(Në nderim të 80 vjetorit të rënies të dëshmorit të Fushëbardhë Sami Sejdi Golemi si dhe shokëve të tij të Labërisë të rënë pranë Senicës së Delvinës. Mirënjohje Këshillit Bashkiak të Delvinës që miratuan njëzëri dhe firmosën ligjërisht Vendimin e Këshillit Bashkiak të Delvinës që mban nr.14 datë 30.3.2021, “Për miratimin e ngritjes së memorialit për 5 dëshmorë të LANÇ-it: Hasan Salih Çerepi 17 vjeç, Karafil Vehip Bello 42 vjeç, Sami Sejdi Golemi 37 vjeç, Sefer Ramo Meta 28 vjeç, Skënder Mato Pepiaj 19 vjeç, pranë fshatit Senicë të Delvinës).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Vitet kalojnë dhe u bënë dekada, nga rënia për atdhe e dëshmorëve të lirisë. Edhe pse kaluan tetë dekada më i lartë është nderimi, mirënjohja dhe respekti për bartësit e idealeve të lirisë, për bijtë e bijat e Labërisë dhe mbarë kombit shqiptar, që gjakun e çimentuan me lirinë. Epitetet për lartësinë e piedestaleve e memorialeve kanë bazë të fuqishme kur kujtohen e respektohen me dinjitet e krenari. Nderimi dhe mirënjohja për dëshmorët është nderim e respektim i idealeve të kombit e flamurit. Një ndër luftëtarët e lirisë gjatë LANÇ-it ishte partizani i orëve të para Sami Sejdi Golemi, që jetën ja fali atdheut me përkushtim të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare të lirisë. Ai ra trimërisht në Senicë përtej Skërficës, Luvadhit e Zagonikut. Atje ku kishte rënë edhe trimi Karafil Bello, ranë në betejë më 14 mars 1944 edhe Sami Golemi, Hasan Çerepi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj, pranë fshatit Senicë të Delvinës. Brezat e burrëruar në kohë baruti, pas luftës mbajnë në kujtesë një lapidar në formë koni si kujtesë lufte, në vendin e quajtur Qafa e Hanit, që fliste shumë për burrat që ranë për Atdheun, që gjakun e çimentuan me lirinë dhe merituan titullin e lartësuar “Dëshmor i Atdheut”. Historia labe dhe jo vetëm flet qartë për trimërinë dhe lavdinë e burrërrisë shqiptare, për heronjtë e dëshmorët që gjakun e dhanë me vullnet të lirë për shënjtërinë e Atdheut dhe kombit. Refreni i këngës tingëllon fuqishëm edhe aktualisht: “nëna ju kish rritur,/për një botë të re,/lule more trima,/që ratë për atdhe”.
Rrëzoma dhe Krahina e Kardhiqit shekujve kanë qenë si një shtëpi me dy porta që për kulm kishin qafën e Skërficës, një qafë që shekujve përbashkonte zemrat ashtu sikurse sot rruga dhe tuneli i ka bërë njësh supbashkuar në luftra dhe në halle, të bashkuar në zemra e në lidhje të shumta shpirtërore. Këtu në Senicë përbri rrugës së re pritet që të marrë jetë një projekt i dy dekadave më parë më 4 prill 2004, kur një grup intelektualësh krijuan Shoqatën “Fushëbardha”, por që e firmosur ligjërisht në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Delvinës që mban nr.14 datë 30.3.2021, “Për miratimin e Propozimit për ngritjen e memorialit për 5 dëshmor të LANÇ-it, pasi gjaku nuk bëhet ujë.
Që prej 80 viteve flakadani i atdhetarisë në truallin e Fushëbardhës, krahinave Kardhiq e Rrëzomë, Delvinës, Labërisë, gjithë Shqipërisë ka qenë i ndezur dhe prushi i patriotizmit gjithmonë i nxehtë. Nuk ka dëshmi më ta madhe e më solide se gjaku për atdhe, për kombin, për lirinë. Ishin pesë dëshmorë që ranë në një copëz toke arbënore në shkurt-marsin e vitit 1944, atje pranë Senicës historike të kuvendeve, nderit dhe lavdisë, të mençurisë dhe punës, të pushkës dhe të diturisë, të punës dhe ardhmërisë. Pluhuri i harresës nuk mund të mbulojë dhe as të fshihet nga kujtesa e kombit shqiptar, ajo lavdi që u shkrua me gjakun e dëshmorëve.
