame Kodra. Njeriu dhe historia gjithmonë kanë jetuar së bashku, i pari është objekti dhe subjekti i saj. Nëse njeriu bën historinë, ajo bëhet gjykatësi i tij. Kjo në funksion të veprës, të qëndrimit të tij në raport me detyrën dhe përgjegjësinë që mbart, i ngarkuar dhe njëherazi në drejtim të përkushtimit ndaj tyre. Me Sejfulla Malëshovën historia dhe njeriu qëndron në unison. Këtu, për hir të së vërtetës, ai historisë i dha emër, ajo ia çmoi personalitetin dhe veprën e tij shumëplanëshe. Në veprimtarinë shoqërore ai erdhi si intelektual i kompletuar dhe pikërisht ky tipar dallues, në veçanti pas luftës antifashiste, u bë “gjykimi” i tij. Si personalitet shumëplanësh tek ai dallojmë disa drejtime.
Së pari, ai bëri emër në fushën e letrave, u dallua si poet dhe prozator. Ishte njohës i disa gjuhëve perëndimore dhe lindore. Vepra e tij letrare qe fshikullimë, si e gjithë letërsia e shkruar përparimtare e viteve ’30, e despotizmit dhe obskurantizmit të kohës.
Së dyti, ai ishte mendimtar, në mendimet e tij kishte si bazë iluminizmin, ëndrrat dhe shpresat e rilindasve tanë. Në këtë plan ai dallohej si patriot demokrat, ishte për një ekonomi shumëdegëshe tregu me bazë sociale.
Me përmbysjen e qeverisë së Nolit, si gjithë ithtarët e saj, edhe Sejfulla Malëshova mori rrugën e kurbetit. U vendos në Bari, më vonë në Moskë, ku vazhdoi studimet, fitoi tituj shkencorë dhe u dallua si pedagog i doktrinës. Si i tillë, ai diti ta orientojë drejt dhe mirë veten dhe dha një ndihmesë në orientimin socialdemokrat të grupit shqiptar për inkonseguencat e zbatimit të “teorisë proletare”. Këtu ai u bë ideatori për të nisur një lëvizje të mirëfilltë socialdemokrate, pikërisht në këtë kohë ai do të lëvizë në vendet perëndimore e qëndrore për ta zgjuar dhe kompaktësuar këtë ide. Në këtë kohë fillon bashkëpunimin me organe si “Liria Kombëtare”, “Populli” dhe “Sazani”. Këtu u gjend në mesin e një grupi intelektualësh të kompletuar si Omer Nishani, Halim Xhelo, Llazar Fundo e të tjerë, me të cilët debatoi dhe propagandoi idetë e socializmit demokratik. Eshtë koha kur ai i përgjigjet përpjekjeve të Musine Kokalarit, Gjergj Kokoshit e Skënder Muços pëtr të organizuar një organizatë socialdemokrate në Shqipëri.
Koha dhe historia precipituan me shpejtësi, fillimi i luftës së dytë botërore dhe pushtimi fashist i Shqipërisë para patriotëve demokratë shtroi detyra të reja. Detyra e parë kthimi në atdhe dhe fillimi i rezistencës kundër pushtuesit nazifashist.
Lufta antifashiste nisi si fillim me dëshirën spontane të patriotëve demokratë e nacionalistë, çka më vonë solli që në këtë rrafsh u përvijuan dy rryma, njera “rryma nacionaliste”, tjetra “lëvizja antifashiste partiake” e drejtuar nga PKSH, e cila s’e kishte bërë ende vitin e themelimit dhe në drejtimin e saj të parë mbizotëronte elementi me pikëpamje socialdemokrate, por në rrethana të caktuara historike në krye të saj dolën elementë antikombëtarë dhe antisocialistë të cilët që në fillim goditën elementin demokratik dhe patriot me moton e zbulimeve të “armiqve” dhe “grupeve antiparti”.
Në këto rrethana Sejfulla Malëshova kthehet në atdhe dhe vihet totalisht në shërbim të luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Eshtë qëndrimi i tij për të ndjekur dhe zbatuar një politikë kombëtare dhe demokratike duke patur në themel platformën politike të Konferencës së Pezës. Eshtë ky qëndrim që në kulisat e errëta të kësaj lufte do t’i përgatiste fundin tragjik atij dhe shokëve të tij. Kështu, duke u nisur me mendime dhe qëllime të mira në shërbim të luftës, së bashku me Nako Spiro, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Shefqet Beja, Ramadan Çitaku, Gjin Marku e të tjerë, proklamonin dhe rekomandonin materialet dhe dokumentat themeluese të PKSH dhe të konferencës së Pezës që bënin fjalë dhe ishin pika referimi për të ardhmen politike të vendit pas luftës.
