Tregim nga Liljana Muca

Për ta thënë fare shqip, ka hyrë SHEKULLI I RI, ndërkohë që mediat dhe poitikanët preferojnë fjalën, e cila u duket më madhore, MILENIUMI. Edhe pse akademikë e profesorë të nderuar, ngjiren për ta mbrojtur këtë gjuhë të stërlashtë të bekuar nga Zoti, ata prapë se prapë me të tyren…I kanë dhënë të tatëpjetën kësaj gjuhe te ëmbël, me tibrin e zërit të bilbilit, po për fat të keq jo vetëm asaj…….
“Shqipëria ndodhet në Evropën Juglindore dhe ka për kryeqytet Tiranën.” Këto do ishin fjalët e një mësuesi gjeografie. “Metropoli ynë po ndryshon cdo ditë e më shumë..” Ndryshim i thënçin! Kështu do thoshte një politikani ynë, sepse ashtu e ndjen më të sigurtë pushtetin e tij, po ashtu do thoshin edhe shumë prej mediave që u mbajnë iso-n.
Një gjysh i fisëm me mjekër të bardhë si kreshta e malit të Dajtit kur mbulohet me dëborë, po shëtit me nipin e tij 4- vjecar në një lulishte të kryeqytetit, saktësisht aty pranë Parlamentit, Ah, të më falni! Gabova edhe unë. Por, ja që ndodh ndonjëherë. Sëmundje ngjitëse, s’ke ç’bën por unë di ta komandoj gomën dhe lapsin tim. Pra, le ta ndreqim gabimin. Në një lulishte të kryeqytetit, saktësisht aty pranë Kuvendit…. Në rregull tani. Sa për lulishten…. Lulishte i thënçin!
As stolat dhe as i vetmi shatrivan nuk ishin për taman. Nja dy stola, të vetmit që kishin mbetur, kishin përfunduar me nga një dërrasë të hollë të përthyer që të nxisnin përfytyrimin, si brinjët e një kau të dobësuar qëmoti në kooperativë.
Po edhe shatërvani, mos më keq dukej. Shatërvan i thënçin edhe atij…! Ngjasonte me një kërpurdhë të stërmadhe me lloje e lloje mbeturinash, në shërbim të një koshi plerash, në të cilin nuk mungonin kanaçe pijesh, lëkura bananesh e deri qelqurina të thyera kavanozësh. I lumshin duart projektuesit, në fund të fundit ishte një vepër arti, por ç’e do, nuk hedh asnjë curril uji përpjetë sikur t’ia kishte prerë rrjedhën kuçedra me shtatë kokë. Eh…E ku ? Në lulishten përpara Kuvendit të Shqipërisë! Pikërisht aty ku gjyshi po shëtit me nipin e tij. A e dini çfarë? I nipi është bashkëmoshtar me SHEKULLIN E RI.
Dhe, a e dini çfarë tjetër? Shekulli i ri i thotë një ditë vogëlushit: -Ec, ec oreee…! Më shpejt, më shpejt! Sa i dobët që je, por edhe i zgjuar je, ama. Pse jo, eshe një Ajshtajn mund të ishe bërë. A e di ti vogëlush që Ajshtajni ka prekur tokën shqiptare? Po nga ta dish, je akoma i vogël, Por gjithsesi, mëndja jote që i kapërcen mundësitë e tua fizike na le të mendojmë se je takuar me Ajshtajnin. Kur mund të ndodhë kjo?! Kur shekujt promovojnë mëndjen gjeniale!!.
-Ec,ec! A dëgjon…?
-Po nuk kam shumë forcë… nuk kam ngrënë as çokollatë e as akullore.
Shekulli i ri e vështroi me dhimbje.
-Epo më vjen keq i dashur, më vjen shumë keq për ty, po më duhet të të lë… më duhet të shkoj; nuk të pres dot. Ca erëra të forta më shtyjnë për të përmbyllur ciklin tim.
Kishte kaluar kohë, dhe në një ditë, brenda asaj kohe, gjyshi më shumë i kërrusur nga dhimbja, po çapiste i vetëm rrugëve të Tiranës.
