Nga NURI BUFI

Fshati Velmish ndodhet në rrugën nacionale Fier-Berat, në kilometrin e 20- të në përbërje të njësisë bashkiake Roskovec. Pamja e këtij fshati është mjaft magjepsëse, është fshat që shtrihet në një terren kodrinoro -malor në formën e një harku si gjysmë hëne. Ky reliev me pjerrtësi të butë vazhdon deri në fushat e pjesës së lagjes Çiflik, duke e kthyer atë në një amfiteatër natyror.
Në gjysmën e pjerrësisë së kësaj kodrine ekziston një venburim i hershëm dhe për shumë kohë është shfrytëzuar si i pijshëm nga banorët vendas. Ishte paksa i ëmbël, shije të cilën sipas një legjende ia kishin bekuar zanat.
Në jug-lindje kodrat e Velmishit, pasohen me disa vargmale më të larta deri në malin e Shpiragut. Për gjatë këtij mali kishin ndërtuar foletë zanat. Zanat, kishin prishur marëdhëniet me fqinjin e tyre në lindje të Shpiragut, me Tomorrin. Ky i fundit, zanave u kishte ndaluar marrjen e ujit nga Osumi. Në këtë rast, zanat shfrytëzuan vargmalet në zbritje si shkallë për të shkuar në vendburimin e Velmishit.
Për ato, ky vendburim ishte i bekuar prej tyre.
Fshati Velmish në shekuj njihet i varfër ekonomikisht, por i pasur për nga mendësia, burrëria, trimëria dhe dashuria për atdheun. Era e patriotizmit në këtë fshat gëlon që nga periudha e hershme otomane dhe në vazhdim të okupimit të vendit nga pushtues të huaj. Banorët e fshatit Velmish kontributin më të madh e dhanë me pjesëmarrjen në lëvizjen gjatë epopesë së lavdishme të luftës antifashiste nacional- çlirimatre, kundër fashizmit gjerman dhe okupatorëve nacionalistë brenda dhe jashtë vendit. Ishin të shumtë djemtë dhe vajzat vullnetarë/e që iu bashkuan çetave partizane si Jagodin, Kurjan dhe Sinjë e Poshnje të Beratit.
Ata ishin të bindur në luftën e armatosur kundër pushtuesit të huaj si e vetmja rrugë e drejtë dhe që e rreshtonte popullin shqiptar në aleancën antifashiste, dhe më pas me formimin e Shtabit të Përgjithshëm të U.N.Ç.SH më 4 korrik 1943 në Labinot të Elbasanit. Këta burra, djem e vajza mbushën radhët e batalioneve e brigadave partizane.
Ishin këto formacione më të organizuara e të konsoliduara si shprehje e fuqishme e artit tonë ushtarak popullor, në luftën kundër okupatorit të huaj nazi-fashist si dhe grupe të tjera reaksionare.
Në ditët e para të muajit shtator 1943, forcat gjermane gjendeshin në juglindje të Beratit dhe Kuçovës dhe kishin forca të shumta në numër dhe arsenal të rëndë armatimesh. Në mëngjesin e 12 shtatorit, forcat armike kishin uzurpuar qytetin e Beratit. Ndërkohë nga Shtabi i Përgjithshëm i U.N.Ç.SH.-së, brigada e 7-të sulmuese kishte marrë detyrë luftarake për asgjësimin e forcave gjermane të përqëndruara në këtë qytet.
Dëshmi këto që vinë nga partizanët e brigadës 7- të të fshatit Velmish si Nexhip Xhaferri, Ceno Velmishi, Refit Driza si dhe nga Shaban Ramadani e Jonus Bufi të fshatit Strum, të cilët tregonin se dy batalionet e kësaj brigade morën detyrë të sulmonin armikun në rrethim në juglindje të Beratit dhe batalioni i 3 – të me komandant Zylyftar Veleshnja, do të bënin pritë rrugëdaljes së armikut në jug – perëndim të Beratit nga rrafshi lindor i Shpiragut deri në qafën e Sqepurit.
Në mesnatën e 12 shtatorit qyteti i Beratit u ndez flakë, luftimet qenë tejmase të ashpra deri në trup me trup.
Në këtë mesnatë armiku në tendencë tërheqje në veri perëndim të qytetit, u përballë me forcat partizane të batalionit të tretë që kishin bërë pritë, në këtë moment nga qafa e Sqepurit deri në dalje të Poshnjes.
Beteja e përgjakshme e tre batalioneve të brigadës 7 –të sulmuese, bëri të mundur çlirimin e Beratit në mëngjesin e 13 shtatorit 1943. Gjermanët të shpartalluar me gjithë dëmet që pësuan mundën të çajnë rrethimin në sajë të epërsisë së armatimit të rëndë, ku në ndihmë të tërheqjes iu kishte ardhur atë natë në të gdhirë të datës 13 shtator, një avion luftarak bombardues, ku la të vrarë mjaft partizanë të batalionit të 3-të dhe plagosi rëndë komandantin Zyluftar Veleshnja në qafën e Sqepurit. Midis partizanëve të rënë dëshmorë, ishin Bajram Bregu, Hamit Tabaku, Gani Muço, Qazim Madhi dhe Shaban Metani. Emrat e këtyre dëshmorëve janë skalitur në ngjyrë të argjentë për t’u përjetësuar pranë lapidarit në qendër të fshatit. Në çdo përvjetor kujtohen me nderim të thellë, duke u përulur përpara veprës së tyre që dhanë jetën dhe derdhën gjakun për lirinë e atdheut.
Në ditët e festave nga fshati Velmish marrim këto emocione.
Në hyrje të shkollës 9 vjeçare “Zylyftar Veleshnja” përballesh me lapidarin kushtuar pesë dëshmorëve të fshatit Velmish të sipërmendur. Kontaktojmë me drejtorin e kësaj shkolle, Gëzim Xhindi, i cili na informoi mbi operimin e mbarëvajtjen e mësimdhënies në këtë shkollë. Ambienti ishte befasues, ngjyra e fasadës së shkollës ishte në kontrast të plotë me dekorin e pemëve dhe luleve shumëngjyrëshe, që formonin një ylber ngjyrash nga një njëri skaj i shkollës deri te memoriali lapidar i dëshmorëve.
Në krye të këtij lapidari valvitej flamuri kuq e zi. Kontrasti i sipërmendur zbulonte sekretin e dyfishtë. Se shkolla veçse është një vatër mësimdhënie është dhe një vatër edukimi dhe frymëzimi nga etërit e martirët tanë. Sikur të na i kishin lexuar këto mendime, përtej nesh bashkë me cicërimat e zogjëve, shquheshin fortë tingujt e këngës nga nxënësit vogëlushë që merrte trajtën e kësaj poezie:

