Letër e Hasan Prishtinës dërguar Dërvish Himës dhe botuar në revistën “Arnaut” më 1910, që dilte në Stamboll. “Qazim Lika është një nga krerët më të shquar të Lumës dhe u ka rezistue tundimeve të Esat Pashës për ta ba për vete”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Baroni Stefan Burjan, i kërkon konsullit Halla në Shkodër intervencion për Qazim Likën.
“Bashkangjitur ju transmetoj një lutje të farefisit të një shqiptari, të quajturit Qazim Lika, referuar juve si referencë. Ju lutem që sëbashku me kthimin e lutjes, të raportoni këtu çfarë dini për Qazim Likën?” (Fondi i arkivit të Vjenës, Dosja, 26-9-1916).
Përgjigjja:
“Në konformitet me urdhërin e sipër shënuar dhe së bashku me kthimin e lutjes së nënës së Qazim Likës, të datës 15 shkurt të vitit në vazhdim, kam nderin t’u njoftoj Shkëlqesisë suaj, se Qazim Likën unë e kam njohur vitin e kaluar në Shkodër. Qazim Lika kishte lidhje miqësore me Hasan Prishtinën, të cilin ai e ndihmoi dhe me rastin e aksionit të tij, kundër serbëve dhe kështu më kishte rekomanduar tepër prej tij. Ai ishte një nga krerët më të shquar të Lumës dhe u ka rezistuar tundimeve të Esat Pashës, për ta bërë për vete. Arsyeja e arrestimit të tij në Selanik, nuk dihet prej meje.” (Shkodër 19 maj 1916.Nr.572 A.) Konsulli, p. dhe mb. Halla.
Dokumenti më me vlerë, ku pasqyrohet veprimtaria atdhetare e Qazim Likës si udhëheqës popullor në dhjetëra beteja kundër pashallarëve turq e pushtuesve serbë, por edhe si një burrë i mençur në kuvende dhe gjykues i ngjarjeve e njohës i zhvillimeve taktike e strategjike të betejave, ku kishte udhëhequr duke dhënë mendime shumë bindëse për shkaqet e humbjeve, apo të fitoreve të tyre, është intervista e gazetarit të gazetës “Shqypja e Shqypnis”, Sotir Gjika në Athinë, më 21 janar 1911, botuar në këtë gazetë të Josif Bagerit, datë 26 shkurt 1911.2 Në letrën përcjellëse të kësaj interviste, dërguar Josif Bagerit, nga Sotir Gjika, thuhet: “Këtu në këtë qytet, në Athinë, pata fatin e mire të ndeshem me zotni Qazim Lika, i cili asht nji kryetar i gjindjes së Lumës, që nën kryetarinë e këtij kapedani, mori pjesë vitin që kaloi në luftrat e rrepta me bylikët e Turgut Pashës në Shqipërinë e Veriut. Qazim Lika më priti vllaznisht dhe më kallëzoi mjaft çkoqitur e bukur për shumë punë. Ky zotëri ndër shumë të tjera fjalëve, që më tha, më ktheu kujtesën më shumë për këto luftra.”. (Josif Bageri, gazeta, “Shqipja e Shqipnisë”, 26 shkurt 1911).
“Kur e pyeta këtë dashamirë se a mundet me u ngrit tanë Shqipënia”- shkruan gazetari Sotir Gjika. – Ky më tha se:- s’ka nevojë për me u ngrit tan Shqipënia, po vetëm ata që rrokin hutat me luftue kundër armikut, të kenë vllazëri e bashkim…
-U thashë: – zotni, se mosbindja ndaj njani- tjetrit e pakryesia, na ka prish fort, e jo tjetër. Na jemi mjaft trima dhe vendi na ndihmon bukur për me ndenjë kundra armikut. Sikur të më vinte një ndihmë vllaznore kur luftoja në qarkun e Lumës, besa – besë u thom or vlla, se nuk do ta lija Turgut Pashën ta shkelte Lumën dhe malësinë e Dibrës.”
“Po si munde me hy këtu në Greki, zotni Qazim Lika”? – e pyet gazetari.