Flet me vete: – Pata një nip moshatar me shekullin e ri. Ishte gjë e bukur të ishe moshatar në shekullin e ri, të bashkëudhëtoj me të, por?!… Gjyshi ecën kuturu. Kalimtarët dëgjojnë. Po cilët veshë nuk dëgjojnë?!


Ky episod nis aty, ku prej sa e sa dekadash më parë quhej “21 Dhjetori”, simbol i ditëlindjes së një diktatori, të cilin regjimi komunist shqiptar e pati idhull të një pushteti të fortë për hesap të vet, edhe pse shqiptarët ia kishin rrëzuar bustin me ndërrimin e sistemeve.
Pikërisht, në atë kryqëzim që mban këtë emërtim sot e kësaj dite, ka një trafik të paparë, sidomos në fillim të javës pasi në kryeqytet vërshojnë tregtarë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Në një ditë të hëne, kur semaforët për bela ishin prishur dhe polici në udhëkryq nuk po i jepte dum rradhës së makinave, të cilat qenë ngatërruar e mbledhur kokë më kokë si delet në vathë, ia behu fërshkëllima e gjatë e një ambulance.
Dukej vërtet të kishte një urgjencë, sepse makina i mbante dritat të ndezura dhe nuk po pushonte së rëni borisë. Them vërtet, sepse ndodh ndonjëherë që bëjnë edhe kot. E kush rri e pret, kur polici të japë shenjë për kalim? Mjafton, që në këtë lloj automjeti shkruhet me shkronja të mëdha “AUTOMBULANCË”, e me këtë rast shoferi i jep viston vetes. Por mos u çudisni, se kështu bën edhe ndonjë makinë policie, a thua se mund të jetë në ndjekje të ndonjë rasti kriminal, kur realisht nuk është.
E ku e kishim fjalën? Tek autombulanca me urgjencë.
-Ah kush e di ç’hall i ka zënë, – foli një grua në autobus.
-Eh, kush nuk ka halle në vend ,- ia priti një i moshuar.
-Më parë të duhet të vdesësh, pastaj të kalosh,-ia priti një tjetër.
-Epo ç’të bësh? Kështu e ka kjo botë,- ia priti përsëri gruaja që foli në fillim.
-Nuk e ka fajin bota jo, po koka, – tha i moshuari.
-Po cila kokë?! – pyeti tjetri të moshuarin.
-Imja, jotja… e kush tjetër? Nëse ke ndonjë hall të madh, vetëm të fluturosh të mbetet. Hë, fluturon dot zotrote tani?!
-Eee… ato po, ku t’i gjesh , – foli një mesoburrë që nuk kishte folur më parë.
-Epo ku t’i gjesh, thotë ky! Ku dashke t’i gjesh ti, në Pazar të Ri, apo tek tezgat?! Tek SHESHI, or zotëri, tek vendi që buçet, atje ku të merr dallga, se vetëm atje fjalet e Shekspirit te madh: “Fjalë im zot, fjalë…” nuk e ka të lehtë që t’i marrë era.


Mesnata e 31 Dhjetorit e vitit 2003 zbriti e ftohtë në kryeqytetin shqiptar, Kur akrepat tek Sahati i Madh shënuan 12 fiks, u shkrehën fishekzjarre shumëngjyrëshe, u derdh shampanjë dhe nëpër tryeza u trokëllitën gotat me mesazhe zemrash, u përqafuan e u puthën çifte me plotësim dëshirash. E tjetërkush u arratis përmes ëndrrash të pamundura të kësaj bote mizore.
Një djalosh i braktisur 10-vjeçar pasi iu gëzua vetëm shkëlqimit të fishekzjarreve, me një çantë të vjetër hedhur krahëqafë, mbushur me copa buke dhe ndonjë sanduiç që ia kishin falur pronarët e lokaleve për sevap, u drejtua për tek streha e tij, atje në fund të Bulevardit të Madh.
Ishte një strehë provizore, në bodrumet e një pallati shumëkatësh që po ndërtohej tek ish-Blloku. Roja e objektit, duke vënë në rrezik vendin e punës, sigurisht jashtë regullores së ndërtimit e kishte lejuar djaloshin e varfër të strehohej e të merrte një sy gjumë vetëm pas mesit të natës.
