Për një prej formacioneve më të mëdha e më të shquara të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare

Emrat e dëshmorëve të kësaj brigade, të shokëve dhe shoqeve të armëve, të cilët dhanë jetën për atdheun në moshën më të bukur, janë shkruar me shkronja të arta në panteonin e kombit shqiptar

Tetëdhjetë vjet më pare, më 25 Prill 1944, në një lëndinë të rrethuar me lisa, me një bukuri të rrallë natyrore, në Sheper të Zagorisë u formua Brigada e VIII-të Sulmuese. Fillimisht ajo pati një efektiv prej 950 partizanë të ardhur nga njësitë partizane të Grupit të parë të Kurveleshit, Çeta “Koto Haxhi”, Batalioni “Misto Mame”, Batalioni “Thanas Ziko” e të tjerë partizanë nga Qarku i Gjirokastrës, që të gjithë të sprovuar në luftime kundër armikut. Me krijimin e Brigadës u formuan katër batalione me nga katër kompani, me nje efektiv prej rreth 200-250 vetë.
Komandant Brigade u caktua Asaf Dragodi, Zv/Komandant Koço Gjeci, Komisar Qazim Kondi dhe Zv/Komisar Rrahman Parllaku. Njëkohësisht u caktuan edhe komandantët e batalioneve e të kompanive. Brenda tre mujash nga krijimi Brigada arriti të kishte një efektiv prej 820 partizanë e partizane.
Operacioni i Qershorit 1944 ishte prova më e vështirë, por edhe kalitja vendimtare për Brigadën e 8-të Sulmuese. Komanda e Brigadës dhe ato të batalioneve morën të gjitha masat organizative e operative për vazhdimin e luftimeve, deri në çlirimin e plotë të vendit. Më 5 qershor 1944 forcat e Brigadës së 8-të i zunë pritë një kollone gjermane me mbi 900 vetë që vinin nga Greqia. Luftimet u zhvilluan të ashpra në Skore, Sopik e Çatister nga Batalioni i 3-të që ishte në rrezik rrethimi. Një trimëri të rrallë tregoi skuadërkomandanti Ormen Boro, i cili me automatik e bomba dore u hodh si rrufe në llogoren e armikut në Sopik, duke asgjësuar një mitraloz të rëndë dhe duke vrarë disa gjermanë. Pas përleshjesh të ashpra ai u vra edhe vetë duke mbetur përjetë në altarin e lirisë.
Në këtë situatë armiku pësoi çoroditje, ndërsa forcat partizane po përparonin dukshëm. Nga luftimet e suksesshme të forcave të Batalionit të 3-të dhe të kompanisë së 2-të në Skore, armiku u detyrua të tërhiqej, duke lënë në fushën e betejës 11 gjermanë të vrarë. Nga radhët e partizanëve u vranë 5 veta dhe u plagos komandanti i kompanisë së 2-të Mustafa Demiri.
Më 13 qershor ’44 Batalioni i 3-të sulmoi në befasi një njësi armike në Grykën e Këlcyrës, në kohën kur ishin duke ndarë dhe ngrënë darkën. Armiku i çoroditur e në panik la në këtë luftim të papritur mjaftë të vrarë e të plagosur, ndërsa nga ana jonë nuk pati dëmtime. I tërbuar nga humbjet e njëpasnjëshme, armiku kundërsulmoi forcat e Brigadës së 8-të me forca të shumta nga Gjirokastra. Prej datës 17-26 qershor 1944 për afro dhjetë ditë u zhvilluan luftime të ashpra në Lunxhëri, Çajup, Pogon e Zagori. Në kodrat e Çajupit ra mitralieri trim nga Mallakastra, Imer Xhaferi dhe u plagos partizania Keno Çarçani. Në këto luftime, Brigada bëri një tërheqje taktike në malin e Dhëmbelit. Atje u riorganizua dhe më 30.06.1944 sulmoi përsëri gjermanët në Zagorie, të cilët u detyruan të tërhiqen në Gjirokastër, duke lënë mbi 20 të vrarë e të plagosur.
Më 19.7.44 Brigada sulmoi sërish armikun në Gjirokastër. Batalioni i 3-të sulmoi natën në befasi duke i shkaktuar armikut humbje të shumta në njerëz e mjete, ndërsa nga forcat partizane ra heroikisht zv/komisari i kompansië Hito Gaçe dhe u plagos partizani Ollav Dhame.
Në Gusht ’44 Brigada e 8-të mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për të çliruar Konispolin. Luftimet u zhvilluan të ashpra dhe pas 48 orësh (më 28 gusht ’44) Konispoli u çlirua. Armiku la më se 10 të vrarë, dhjetra të plagosur; U zunë 21 robër, mbi 17 pushkë e dy mitralozë të lehtë. Ndërkohë u plagos skuadërkomandanti Fejzo Rexhepi nga Mallakastra, u vranë katër partizanë, ndër të cilët edhe komandanti trim i Kompanisë së 3-të Razo Zeneli. Kjo brigadë ka luftuar për çlirimin e qyteteve të Gjirokastrës, Beratit, Lushnjës dhe Tiranës, si dhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë, duke dhënë një kontribut të madh edhe në çlirimin e viseve kosovare.
Pas çlirimit të Tiranës, Brigada e 8-të S, me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm marshoi së bashku me forcat e Brigadës së 6-të në tokat e ish-Jugosllavisë, në ndjekje të pushtuesit. Gjatë luftimeve të atjeshme ranë heroikisht Heroi i Popullit Thidhori Mastora dhe komisari trim i batalionit të 3-të, Pano Xhixho.
Brigada e 8-të Sulmuese ka lënë në fushën e luftimeve kundër armikut 148 dëshmorë dhe rreth 176 të plagosur, nga këto tre shoqe partizane.
Emrat e dëshmorëve të kësaj brigade, të shokëve dhe shoqeve të armëve, të cilët dhanë jetën për atdheun në moshën më të bukur, janë shkruar me shkronja të arta në panteonin e kombit shqiptar.