Prandaj liria i ka rrënjët thellë në gjakun e të rënëve. Për këtë arsye poeti qartëson: “..duhet të ngrenë nga balta e të rivrasin të rënët”. Memoria e kombit shqiptar për të rënët është çimentuar me gjakun e të rënëve nuk matet as me numra e as me kile, “as me okë e as me kokë”.
Gjaku është shpagimtari më solemn i lirisë, themeli i së vërtetës, ideali i trupëzuar në panteonin e jetës prandaj burrat që i dolën zot vatanit meritojnë vetëm nderim. Pesë dëshmorët do jenë roje të lirisë së tokës arbërore, buzë rrugës së re Kardhiq – Delvinë. Ata do të trupëzohen njësh me tokën e gurtë, por dhe të sertë, shpirtërisht të lidhur besa-besë si një gjerdan në kalanë natyrore, por edhe përjetësisht në memorien e brezave. Aktet e mëdha njerëzore i japin kuptim historisë së mbijetesës, për të ruajtuar dhe zhvilluar identitetin kombëtar, për të përjetësuar sakrificat e mëdha për liri dhe mëvetësi, që është historia e vërtetë e këtij kombi, është historia e dëshmorëve. Fakt është se më mirë, më drejtë, më bindshëm flet gjaku i dëshmorëve të Labërisë, flet historia për trimat Sami Golemi e Karafil Bello nga Fushëbardha, Hasan Çerepi nga Zhulati, Sefer Meta nga Golemi, Skënder Pepiaj nga Progonati, që ranë pranë Senicës së Delvinës, do të vijojë të flasë.
Sami Sejdi Golemi, me pushkë në dorë për lirinë e Atdheut
Sami Sejdi Golemi, ishte lindur më 15.7.1907 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ai rridhte nga një familje me ndjenja e kontribute patriotike e atdhetare me emër të nderuar në Fushëbardhë dhe në krahinën e Kardhiqit. Fshati i tij i lindjes Fushëbardha është kodrinor e malor, mes malesh, në lagjen e Goleme, ku dimri vjen shpejt dhe ikën vonë, ku pranvera dhe vera ia lënë vendin njëra-tjetrës pa shumë ndryshime, veç plot lule e freski në behar dhe shumë dëborë e acar në dimrin e gjatë.
Jeta e detyroi që të përballej herët me vështirësitë në fushë e në mal duke e kapërcyer Qafën e Skërficës ditën e natën në borë e suferinë. Përfundoi shkollën fillore, por vuajtjet dhe hallet e kohës e mësuan të dallonte të mirën nga e keqja, padrejtësinë nga e drejta dhe kjo shpesh e revoltonte djalin e ri fushëbardhiot. Familja e tij ishte një familje e madhe. Babai i tij Sejdiu dhe nëna Nefize kishin tetë djem dhe dy vajza. Fisi i tij, Golemi ishin njerëz punëtorë, të thjeshtë, të dashur e të respektueshëm në fshat e krahinë, kishin shumë miq në krahinat e Kardhiqit dhe Rrëzomës por edhe deri në Përmet, Korçë, Ersekë, Himarë, Delvinë, Zonën e Konispolit e Çamërisë, në Vlorë e Mallakastër. Ishin njerëz zemërbardhë e mikpritës siç i thonë në Labëri, janë familje bukëdhënë, që rrezatonin mirësi. Familja përjetoi siç thotë populli “të zezat e ullirit” veçanërisht në përballjen me andartët grekë më 1913-1914. Viti 1914 shënon edhe dramën e ndarjes forcërisht nga gjiri i familjes së trungut të shtëpisë, babait të tij Sejdiut, i cili u rrëmbye dhe u dërgua në ishullin e Korfuzit me anijen dragaminë me gjithë gjënë e gjallë. E megjithatë familja e tij mbijetoi. Vëllai i madh i Samiut, Kasëm Golemi mbajti vëllezërinë të përbashkuar si dhe në Luftën e Vlorës në 1920 ishte luftëtar me çetën e Fushëbardhës e Zhulatit dhe që kishte luftuar bashkë me Selam Musa Salarinë. