SHPENDI TOPOLLAJ

Në historinë e Shqipërisë të pas Skënderbeut, figura e Ali Pashë Tepelenës, të mbiquajur “Luani i Janinës”, mund të themi pa asnjë dyshim, se ka qenë më e përfolura dhe e shoqëruar me vlerësime të autorëve vendas e të huaj, por edhe nga çka na ka mbërritur nga trashëgimia jonë gojore, nga më kontradiktoret. Sido që të jetë, qofshin ata që e kanë parë atë me anët e tij të mira, si trim, të mençur, largpamës, burrështetas autoritar, që duke udhëhequr me dorë të hekurt pashallëkun e tij, i bëri karshillëk edhe vetë Portës së Madhe, apo dhe ata që kanë parë tek ai, sundimtarin e egër mizor, gjakatar, dinak e hakmarrës, nga i cili dridhej edhe foshnja në bark të nënës, në një pikë kanë qenë në një mendje: se nuk mund të kuptohet historia jonë, pa veprën e tij, të shtrirë në një periudhë prej rreth tre dekada e gjysmë. Pikërisht për hir të këtyre cilësive që vështirë të ndërthuren te një njeri i vetëm, ai ka tërhequr interesin e politikanëve, diplomatëve, strategëve, shkrimtarëve dhe historianëve të ndryshëm. Dhe gjithmonë, librat për të, janë përpirë nga lexuesit e të gjitha kategorive. Por, ai që nuk u lodh duke hulumtuar, duke shkruar e duke botuar për të është Profesor doktori i respektuar Irakli Koçollari. Duke hedhur vështrimin qysh nga viti 1998 kur nisën botimet e librave të tij për tepelenasin emërmadh, që arritën kulmin me dyvolumshin “Policia Sekrete e Ali Pashës” dhe tre volumet me korrespondencën dhe dorëshkrimet e tij, e deri te ky që na bije tani në dorë me plot 800 faqe, botim dinjitoz i ONUFRIT, mund të themi se puna dhe këmbëngulja e tij do të qe e denjë edhe për vetë Irakliun e mitologjisë, i cili për tu ngjitur në Olimp përmbushi heroikisht, plot 12 stërmundime. Koha kur Aliu jetoi dhe sundoi ishte e ngarkuar me ngjarje nga më të çuditshmet që shpesh merrnin kthesa të papritura dhe që përherë përfundonin me vrasje të pabesa që shkonin deri në kasaphanë. Por ishte edhe koha për të cilën britaniku Bagalli apo amerikani Koliopulos konkludonin se shqiptarët u bënë “djepi që përkundi këtë lëvizje që shërbeu si pararendëse e lëvizjeve të armatosura për pavarësinë e Ballkanit”. Përpara se të mbërrijë tek “Alipashaida” e Haxhi Shehretit, pra tek ajo që me të drejtë do të konsiderohej jo vetëm “Iliada” shqiptare, por edhe pararendësja e poezisë shqipe, autori ka preferuar ta përgatisë lexuesin si me studimet dhe analizat e tij të mençura, ashtu edhe me plot mendime të shfaqura nga personalitete tërësisht të besueshme dhe me autoritet, jo thjeshtë për kualitetet që kishin, pra për reputacionin e tyre, por edhe si njerëz që e kishin njohur nga afër atë. Por është e natyrshme që ai ti kushtojë një vëmendje të veçantë autorit të vetë poemës dhe ta paraqesë atë jo vetëm me një kulturë superiore dhe besnik të Aliut, por si jetëshkruesin më autentik, për të mos thënë edhe kronologjik, pasi i shërbeu atij për 60 vite me radhë, tashmë në vargje, të atyre ngjarjeve dhe bëmave të tij që e bënë të pavdekshëm. Haxhi Shehreti ishte diplomati që përfaqsonte dhe mbronte interesat e Aliut në oborrin e Sulltanit. Ai kishte lidhje dhe gëzonte miqësinë e shumë njerëzve të shquar, si p.sh. Elxhini i famshëm dhe fjala e tij dëgjohej me shumë respekt.