“Zotni, munda me hy këtu në Greki me shumë mundime. Para dy javësh u ndesha në Pire me zotninë Qemal Begun (Ismail Qemalin), të cilin e luta me më dhënë pak men, se i hupa… Zotni Qemal Bej mu zotue se mbasi të mbërrinte shëndoshë e mirë në Stamboll,e pasi të merret vesh me zotnijtë: Myfit Begu (Mufit Libohova), Hasan bej Prishtinën dhe Nexhip bej Dragën, do t’më shkruejn se qysh të baj; dhe kështu tani po pres letër prej Ismail Qemal begut këtu në Athinë, që t’më udhëzojë se si t’punoj e kur të shkojë”.
Gazeta “Besa Shqiptare”, shkruan: “…Më 1913, Qazim Lika ka shkëmbyer mendime me letra nëpërmjet ndërlidhësit Halil Shira, bashkëfshatari i tij nga Vasijet, me kryetarin e Qeverisë së Vlorës,”- cituar në “Dibra dhe etnokultura e saj”, II,Tetovë 1996. Duke folur për kryengritjen e shtatorit 1913, konsulli austro-hungarez në Prizren, me telegramin nr. 28, datë 29.09.1913, njoftonte qeverinë e tij se: “Shqiptarët nën udhëheqjen e Qazim Likës, pas luftimeve të gjata, i kanë thyer serbët në Kolesjan, Vasije e deri afër Bicajt… e sot kanë arritur deri në Prizren… janë afërsisht 50 serbë të plagosur“. (Arkivi i Vjenës në Institutin e Historisë”, Tiranë).
Disa vargje të një kënge për Qazim Likën në kryengritjen e vitit 1913.
(Këndohet në Vasije, në fshatin e tij).
“..Gjimon Dragashi e Pllaima/ kjo Nahija plot me traima/Prizerenin kush e kalli/ Qazim Lika, bajraktari/ Qazim Lika e Beram Gjana/ bajnë hoxhum si dy asllana.”
Në Historinë e Shqipërisë, pjesa e tretë, 1977, f.430, shkruhet: “Kryengritja qysh në fillim përfshiu rrethin e Lumës. Kryengritësit e drejtuar nga Ramadan Zaskoci e Qazim Lika, e çliruan këtë krahinë dhe iu afruan Prizrenit. Kryengritësit u hodhën në sulm edhe drejt Gjakovës, por nuk mundën të hynë në qytet.”
Në fillim të vitit 1913, qeveria serbe e Pashiqit kishte nxjerrë në listat e zeza për likujdimin e prijësave Elez Isufin, Qazim Likën dhe Ramadan Zaskocin, duke paguar për kokat e tyre nga 1000 deri në 1200 dinarë. Në përgjigjen e Nikolla Pashiqit, dërguar majorit Leovac, datë 8 korrik 1913, thuhet: “Meqë këta njerëz janë të njohur edhe si kriminelë e hajdutë, ndaj tyre duhet vepruar sipas ligjit dhe nëse duhen para për eliminimin e tyre, këto të merren nga fondet ushtarake”
Duke u bazuar në citimet e mësipërme, mund të shprehim se: Qazim Lika, përveçse ishte një udhëheqës popullor e luftëtar trim, ishte njëherësh edhe burrë i mençur dhe një luftëtar i përkushtuar e vizionar për të ardhmen e Shqipërisë. Në këto dëshmi të padyshimta, bindemi se formimi patriotik i Qazim Likës, nuk i përket vetëm familjes e rrethit fisnor e krahinor të tij, por është edhe rezultat i ndikimit, që kanë pasur në formimin e personalitetit të tij, figurat me të shquara atdhetare shqiptare të kohës si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Buletini, Nexhip Draga, Dërvish Hima e shumë veprimtarë të tjerë të çështjes sonë kombëtare. Miqësia më këta burra mendjendritur, u lidh në mjedise kuvendesh dhe betejash, aty ku vendoseshin fatet e atdheut.
Përkushtimi i tij ishte vënia në shërbim të çështjes kombëtare, jo vetëm e pasurisë, por edhe e jetës e familjes së tij. Le të jetë ky portret, një lule në varrin e humbur të këtij luftëtari të paepur të çështjes tone kombëtare, që nuk kurseu as jetën për mbrojtjen e realizimin e saj.