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Krahinor të krahinës së Kardhiqit deri në çlirimin e vendit. Samiu i doli zot vetes në Fushëbardhë, u burrërua para kohe dhe pas shkollës punuar në bujqësi, por të shquar në blektori, në traditën e Sinanaliajve/Goleme. Në periudhën 15.7.1927 deri 15.7.1929, kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Kombëtare, në rregjimentin e Gjirokastrës, me disa bashkëmoshatarë të tij. Kjo ishte periudha e “pjekjes së djelmoshave” dhe që ishte detyrë ndaj shtetit bazuar në Ligjin ushtarak “Mbi Rregullimin e Ushtrisë Kombëtare”, një ushtri me 700 oficerë, 800 nënoficerë, 7800 ushtarë, që harxhonte deri në gjysmën e buxhetit të shtetit, por që nuk ishte e gatshme ta mbronte realisht vendin. Pas ushtrie Samiu më i rritur dhe i pjekur gjykonte thellë problemet e kohës mbante pranë vetes dhe i mësonte nipçet e tij si Feron, Fejzon etj,, me ta kalonte në fushat e në malet e Fushëbardhës, të Çajupit, të Malit të Gjerë, të Delvinës e deri në Bureto. Duke parë shtypjen dhe shfrytëzimin, e urreu regjimin shtypës dhe barbar të Italisë fashiste që erdhi më 7 prill 1939. Më 12 dhjetor 1942 formohet çeta ”Çerçiz Topulli” në Fushëbardhë ku, që me themelimin e saj ishte dhe Sami Golemi me bashkëmoshatarë të tij të tjerë. Ai përjetonte një rizgjim të ri të burrërisë shqiptare, kur komandant ishte Dilaver Poçi, komisar Siri Çarçani, zv/komisar Gani Haloçi dhe itendent Mitat Kondi. Çeta ”Çerçiz Topulli” e formuar në Fushëbardhë ishte një ndër 288 çeta, që u krijuan gjatë LANÇ-it në të gjithë vendin. Çeta kishte në ditën e parë 27 partizanë që më vonë shkoi 40 partizanë, numër që erdhi gjithmonë në rritje. Sipas planit çeta kaloi fillimisht në Vurg të Delvinës ku u prit me dashuri nga populli. Më pas çeta kaloi në Dermish ku shkatërroi Urën e Çakallos e më pas në Theollogo për asgjësimin e postave kufitare të armikut në Zminec, në Vërvë e Leshnicë. Materialet e postave kufitare të armikut u morën nga çeta partizane. Çeta kaloi gjithashtu edhe në fshatin Kulluricë, ku hapi depot e drithit dhe u’a shpërndau fshatarëve të varfër, që bëri bujë të madhe për kohën. Në vitin 1943 çeta luftoi me italianët dhe bashkëpunëtorët e tyre në Vasjar të Tepelenës, më 11 dhe 12 qershor 1943, luftoi në Urën e Kardhiqit, në Humelicë dhe Cepo. Në 10 deri më 12 gusht 1943 çeta ku bënte pjesë Sami Golemi luftoi me milicët italianë. Në 30 dhe 31 gusht 1943 luftoi me garnizonin italian në Libohovë. Në shtator të vitit 1943 batalioni tek ura e Kardhiqit hyn në Gërhot pas kapitullimit të Italisë fashiste. Sami Golemi mori pjesë aktive në të gjitha veprimet luftarake në përbërje të formacioneve të çetave dhe batalionit territoriale dhe të rinisë. Ai u bë luftëtar shumë aktiv duke u gjendur në ballë në shumë aksione luftarake. Shokët e tij partizanë e njihnin Samiun me cilësitë më të mira, si trimërinë, zgjuarsinë, shkathtësinë dhe, për këto, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e tyre.