“Në shkollën tonë”
Ditë të bukura po kalojmë
Jo vetëm ambienti që na rrethon
Në bangën e shkollës po e mësojmë.
Ky ambient na drithëron.

Ditë të bukura po kallxojmë
Ky ambient na jep emocione
Historinë tash po e mësojmë
Nga ky kënd, nga kjo përmendore.

Ditë të bukura po meditojmë
Mbi armiqtë gjakatar
Në këtë bar të njomë e lëndinë
Ata derdhën gjakun e na sollën lirinë.

Ditë të bukura premtojmë
Ideali i tyre na burrëron
Na jep zemër, na jep guxim
Me ty Flamur në përjetësim.

Në Velmish shembull në propagandimin e vlerave patriotike është dhe jep organizata e veteranëve dhe e pasardhësve të Lançit e përfaqësuar nga kryetari Dashnor Hazizi si dhe një kontribut të veçantë në promovimin e këtyre vlerave ofron dhe bashkia e Roskovecit, veçanarisht nga kryetarja e kësaj bashkie, zonja Majlinda Bufi. Në vazhdimësi, Velmishi është shquar për një kulturë dhe harmoni unike, falë kjo dhe të intelektualëve të shumtë si Zan Tabaku, vëllezërit Asqeri dhe Faik Dyle, Myqerem Tabaku, Gëzim Velmishi etj, të dalë nga gjiri i këtij fshati i cili krenohet me vajza e djem azganë të bekuar nga zanat.