Mjaft të shohësh informacionet dhe propozimet që ai i bënte Ali Pashës, dhe do të bindesh se ai ishte nga më konfidentët e tij. Sa sundoi, Aliu i dha rëndësi të madhe arsimit, dhe për këtë dëshmon ajo që na kumton Fred Dagllasi që thotë (perifrazoj) se ai për arsimin dhe mësimin e gjuhës ka pikëpamjet e tij gjithëpërfshirëse dhe të thella, duke sugjeruar një institucion të madh (universitet), nën kujdesin e Psalidhës, më të diturin e Greqisë të cilin sipas Panajoti Avrantinoit e porosiste që ta mësonte siç duhet rininë dhe tu jepte shembuj të mirë se do të kishte tërë përkrahjen e tij. Dhe shton: “Këtu çdo gjuhë moderne ka mësuesin e saj. Pastërtia e diksionit, përhapja e mësimdhënies dhe e njohurive mbi botën që ndryshojnë shoqërinë e tij, e bëjnë Janinën, Athinën e Greqisë moderne”. Dhe nuk është për tu çuditur kur lexojmë historianin britanik Finlay i cili tregon se “Fëmijët e shqiptarëve myslimanë, mund ti shohësh në të njëjtën paradhomë duke lexuar Kuranin me një osmanlli të shkolluar, ndërkohë që në dhomën tjetër një djalosh kristian i së njëjtës moshë mund ta shikosh duke mësuar shkrim greqisht me një prift grek”. Ja pse në Janinë veç teologjisë, mësohej edhe fizika, kimia, matematika dhe arsimi ishte i lirë, i pavarur dhe krijues. Në të tillë klimë është e kuptueshme, përse Ali Pasha, zgjidhte për ti mbajtur pranë në punët e shtetit, njerëz si Haxhi Shehreti. Dhe në apollogjinë që Irakliu i bën talentit të këtij poeti, me mjaft finesë e gjithmonë me argumente, brenda të cilave ka një llogjikë të paqortueshme, ka ditur të debatojë apo kundërshtojë ndonjë qëndrim dyshues si ai i konsullit symprehtë Martin Ëilliam Leake që e quan pararendës të albanologjisë, i cili teksa aludonte për anën artistike të kësaj vepre, prej nga duhet të ketë marrë materialin kryesor për librin e tij “Biografia e Ali Pashës”, shprehet se “poezia e krijuar në një vend të prapambetur tenton të bjerë në prozaizëm”. Po kështu, u është përgjigjur ai, atyre historianëve grekë dashakeqës që kanë synuar tia ulin rëndësinë dhe vërtetësinë veprës madhore të “myslimanit” delvinjot Haxhi Shehreti. Këtyre të fundit, ai u kujton konstatimin objektiv e të guximshëm të Aristidh Koljas që shkruante: “Imagjinoni si do të konsiderohej në letërsinë greke Shehreti në se ai do të ishte i krishterë dhe do të lëvdonte betejat e suljotëve kundër Ali Pashës. Një poemë në 10.000 vargje e shkruar në vitin 1800 do të mbetej origjinale, unike dhe pa një të dytë në llojin e saj”. Koçollari nga ana e tij i ka bërë poemës së Shehretit jo një përkthim, por shqipërim sa korrekt aq edhe artistik. Si e tillë, të duket se më mirë në gjuhën tonë nuk do ta kishte shkruar as vetë autori i saj i dy shekujve më parë. E ndarë në kapituj sipas ngjarjeve, ai ka ditur të ruajë si metrikën, ku kam parasysh strukturën dymbëdhjetë rrokëshe të vargut, rimën e puthur oksitone, figuracionin e tingëllimin muzikal, ashtu dhe atmosferën e kohës. Ja si na parqitet vetë Pashai në madhështinë e tij: “Të gëzuar gjithë njerëzia anë e mbanë në vilajete / Vijnë përulen Ali Pashës, plot para nëpër sepete. / Ditë pas ditë Ali Pashës famën, zulmet ku sia gjen / Emri i tij njihet dynjasë nga India në Jemen, / Dhe në shtatë Ishujt e Jonit i dëgjohet soji, fara / Dhe askush në ato anë nuk guxon ti dalë përpara”. Dhe duhet pranuar se nuk ishte as prejardhja nga gjyshi dizdar i Tepelenës, as nga i ati pasha që u vra kur ai qe ende i vogël, as se e ëma Esmiha Hanëmi vinte nga Zenelbenjllitë e Konicës apo se ajo pasi u rrëmbye me të bijën nga Kardhiqotët kur kishte shkuar të mblidhte taksat, dhe u keqtrajtua prej tyre, i la amanet atij që të hakmerrej, shkaqet që ai arriti aq lart. Duke ditur se ai nuk ishte as i shkolluar si duhet, llogjika ta do të thuash se Ali Pasha u bë ai që njohu Evropa mbarë, së pari, falë cilësive të tij të rralla. Prandaj, të gjitha lavdërimet që Shehreti formulon për të, janë mëse të merituara dhe në të gjithë shtrirjen e poemës, nuk ka vend të mendosh për