Një pjesë nga katër çetat e batalionit kaloi në batalionin territorial me komandant batalioni trimin Karafil Bello. Sami Golemi në batalionin territorial ishte skuadër komandant dhe me të njëjtën detyrë edhe në batalionin e rinisë. Në luftimet e Senicës së Rrëzomës tek bokërrima e kuqe, pranë qafës së Ujkut, bie heroikisht komandanti i batalionit territorial Karafil Bello në fillim të shkurtit 1944. Batalioni u riorganizua përsëri dhe në mes të marsit 1944 kalon në luftime në Senicë, Vergo, Kalasë me gjermanët si dhe bashkëpuntorët e tyre. Pararoja bie në përpjekje dhe në këtë luftë vritet Sami Golemi, Sefer Meta, Skënder Pepiaj dhe Hasan Çerepi. Në të gjitha betejat tregoi guxim dhe trimëri të rrallë, gjaku i tij skuqi rrugët e gurta aq të njohura të Senicës, në përleshje fyt për fyt me fashistët gjermanë dhe tradhëtarët. Ishte agjitator i LANÇ, duke shprehur urrejtjen ndaj okupatorit fashist italian dhe nazist gjerman, ku dhe ra, për të mos vdekur kurrë në luftën për çlirimin e Senicës, një fshat ngjitur me fashatin e tij të lindjes. Samiu ra në fushën e betejës duke lënë jetime vajzën një vjeçare Gurien, pa e njohur vajzën e tij dhe ngeli dëshmor në përjetësinë e nderit të kombit. As vajza nuk e njohu dot babanë e saj, por njohu bashkëluftëtarët shokët e tij të armëve, njohu kujtimin dhe nderimin për përkushtimin heroik të babait dëshmor ndaj lirisë së Atdheut, respektin e brezave për këtë luftëtar të lirisë e kanë shoqëruar bijën e tij gjatë jetës.
Ata i dolën zot Atdheut në kohë të vështira e rreziku, për lirinë dhe për të pasur shtet, prandaj nderohet e respektohet lufta e tyre, lufta e kombit shqiptar kundër nazizmit, fashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre. Sami Golemi është shpallur “dëshmor i Atdheut” 27 vjet pas rënies me Vendim Nr. 65 datë 2 tetor 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Gjirokastrës. Kujtimi i Sami Golemi dhe dëshmorëve të tjerë, që dhanë jetën do jetë i përjetshëm. Treva labe dhe jo vetëm i ka nderuar dhe nderon në vijimësi brez pas brezi trimat, bijtë që kanë rënë në betejat e historisë për mbrojtjen e truallit arbëror. Ata ranë me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë, prandaj dhe meritojnë nderimin në përjetësi.
Memorial i munguar në dekada për djemtë dëshmorë, do shndrohet në frymëzim brezash. Memoriali “Armëbashkuar për flamur” që do ngrihet në përkujtim të 80 vjetorit të rënies të pesë bijëve të Labërisë nga Fushëbardha, Zhulati, Golemi, Progonati do të jetë vlera e çmuar e vendnderimit të shenjtëruar të lavdisë dhe krenarisë sikurse çdo komb i qytetëruar. Në bibliotekat tona nuk kanë munguar librat, encikolopeditë, monografitë, shkrime të shumta për historitë, artikuj të pafund, në Evropë e më gjerë që përkujtojnë të rënët për Atdhe. Europa është e mbushur me buste, lapidarë e memorialë, pllaka, rrugë, sheshe, shkolla, që mbajnë emrin e tyre.
Nderimi dhe respekti për të rënët në trevën labe me memorialë në kuadrin e tetëdhjetë vjetorit të çlirimit të Atdheut, shpreh vlerësimin e idealeve të çlirimit, madhështinë e fitores dhe lirisë së Atdheut, si dhe devizën e përhershme kombëtare se, “kur bie për atdhenë mbetet në pavdekësi”.
Prandaj në pavdekësi do të mbeten dëshmorët e LANÇ-it: Hasan Salih Çerepi (1927-1944) 17 vjeç, Karafil Vehip Bello (1902-1944) 42 vjeç, Sami Sejdi Golemi (1907-1944) 37 vjeç, Sefer Ramo Meta (1916-1944) 28 vjeç, Skënder Mato Pepiaj (1925-1944) 19 vjeç, ku mosha mesatare ishte 28.6 vjeç. Memoriali i pritshëm për tu ngritur do të mbushë një boshllëk për nderimin dhe mirënjohjen e munguar në tetë dekada për djemtë dëshmorë të cilët ranë me devizën: “Besën për lirinë, gjakun për Atdheun”.