Shqipëria të ishte republikë parlamentare dhe të pastroheshin -izmat sllavokomuniste. Këto qëndrime dhe kërkesa ranë ndesh me pjesën tjetër të udhëheqjes, gjë që çuan në fundin e luftës në Plenumin e Dytë, datë 23 – 27 Nëntor 1944. Këtu Sejfulla Malëshova do të niste kalvarin e jetesës së tij nga diktatura dhe diktatori. Në këtë plenum ai mbrojti pikëpamjet patriotike dhe demokratike që karakterizonin luftën antifashiste të popullit tonë dhe dënoi qëndrimet sektare dhe arriviste të shfaqura gjatë luftës ndaj forcave e grupeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare.
Në këto kushte ai ka ditur të kombinojë dhe të përshtasë tre elementë të kohës: historinë, patriotizmin dhe politikën, falë kompletimit të tij si intelektual i dimensioneve të mëdha.
Nga kjo dolën disa përfundime:
Së pari ai dallon e del sipëran mbi grupet e klanet.
Së dyti, përcaktoi drejt raportin e rrezikshmërisë ndërmjet klaneve dhe grupeve.
Së treti, ai nuk kërkonte të mbulohej apo renditej pas njëshit apo lidershipit.
Dy gjëra nuk do t’i harronte krahas të tjerave, për të cilat e rëndoi dhe bëri çmos që ta asgjësonte diktatura dhe diktatori. Së pari formimin e tij si intelektual, si njeri i letrave dhe përpjekjet e tij për një kulturë kombëtare, mbështetur në traditën, larg realizmit socialist dhe me orientim bashkëkohor.
E parë në këtë plan, si gjatë Luftës Antifashiste dhe pas saj, me cilesinë e ministrit të kulturës, ndihmoi dhe inkurajoi elementin e ri të talentuar në fushën e letrave dhe të krijimit, gjë që u pa e shkruar dhe në organet e kohës, si ato qendrore “Bashkimi” e “Kushtrimi i Lirisë”, ashtu dhe në organet e njësive partizane. Ajo që i rrit dimensionet e kësaj figure në fushën e organizimit dhe të politikave kombëtare për kulturën është përpjekja e bërë për organizimin e Kongresit të Parë të Shkrimtarëve Shqiptarë më 7 Tetor 1945. Në këtë Kongres u vendos themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me 74 anëtarë, kryetar i së cilës u zgjodh unanimisht Prof. Sejfulla Malëshova. Në Kongres morën pjesë dhe u bënë anëtarë të LSHA-së shkrimtarë të të gjitha rrymave dhe të mendimit për të shkruar e krijuar ndryshe. Sejfulla Malëshova ndoqi një kurs pajtues liberal politik në ekonomi, por në veçanti në fushën e kulturës dhe të krijimit me qëllimin e mirë që të inkurajonte dhe të riintegronte forcat krijuese jokomuniste në jetën shoqërore dhe në administratën shtetërore. Ai në mënyrën e vet të drejtimit dhe të hartimit të politikave kulturore kombëtare bëri të njihen dhe të ruhen vlerat e saj që ishin krijuar para dhe pas Pavarësisë, me krijimin e Shtetit Shqiptar në 28 Nëntor 1912. Në këtë plan ai dëshmoi kurajon civile dhe intransigjencën e një burri shteti për mbrojtjen e këtyre vlerave. Ai mbrojti personalitetet e letrave e të kulturës sonë si At Gjergj Fishta, Prof. Mirash Ivanaj e të tjerë. Kjo gjë nuk kaloi pa pasoja në Plenumin VI të Shkurtit 1946. Sejfulla Malëshova merr goditjen përfundimtare, duke u përjashtuar nga të gjitha institucionet drejtuese me nofkën “armik i popullit”. Kjo e përshkallezuar edhe me përjashtimin e tij si kryetar i LSHA-së. Pas kësaj goditje, ai do të pësojë kalvarin e vuajtjeve dhe persekucionit politik dhe fizik në kampet e “riedukimit” dhe i veçuar e i ndaluar nga puna krijuese letrare. Së dyti, platformën e tij ekonomike dhe politike me orientim perëndimor, të tipit socialdemokrat, çka do ta gjesh të sintetizuar në ceremoninë e përurimit të Bankës Kombëtare Janar 1945 – 23 Janar 1946…
Pikëpamjet e tij socialdemokrate ai do t’i shpaloste në organizimin dhe drejtimin e “Fushates Zgjedhore për Asamblenë Kushtetuese” 2 Dhjetor 1945, ku me zhdërvjelltësi politike do të gjente hapësira dhe do të përkrahte forcat demokratike që kërkonin t’i atashoheshin kësaj fushate. Njëherazi ai do të bënte thirrje për demokratizimin e legjislacionit zgjedhor. Prof. Sejfulla Malëshova kudo që shkoi në mbarë vendin për drejtimin dhe organizimin e fushatës bënte thirrje për veprime demokratike. Në një nga mitingjet e tilla në Shkodër ai shprehej: “Shkodra e demokracisë dhe e Kazazëve.” Ai vdiq në verën e nxehtë të vitit 1971, që do të ishte prologu e epilogu i një vere tejet të nxehtë politike në mbarë vendin nga plenumet famëkeqe të atij dhjetëvjeçari që asgjësuan gjithçka të mirë që kishte ngelur dhe që rilulëzonte në vendin tonë.

