Nga Bashkim Hisari

Si në shumë vende në botës ashtu edhe në Kosovë, është traditë e kahershme që para fundvitit, të dashurëve, miqve dhe bashkëpuntorëve t’iu shprehim dëshirat më të mira, duke u uruar fat, shëndet, suksese dhe të gjitha të mira. Vitin e Ri 2024, shumë kosovarë do ta presin me gëzime e të lumtur, sepse nga një janari do të kenë liberalizimin dhe do të lëvizin pa viza në zonën e Shengenit, në shtetet e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, shumë çështje do të mbeten ende të hapura dhe të pazgjidhura. Në vetëdijen e shumë qytetarëve kosovarë do të mbizotëroj e vërteta për vitin që po e lëmë pas se ishte “i neveritshëm” dhe “i keq”. Një vit me punë të papërfunduara, tensione në rritje, me keqkuptime. Me dhunë e të shtëna me armë zjarri deri në vrasje e plagosje të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të KFOR-it. Për këto askush nuk u shpallë përgjegjës para drejtësisë kurse ndaj Kosovës u zbatuan masa të padrejta ndëshkuese që e kanë dëmtuar shumë vendin edhe në aspektin ndërkombëtar.
Reformat në drejtësi kanë qenë ndër sfidat kryesore, ka pasur pengesa në sundimin e drejtësisë, ligjit, në luftimin e krimit, korrupcionit, nepotizmit. Ndërkaq, problemet në sistemin e arsimit, në sektorin e shëndetësisë si dhe inflacioni i lartë, papunësia dhe varfëria në rritje bashkë me pasojat e pandemisë Covid-19 dhe frika që ajo ka shkaktuar për jetën e njerëzve, kriza globale ekonomike, energjetike, agresioni rus ndaj Ukrainës, bombardimet e vrasjet brutale dhe shkatrrimet në lufën e Izraelit me Hamas që po e rrezikojnë paqen, seriozisht po i brengosin dhe shqetësojnë qytetarët e Kosovës.
Edhepse Kosova në këtë vit ishte më mirë se në vitin e kaluar, munguan përpjekjet serioze për të demonstruar qartë dhe me zë të lartë vendosmërinë për forcimin e sundimit të ligjit, demokratizimit të shoqërisë dhe institucioneve, pluralizmit politik, respektimit tëtë drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare si garantues i paqes dhe sigurisë në mbarë rajonin.
Megjithë faktin se partnerët strategjik qëndrojnë fuqishëm prapa Rapublikës së Kosovës, në vitin që e lam pas nuk ka pasur njohje të reja, përkundrazi, disa shtete kanë tërhequr vendimet e mëhershme për njohje që është rezultat i kampanjës së Serbisë nëpërmjet të cilës synon t`ia pengon Kosovës subjektivitetin ndërkombëtar. Në anën tjetër, mungesa e një uniteti ndërpartiak qoftë në tema të vogëla apo të mëdha, ka bërë që Kosova të dalë joseriozë ndaj partnerëve strategjik. Të gjitha këto dëmtuanë idealet dhe vizionin e qytetarëve të Kosovës, për ç’arsye, shumë qytetarë u larguan nga Kosova për të siguruar vende të punës dhe një jetë më të mirë jashtë vendit.
Çështjet që mbetën të hapura dhe pa përgjigje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, obligimi për themelimin pa vonesë dhe pa kushte të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, detyrimet për zbatimin e Planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njohja e pavarësisë së Kosovës, antarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në BE, zbardhja e fatit të pagjeturve dhe çdo krimi të kryer në Kosovë, edhe në vitin 2024, do vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të qytetarëve në Kosovë.
Në zgjedhjet e parakohshme më 17 dhjetor, Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi 46.6 për qind të votave që nënkupton 129 ulëse në Parlamentin serb. Andaj nuk duhet pritur që me fitoren e Vuqiçit, Serbia në vitin e ardhshëm të ndryshoj kursin politik të saj karshi Kosovës.
Pala serbe do angazhohet të ngadalsoj procesin e dijalogut me opstrukcione duke u kufizuar vetëm në shtyrjen e përballjes me realitetin. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili dominon në politikën serbe tani më shumë se 11 vjetë, fillimisht si kryeministër dhe më vonë si president, mban tërë pushtetin në duart e tij, është populist dhe minimizon normat demokratike.
Duke ndar njerëzit, në të përshtatshëm dhe të papërshtatshëm në shtetin e tij, nuk dihet kush është polic e kush kriminel. I ndikuar nga ultra-nacionalizmi serb sidomos nga Partia Radikale e ekstremit të djathtë të Vojislav Sheshelit i cili nga Gjykata e Hagës u dënua me dhjetë vjet burgim për krime lufte, Vuçiq, duke synuar me marrë toka nga vendet fqinjë përfshirë tërë Kosovën,.ëndërron krijimin e Serbisë së Madhe. Ai ka marrë pushtetin dhe ka vendosur një diktaturë që është e ngjashme me sistemet e bazuara në ideologjitë nacionaliste-fashiste. Nuk është për tu habitur, mbase në vitin 1998, krimineli serb Sllobodan Millosheviç e emëroi Vuçiqin si ministër të informacionit. Në qeveri, ai ishte përgjegjës për zbatimin e disa prej ligjeve më kufizuese të lirisë së fjalës. Disa ditë pas masakrës së Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe në Bosnje vranë mbi 8.000 burra dhe djemë myslimanë boshnjakë, pat deklaruar: “Nëse Ju vrisni një serb, ne do të vrasim 100 muslimanë,”
Politika e Vuçiqit po determinohet me rritjen e nacionalizmit, shovinizmit, klerikalizimin shtetërort, shkeljën e të drejtave dhe lirive themelore, të shprehjes së mendimit politik pa frikë nga pasojat, e të ngjashme që u dëshmuan edhe në zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet i fitoi me manipulime e blerje të votave dhe me votues fantom.
Tolerimi i ekceseve gjithnjë e më të shpeshta të grupeve neofashiste të afërta me pushtetin e Vuçiqit, mohimi i antifashizmit dhe vlerat e tij, rehabilitimi dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar për krime lufte, bashkëpunëtorëve të nazistëve nga Lufta e Dytë Botërore dhe ata nga luftërat e viteve të 90-ta, si dhe përfshirja e ideologjive të tyre fashiste në strukturat e politikës shtetërore – tregojnë se shoqëria serbe po zhytet plotësisht në popullizëm gjithnjë e më agresiv – që është vetëm një emër tjetër për nazi-fashizmin modern.
Pavarësisht nga faktet, historia, provat shkencore dhe analizat racionale që janë në favor të shqiptarëve dhe Kosovës, vështir se mund të jemi optimist që në vitin 2024 do të tejkalohen problemet, zbatohen marrëveshjet, dhe arrihet një kompromis që do rezultoj me një marrëveshje finale për normalizim të raporteve përfshirë edhe njohjen reciprok.