(Homazh dhe mirënjohje me rastin e 80 vjetorit të ekzekutimit nga pushtuesit fashistë në fshatin Vajzë të Vlorës, të Këze Shahin Sulçaj (28.5.1898 – 25.12.1943) dhe Pesare Xhezo Kërroçaj (22.3.1906 – 30.1.1944), heroinave labe që u ekzekutua nga nazifashistët gjermanë gjatë LANÇ-it)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Gratë shqiptare përgjatë shekujve të mbijetesës nga pushtuesit kanë luftuar krah për krah burrave, kanë qenë burim frymëzimi për trimëri e mençuri nëpër breza. Ata kanë qenë nëna që kanë lindur trimërinë në djepe dhe kanë përkundur ëndërrat e lirisë së truallit arbëror. Gratë shqiptare që shkruan lavdi me gjakun e tyre janë të shumta në të gjitha betejat, por veçanërisht përgjatë LANÇ-it në rreshtat partizane u rreshtuan qindra gra e vajza në formacionet luftarake, pa llogaritur qindra mijëra të tjera që mbështetën luftën me ushqime, veshmbathje e transportim armësh e mundicionesh në drejtim të frontit. Historiku i fshatit Vajzë njeh dy shembuj sinjifikativ të kontributit të dy grave heroina të këtij fshati në të cilin shkruhet respektivisht: “Këze Shahin Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, u vra nga nazistët gjermanë në afërsi të shtëpisë së saj më 28.12.1943. Ajo kujdesej shumë për partizanët dhe me çka i ndodhej i ushqente. Të dy djemtë e saj ishin në luftë në formacionet partizane. Ajo gjithçka e kishte vënë në shërbim të luftës (Këze Shahin Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, ishte me origjinë nga fshati Beçisht i Tepelenës; Historikut të fshatit Vajzë, 1981, f.141 dhe Historikut të vitit 2023, faqe 157); ndërsa rasti i dytë: “Pesare Xhezo Kërroçaj, ka qenë një grua fshatare e varfër, e cila me sa mundësi që kishte dhe me çfarë i ndodhej në shtëpinë e saj jepte kontributin e saj për luftën pa u kursyer. Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kapën Pesaren duke u larguar nga një kasolle dhe e pushkatuan me preteksin se ajo ndihmonte partizanët me ushqime, strehime etj”. (sipas Historikut të fshatit Vajzë, 1981, f. 143, dhe Historikut të vitit 2023, faqe 158).
Jeta dhe aktiviteti i të pushkatuarve të fshatit Vajzë është trajtuar në dekada si pjesë e krenarisë së fshati të martirizuar përgjatë luftës, fshat që për mbështetjen që i dha formacioneve çlirimtare ishte djegur tre herë nga fashizmi. Gratë e pushkatuara kishin tipare të përbashkëta të gruas qëndrestare dhe kundërshtuese të pushtimit.
Këze Shahin Sulçaj, që ishte edhe nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, kishte lindur në Beçisht të Tepelenës më 28.5.1898, ndërsa Pesare Xhezo Kërroçaj ishte lindur në fshatin Vajzë të Vlorës më 22.3.1906. Vajzëria e tyre ishte një periudhë të pamundësisë për ta jetuar periudhën e fëmijërisë pasi fshatrat e tyre përngjanin për nga jetesa e vështirë ekonomike, megjithëse atyre nuk u trembej syri para asnjë vështirësie. Ato ishin rritur me halle dhe hallet nuk ju ndanë edhe kur u bënë nëna. Në Labëri thonë: “dardha bie nën dardhë”.