Vleresime për Sejfulla Malëshoven – alias Lame Kodra – nga miq, shokë e bashkëluftëtarë:

Dr. Ymer Dishnica: Të parafrazosh e të komentosh vjershat e Lame Kodrës është njësoj sikur të duash të belbëzosh e të thuash keq ato që janë thënë me akcen bilbili …
Gjuha në tosk ishte shtruar e të kulluar, në traditën e Naimit e të Çajupit, të Faikut e të Fan Nolit… Vjersha e punuar me mjeshtri të rallë, e pasur me muzikalitet, në harmoni, me ritëm, me rimë të pasur… Pak janë ata bijë të këtij populli që kanë dhënë një kontribut aq të çmuar për ndritjen dhe ndërtimin, për konsolidimin dhe për frymën e Shqipërisë së re. Shkrimtari, poeti rebel është një i pandarë me personalitetin politik të shquar, anëtar me rëndësi në gjirin e qeverisë demokratike. Lame Kodra është mishërimi i luftës dhe i përpjekjeve për liri dhe për demokraci që ka bërë dhe bën populli shqiptar.

Lame Kodra qan e qesh me popullin, këndon e lufton për popullin, shpreson e fiton me popullin, del në dritë me popullin. Populli është sot në tribunën e Shqipërisë, Lame Kodra është sot poeti ynë kombëtar, poeti i Shqipërisë së re demokratike.
Nga parathënia e librit “Vjersha”, viti 1945

Pashko Gjeçi: Lame Kodra është një poet konceptesh. Bërthama e veprës së tij është mendimi, ideja. Dhe ideja vë në lëvizje krejt botën e fantazisë së tij. Tek Lame Kodra nuk mund të ndash idenë prej trajtës. Ndër poezitë e tija, nënkuptohet, në ato më të bukurat, nuk ka zona të errta. Krejt bota poetike e tij është përpirë nga një dritë e fuqishme. Poeti është revolucionar në shpirt, por revolucionar i lidhur ngushtë me traditat e shëndosha shqiptare. Fryn erë shqiptare ndër poezitë e Lame Kodrës, si ajo frymë dhe ndër poezitë më të frymëzuara të Fishtës, të Naimit, të Nolit. Lame Kodra është trungu shqiptar. Lame Kodra është shqiptar i lirë e përparimdashës. Patriotizmi i tij ka një përmbajtje e stil të ri.
“Bota e Re” nr. 4, Tetor 1945

Dr. Selaudin Toto: Lame Kodra është poet kryengritës. Fuqinë e fjalës ai e ndjen më mirë në veprim. Arti për të ka lidhje dinamike me jetën e përpjekjen. Në çastet më tragjike për vendin tonë ai merr armët dhe del të luftoj në mal për liri. Në luftë e sipër ai shkruan poezi. Lame Kodra është poeti i lëvizjes nacional-çlirimtare dhe në këtë pikëpamje lidhet drejtpërdrejt me traditën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes. Në është se Naimi, Fishta, Noli ose Konica mundën të ngjallin me punën e tyre krijuese ndjenjën e kombësinë, ky, duke vazhduar në këto gjurmë, bëhet shprehës i fuqishëm i përpjekjeve të popullit për liri e demokraci.
“Bota e Re” nr. 6, Dhjetor 1945