Fillimisht është me interes që të sqarojmë lexuesit se ç’është Krahina etnografike dhe sa përputhet rrethi i sotëm i Pukës me traditen e vet etnogratike. Krahina etnografike është njesia e caktuar ekonomiko – shoqërore njerëzish, me kushte shoqërore të njëjta, me mënyrë të përbashkët jetese dhe me lidhje të ngushta kulturore, të formuara në rrethana të caktuara historike, krahas tipareve të përgjithshme etnike -Kombëtare.
Xhemal MEÇI
Studjues & Mjeshtër i Madh
Rrethi i Pukes me ndarjen administrative të vitit 1945, u tkurr brenda kufijve krahinorë, duke humbur nga lindja Spasin (Malziun, Shumërine) që iu dha Kukësit. Ndërsa nga perendimi i kaluan Shkodrës: Dushi e Karma e Poshtme, Mdhoja dhe tash se fundi Komani. Në të njëjtën kohë iu bashkangjiten Pukës, një numër i madh fshatrash mirditore që nga Lumardhi deri në Rras- Kuzhnen bashkë me Srriqen, si edhe Korthpulën, Vrrithin, Kaftallen etj.
Tani le t’i kthehemi problemit të shtruar për zgjidhje: A është Puka krahine etnografike? Përgjithësisht ne rrethet shkencore qendrore mbizoteron mendimi i gabuar se Puka nuk është krahinë unike etnografike, por një përbërje krahinash a copërash të shkëputura prej krahinës së madhe të Dukagjinit mesjetar. Ja si e shpreh këtë «Etnografia shqiptare» (I/1962,, f. 37-38): “ Berisha, Mërturi, Hasi, Luma etj. vazhduan te zhvillonin me tutje veçorite kulturore te veçanta që krijuan (pas pushtimit osman- Xh M.). As Fjalori Enciklopedik Shqiptar (botim i vitit 1985) nuk mund t’i shpëtojë, kësaj pasaktësie, sepse në f. 543 shënon: «Krahina e Dukagjinit” u nda në disa krahina të reja, si: Mirdita, Luma, Hasi, Berisha etj.». Nga sa thuhet më siper del pyetja: << Si lindi dhe u kristalizua mendimi i gabuar se Puka nuk është krahinë etnografike unike?». Sigurisht, ky mendim nuk lindi rastësisht dhe pa një bazë të caktuar të dhënash dhe ngjashmërish. Le t’i analizojme disa prej tyre. Në Udhën e Madhe verilindore, që lidhte Adriatikun me pjeset e brendshme të Ballkanit, dihet se që nga kohët antike e në vazhdim Puka, Iballa e Spasi (Vaspasi, Malziuni) kanë qënë vazhdimisht stacione të fortifikuara me rëndësi në mbrojtje të kësaj udhe. Njëkohësisht, shërbenin edhe si qendra të rëndësishme banimi me funksione administrative, politike dhe ekonomike për rrethinat e tyre perkatese, por të pashkëputura ne kuader krahinor: Megjithate, duke qënë të ndara nga largësi të mëdha dhe me kufij të dukshëm gjeografikë, mjaft studiues te huaj e vendas i moren për qëndra krahinash të vogla e të veçuara në tipare etnografike. Kjo edhe për faktin se studiues si Hani, Durham etj., duke i parë kalimthi disa fshatra e vise, i kanë tratjuar si fise e rrethina të mbyllura brenda vetvetës. Edhe sot disa studiues vendas, të mbështetur mbi traditën e shkruar edhe mbi vezhgime anësore vazhdojnë ta trajtojnë Pukën si një krahinë gjeografike tranzitore, ndërlidhëse dhe pothuajse pa identitet etnografik, Atëhere me ç’argumenta mund të dëshmojmë të kundërtën?
Se pari: le t’i drejtohemi Frang Bardhit, historianit, folkloristit dhe etnografit tone të shek. XVII, i cili, mbasi ka vizituar disa herë viset e Pukës, shkruante me 1638: «Per veset e virtytet, zakonet e mira e të këqija, për bestytnitë, për mënyren se si me kremtue festat me sofra, për gjendjen, pasuninë dhe veprimet e këtyne popujve iballas, gjanësisht kam tregue në relacionet e vizitës në Pukë 1637, dhe aty mund te shihen sepse iballasit janë fqinj dhe në marrëdhenie me ata të Pukës e të Spasit dhe hyjnë në të njëjtin përshkrim». Siç shihet, uniteti kahinor etnografik del i qartë.
Së dyti, në mëndësinë e popullit është ruajtur si një fakt real uniteti krahinor etnografik, siç deshmojnë emërtimet tradicionale: Dheu i Epër e Tre Bajrakt e Epër (për Iballen): Dheu i Роshtëm e Tre Bajrakt e Poshtëm (për Pukën). Spasi është njohur si Dheu i Malitzi a Bajraku i Malitzi. Vetë ndarja: Dheu i Epër e Dheu i Poshtëm flet për pjesë të së njëjtës njësi. Po kështu Shtatë Bajrakt e Pukës (Tre Bajrakt e Epër, Tre Bajrakt e Poshtëm e Bajraku i Malitzi) shprehin shtatë ndarjet e mëvonshme administrative në njësi më të vogla, por pa shprishur krahineën.
Së treti, uniteti krahinor etnografik i Pukës është i dukshem edhe sot. në veshjet tradicionale, ndërtimet banesore, në krijimet artistike letrare gojore e muzikore, në vallet, në doket, e zakonet, në të folmen e përbashkët të Pukës etj.
Së katërti, uniteti krahinor shprehet mjaft qart me traditat krahinore të së drejtës juridike popullore e njohur me emrin Kanuni i Lekë Duhagjinit (Xh.M -Kanuni i Lekë Duhagjinit, varianti i Pukës, botimi II, Shkodër 2019), ku përfshihej Pukë-Kabash, Iballe-Bugjon, Berishë e Malziu.
Si përfundim, pra Puka është një krahinë etnografike e përbërë prej tri njësish visnore: Pukë, Iballe e Spas me lidhje të ngushta tradicionale.