egzagjerime, simpatira personale apo ditirambe nga ato të Arionit e Pindarit ( shek. VII - V p.e.r.). Shkollë nuk kishte as Genghis Khani, i mbi 800 viteve më parë, por çdo vit shkojnë e falen mongolët tek ajo statuja e tij 40 metra e lartë, në Tsonjin - Boldog në breg të lumit Tola, pranë Ulanbaturit. Kurse ne, spara qederosemi për ti bërë homazhe Ali Pashait tonë të cilin Bajroni e quante “kapedan të pavarur, figura e tretë historike pas Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut”, tek ajo statuja e tij në Tepelenë edhe pse ai për vite me radhë iu kundërvu hapur Sulltanit, duke synuar pavarësinë, çka del qartë edhe te letra që i dërgon Shehretit në Prill të 1813, ku i thotë troç se “... nëse nuk më do Sulltani që të jem i gjallë në këtë dynja, le të bëhet çtë dojë, unë do tia dal...”. Dhe ashtu u bë, gjersa në 24 Janar të 1822 në pabesi, pas një viti e gjysmë rezistence ndaj 50.000 ushtarëve armiq dhe i braktisur, iu pre koka, duke mbetur njëri nga shqiptarët e vetëm me dy varre, një në Kastros të Janinës e tjetri në Stamboll te Porta e Silirvisë. U nda më dysh, ai për të cilin Aleksandër Duma flet me aq admirim, dhe i madhi Viktor Hygo thosh: “Ali Pasha rri përballë Bonapartit, si tigri me luanin, ata ngjajnë me njëri - tjetrin si dy pika uji, sepse të dy e filluan karrierën nga hiçi dhe u ngjitën deri në majat e perandorëve”. Në librin e tij, Irakliu na tregon se janë të paktën tri poema kushtuar Aliut, por ndërsa njëra që konfirmohet nga Aravantinos, nuk gjendet, tjetra e artikuluar nga shqiptari plak emigrant në Greqi, Jani Paguni dhe sjellë nga Emile Legrandi dhe që quhet “Vaje për Ali për Pashën”, në dialektin epirot, mbetet anonime. E megjithatë, ai arsyeton se edhe ajo, në të gjithë treguesit është vazhdim i veprës së Haxhi Shehretit. Ma do mendja se kështu do të mendojë kushdo lexues kur ti ballafaqojë ato. Pavarësisht kësaj, autori i këtij libri impresionues duhet falenderuar edhe për këmbënguljen e ndjekjes së rrugëtimit të këtyre krijimtarive kaq të rëndësishme letrare të asaj kohe plot trazira. Me jetën e ndershme dhe mbylljen e saj në varfëri, duke u ndalur vetëm te shembulli i kërkesës së llogarisë ndaj argjendarit Haçaturian për zbukurimin e armëve të Pashait me diamante, figura e Haxhi Shehretit mbetet një shembull i vyer për të gjithë ne sot, që përjetojmë korrupsionin që shkatërron shtetin. Po ashtu, të shkruarit si një intelektual i shquar atdhetar, nga ana e akademikut Irakli Koçollari jep edhe shembullin që duhet ndjekur nga politikanët tanë, të cilët pa asnjë detyrim e kanë dorëzuar te të huajt sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë tonë, asaj Shqipërie për popullin e të cilit miku i Bajronit, John Hobhouse shkruante se: “Tek i gjithë ky popull ekziston një shpirt indipendence dhe dashurie për vendin e tyre… Kështu, kur pyet banorët e provincave të tjera se çfarë është ai, ata do të përgjigjen “unë jam mysliman” ose “unë jam kristian”. Ndërsa po të pyesësh një banor të këtij vendi (Shqipërisë), se çfarë është ai, ai do të përgjigjet – “Unë jam shqiptar”. Në përfundim, nuk mund të mos theksoj se Prof. dr. Irakliu me këtë vepër ka vërtetuar më së miri fjalët e francezit Alphonse de Lamartine i cili thosh për të parët tanë: “Ata kanë një shpirt poetik, ashtu sikurse edhe zakonet e tyre. Këngët popullore… të kujtojnë këngët homerike shumë më mirë se sa këngët e plogështa të Greqisë moderne. Ato pleksin, sikurse Akili, poezinë, vallen me luftën…”. E mbaron së lexuari këtë libër dhe ai tingëllimi i atij vajtimit për vdekjen e Ali Pashës, të ndjek pas. I rënë duke luftuar, ai të kujton Imam Aliun që i vrarë së bashku me të birin, Hasanin, nga Muavija i Sirisë në 661, së bashku me Perëndinë dhe Profetin Muhamet, konsiderohet trinia e shenjtë e bektashinjve. Kështu e pati quajtur Ali Pashanë tonë edhe Bajroni. I tillë del ai edhe në tërë krijimet letraro – historike të Prof. dr. Irakli Koçollarit, me gjithë virtytet dhe veset që impononte ajo kohë e trazuar.