Oxhaku i familjar i kishte mëkuar që në vajzëri me dashurinë për atdheun dhe urrrejtjen ndaj pushtuesve. Të dyja ishin gra trimëresha, pasi nuk i mposhti as kërcënimet e fashistëve dhe as vdekja. Jetuan në familje të varfër, por krenare dhe me vlerat e larta njerëzore e atdhetare. Ato u bashkuan me gjithë gratë antifashiste të fshatit Vajzë dhe ndihmonin me luftën çlirimtare me gjithçka mundeshin. Ishte nëna e gra të zgjuara, të gojës, si dhe të patrembura nga vështirësitë e jetës, dhe i shikoje shpesh që të kuvendonin edhe me burrat e fshatit për problemet themelore dhe më të mprehta të fshatit në kohë pushtimi.
Pesarja është kapur nga fashistët dhe bashkëpuntorët në janar 1944-ës pranë shtëpisë së saj dhe megjithë përpjekjet që bëri për t’u shpëtuar fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, nuk i shpëtoi ndëshkimit fashist të breshërisë së plumbave. Kriminelët nazistë që erdhën në Shqipëri si “kalimtarë” të mbështetur edhe nga disa bashkëpunëtorë kishin mbritur edhe në zonat “problematike”, që rrebelimin ndaj pushtuesve e kishin në gjak. Që të dy gratë sikuirse gjithë nënat në fshatin Vajzë, Këzja dhe Pesarja njiheshin si strehuese e forcave partizanëve dhe aktiviste tepër aktive për mbështetjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Për qëndrimin e saj të vendosur pro LANÇ-it dhe duke mos mundur që ta detyronin të tregonte bazat partizane dhe mbështetësit e luftës partizane e pushkatuan në oborrin e shtëpisë në fshatin e saj në Vajzë të Vlorës. Akti i saj si dhe qëndrimi i palëkundur trimëror edhe përpara pushkatimit ishte një burim frymëzimi i një nëne heroinë për brezat, për atdhedashurinë dhe papërkulshmërinë edhe në situatat më kërcënuese për jetën edhe në momentet kur i morën jetën me vdekje skuadra naziste e pushkatimit. Breshëria e automatikut ja preu jetën në mes, në moshën 38 vjeçare,
Pesare Kërroçaj një nënë e fortë labe me vityte të larta atdhetarie në mesditën e 30 janarit 1944. Shembulli i saj u bë burim frymëzimi për gjithë vajzat e gratë e fshatit Vajzë dhe mbarë krahinës në mbështetje të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pushkatimi i Pesare Kërroçaj me preteksin se ndihmonte partizanët dhe e kishte kthyer shtëpinë në bazë për mbështetje për partizanët, nuk i trembi dhe nuk i stepi bashkëfshataret e saj, nënat dhe vajzat e fshatit të Vajzës, që ishin bërë mbështetje e fuqishme për luftën antifashiste në fshat dhe në mbarë krahinën.
Fakt është se në gati gjysëmshekulli Pesare Xhezo Kërroçaj është trajtuar si dëshmore edhe pse nuk i ishte akorduar titulli me vendim juridik, kur në fakt e kishte merituar prej kohësh. Në radhët e librit të ish Zëvendësministrit të Mbrojtjes Popullore, ushtarakut madhor Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë”, (Shtëpia botuese, “Arbri”, Tiranë, 2002,) në faqen 271-272 ka një gjykim e sugjerim si amanet brezash: “Ökupatori nazifashist në bashkëpunim me tradhtarët, në çdo operacion që ndërmori bëri terror në popull. Ata kapën e pushkatonin gra e fëmijë të pafajshëm. Krime të tilla bënë edhe në Vajzë duke kapur e pushkatuar pa gjyq nëntë vetë, midis tyre edhe dy gra. Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre viktimave në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre etj, ata me të drejtë duhen quajtur dëshmorë të LANÇ-it dhe jo viktima. Ky problem mbetet i hapur edhe në organet kompetente dhe mund e duhet të shikohen në të ardhmen… ligjërisht ky problem nuk zgjidhur ende”. Por populli ynë ka një maksimë proverbiale që thotë se, “e drejta zhytet por nuk mbytet”.
