Studjuesi Beqir Shehu vjen me një monografi interesante në 155 vjetorin e lindjes të patriotit kaladodas

• Veprimtaria e Qazim Likës, si luftëtar i paepur në luftrat për liri e pavarësi në çerekun e parë të shekullit 20-të, përveçse në këngë e në kujtimet e bashkëluftëtarëve, është pasqyruar edhe në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimet e figurave më të shquara atdhetare shqiptare të kohës si, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletinin, Dervish Hima, Sotir Gjika, Nexhip Draga e shumë të tjerë, por edhe nga konsuj e deri kryetarë shtetesh, si konsulli Halla në Shkodër e ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, baroni Stefan Braun, kryeministri serb Nikolla Pashiq, etj

Nga Beqir SHEHU

Qazim Maliq Lika lindi më 1869 në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës, në një familje të fisit Daku, ardhur nga Radomira. Qazimi ishte i dyti në radhë, i katër vëllezërve të mbetur jetim, me vdekjen e Maliqit, babait të tyre. Që në moshë të re, u detyrua të përballonte vështirësitë dhe problemet e familjes, që mbeti pa zot shtëpie. Në formimin e personalitetit të Qazim Likës, për t’u shquar dhe për të futur gjurin në sofrën e burrave, kanë ndikuar një varg ngjarjesh e zhvillimesh kohore.
Ai nuk qëndroi mënjanë ndaj tyre, por i përjetoi me një veprimtari të guximshme atdhetare, duke u vënë në drejtim të qëndresës popullore të një krahine me emër, siç ishte Kalaja e Dodës në fillimet e shekullit XX, vite kur ishin në lojë fatet e Shqipërisë.
Qazimi e kaloi fëmijërinë e rininë në fshatin e lindjes, Vasije, në atë mjedis natyror, ku njerëzit gëzojnë lirinë e fjalës dhe të veprimit. Edhe pse nuk pati mundësi për t’u shkolluar dhe i rritur jetim, në sajë të kujdesit të nënës, Selvishahes,një nënëmadhe e vërtetë dhe djalit të hallës së tij, Haxhi Rexhep Lamallarit, i përmendur në Kala të Dodës për dije, kulturë e mirësi, Qazimi përthithi vetitë më karakteristike të mjedisit ku u rrit – besnikërinë, trimërinë, bujarinë, të cilat, ngjizur me mençurinë, krenarinë e vendosmërinë, që i kishte në gen, bënë t’i dëgjohej zëri jo vetëm në katund e në krahinë, por edhe në tryezat e diplomacisë së kohës.
Portretin fiziko-moral e kulturor, si dhe mpersonalitetin e veprimtarinë e tij, na i ka dhënë Tafil Boletini në librin “Pranë Isa Boletinit” (Kujtime), kur me shpurën e atdhetarit Isa Boletini, në nëntor të vitit 1912, po udhëtonte drejt Vlorës, qëndruan dy netë edhe në kullën e Qazim Likës. “Nga Ujmishti, -tregon Tafil Boletini: -Po me atë pari kemi dalë në Kala të Dodës. Bëmë konak te Qazim Lika, e njoftëm për burrë trim, fizikisht mjaft i zhvilluem, i zgjuet e gojëtar, por edhe në shpijë i rregullushëm, si me qenë qytetar!
Qazim Lika, si kryetar çete, i ka pas tronditur ato krahina, deri në fushën e Xhevxhelisë. Veprimtaria e Qazim Likës, si luftëtar i paepur në luftrat për liri e pavarësi në çerekun e parë të shekullit 20-të, përveçse në këngë e në kujtimet e bashkëluftëtarëve, është pasqyruar edhe në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimet e figurave më të shquara atdhetare shqiptare të kohës si, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletinin, Dervish Hima, Sotir Gjika, Nexhip Draga e shumë të tjerë, por edhe nga konsuj e deri kryetarë shtetesh, si konsulli Halla në Shkodër e ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, baroni Stefan Braun, kryeministri serb Nikolla Pashiq, etj.
Në këto dokumente dëshmohet se Qazim Lika, sëbashku me krerët më të njohur të krahinës së Kalasë së Dodës dhe të krahinave përqark Dibrës, Lumës e Opojës, ishte organizatori dhe drejtuesi kryesor në Kuvendet e Dheut, ku u lidh besa e u hartuan planet e organizimit luftarak për përballimin, si të hordhive turke, të cilat kërkonin të reformonin e të mbanin gjallë gërmadhën turke në çerekun e parë të shekullit XX-të, kur shqiptarët kërkonin pavarësi, por edhe në mbrojtjen e trojeve kombëtare nga sulmet pushtuese të monarkive ballkanike e në veçanti, asaj serbe, që kërkonte me çdo kusht daljen në Adriatik.
Qazim Lika udhëhoqi forcat e krahinës së Kalasë së Dodës në një varg betejash kundër forcave turke dhe atyre serbe si: Në vitin 1909, kundër forcave turke të Xhavit Pashës, duke e detyruar të vinte thembrat nga kishte vënë gishtërinjtë. Kundër taborreve të Turgut Pashës, më 1910, ku me gjithë qëndresën heroike të malësorëve, ishte e pamundur ndalimi i forcave të tij shkatërruese. Kundër hordhive të Kral Pjetrit, në betejën legjendë të Lumës në nëntor 1912 dhe veçanërisht, në kryengritjen antiserbe të shtatorit 1913, ku Qazim Lika udhëhiqte edhe forcat e Gorës e të Opojës, ku edhe u plagos rëndë dhe u zëvendësua nga trimi i Gorës, Nail Hyseni, etj.