Këze Sulçaj dhe Pesare Kërroçaj ranë nga breshëria e plumbave të falangave fashiste. Ato ranë në fushën e nderit për të mos u harruar dhe për të mos vdekur. Ato ngelën në kujtimet e fshatit Vajzë, të krahinës, ndërkohë që kryeplaku dhe pleqësia e fshatit Vajzë e ka evidencuar si një ndër dëshmorët që plotëson kriteret ligjore, bazuar në ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, Pika “d” në të cilën thuhet që: shpallen Dëshmorë të Atdheut “shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrjen në formacionet luftarake të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, si dhe të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945”. Është mëse e natyrshme se ligji ka hapur dritën jeshile që Këze Sulçaj dhe Pesare Kërroçaj, të shpallen me titullin “Dëshmor i Atdheut” bazuar në kriteret ligjore. Propozimi për herë të parë për ti shpallur dëshmore është bërë në vitin 1989 – 1990, por me kalimin në sistemin e ri demokratik, dokumentacioni ngeli i paplotësuar në ish-Komitetin Ekzekutiv të Këshillit popullor të rrethit të Vlorës. Prishja e sistemit e shtyu procesin e përgatitjes së dokumentacionit në pothuaj mbi një çerek shekulli.
Gratë dhe vajzat në fshatin Vajzë, në Labëri dhe në të gjithë Shqipërinë, u afirmuan si luftëtare të lirisë dhe progresit shoqëror e politik me aktivitetin dhe shembullin e tyre, edhe në zonat më të thella të vendit. Ashtu si bashkëluftëtarët e tyre në formacionet partizane, ato i rezistuan faktorëve të rrezikut në luftë, i rezistuan vështirësive të terrenit natyror e të motit, i rezistuan urisë dhe pagjumësisë, i rezistuan torturave e plagëve të marra në luftë, u përballën me burgjet fashiste dhe kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë, u përballën me dhimbjen e ndarjes nga jeta të njerëzve të tyre të afërt dhe luftëtarëve të çetave, batalioneve e brigadave partizane. Shembulli më sinjifikativ janë edhe ekzekutimi i dy grave të ekzekutuara nga fashistët në fshatin Vajzë të Këze Sulçaj dhe Pesare Kërroçaj.
Shembulli i kontributit të këtyre grave, luftëtare të lirisë, dëshmore e heroina duhet të njihet, respektohet dhe të mbrohet nga brezat, si modeli luftarak i qëndresës për ekzistencën e mëvetësinë e shtetit dhe kombit. Krahas akteve të larta të trimërisë dhe të vetëmohimit të shumë grave e vajzave si, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Liri Gero, Margarita Tutulani, Shejnaze Juka, Mine Peza, Nimete Progonati, Zonja Çure, Qeriba Derri, Fato Berberi, Qybra Sokoli, Ylbere Belibashi, Shenjnaze Juka, etj., kishte edhe gra që u ekzekutuan si mbështetëse të fuqishme të kësaj lufte të madhe të shqiptarëve.
Gratë e fshatit Vajzë dhe të mbarë Labërisë sikurse gratë në mbarë shqiptarinë në Luftën Nacionalçlirimtare, ishin kontribuese reale të çlirimit kombëtar e shoqëror të saj. Lufta ishte në njëjtën kohë edhe një shkollë e madhe për emancipimin shpirtëror të gruas, ku në fakt gruaja shqiptare theu mjaft koncepte e praktika të vjetra dhe afirmoi veten e saj të denjë për një shoqëri të lirë dhe përparimtare.
Gjaku i grave të fshatit Vajzë, i Këzes dhe Pesares ishte gjaku që u derdh për lirinë e Shqipërisë dhe kombit shqiptar, prandaj edhe meriton vlerësim, nderim dhe mirënjohje në ditët tona dhe në brezat që do të vijnë.