Pikërisht këtu fillon tragjedia. Në atë dhjetor të acartë, një zjarr i ndezur me kartona dhe hedhurina dërrasash, edhe pse i porositur e i ndaluar nga roja, po ia ngrohte djaloshit sadopak shpirtin e lodhur, rrugëve të Tiranës në kërkim të lëmoshës. Një kapitje e ëmbël i shkon nëpër qepalla. Gjysmë i fjetur dhe gjysmë i zgjuar përhumbet në ëndrra të bukura që nuk i kishte përjetuar ndonjëherë.
Fillon të mrekullohet nga përdredhja e flakëve dhe e hirit të lehtë të kartonave që i bie mbi kokë e trup si flokët e dëborës. Papritmas i hipën në kokë dëshira për të luajtur me flakët, flakët ndjellëse ia ndezën fantazinë fëmijërore për të luftuar si një samurai.
Pse jo?- i tha vetes. Tjetër mundësi e tjetër lodër nuk kam.
Kalon duart e nxira nga tymi nëpër flakë. Herë me njërën dorë e herë me tjetrën pret si me shpatë flakët e zjarrta.
Qesh. Hedh edhe më shumë kartona për t’i rritur flakët. Ha, ha, haaa…gajaset që flakët i bën sa një bojë njeriu. Sa babai i tij?! Po ku është ai tani? “Do të iki larg , do të punoj për ty bir. Qëndro me gjyshin?? Por gjyshi kishte vdekur e as babai nuk u kthye më… Ai mbeti rrugëve. Tani po luan e pret flakët si një samuraj i vogël. Na, naaa… ha, ha-ha! Unë ju mund, le të jini më të mëdha se unë. Unë ju pres më dyshë…
Por flakët tinëzare me gjuhët e tyre të gjata, e morën duke e përfshirë mes tyre dhe duke i falur një dhuratë të kobëshme për natën e Vitit të Ri.
-Alo! Rajoni i policisë? Jam roja i filan objekti, Ka ndodhur një aksident. Mbaj pjesën e përgjegjësisë time personale.
Nëpër tryeza të mbushura plot e përlot me lloje e lloje mishrash, verërash e pijesh egzotike të porositura apo të dhuruara posaçërisht për këtë natë të ndërrimit të viteve, vazhdoi deri në mëngjes me trokëllitje gotash duke bërë ‘’çakërqejf’’soje njerëzish të këtyre tryezave.
Po shpirti kujt i dhembi? Zemra kujt i dogji….!!?


Pasi përshkoi me këmbët e tij të gjata, cep e më cep unazën e madhe të qarkullimit të automjeteve, vetëm e vetëm për të kursyer biletën dyzet lekëshe të autobusit, malësori i ardhur nga Veriu i Shqipërisë i cili ishtë ngulur në një barakë llamarine, në një periferi të thellë të Tiranës rrëzë Dajtit, u gjend në qëndër, pranë monumentit të Skënderbeut, aty nga ora njëmbëdhjetë e paradites.
Ishte aq i lodhur sikur ta kishin rrahur nja dhjetë vetë, por jo vetëm kaq. Mbi shpatullat e tij mbante pesëdhjetë vite të mundimshme që e kishin plakur më shumë nga sa vite ishte.
Mbi shpatulla kishte hedhur një thes celefoni të zi, me vjeturina të blera në tregun e GABIT. Ishin veshje të ndryshme për tre fëmijët e tij, por edhe nja dy gjëra për vete e për të shoqen.
Papritmas pati një kontraktim nga fundi i barkut. “Ooo….-Jo Tani” mendoi me vete, por siç u duk puna nuk po i priste. Kapërceu rrugën dhe doli në trotuarin bri Pallatit të Madh të Kulturës. Ju dha këmbëve të lodhura duke ecur si një kalë i këputur gjithë pjesën e trotuarit deri te kryqëzimi ku ndodhej monumenti i themeluesit të kryeqytetit, Sulejman Pashës.
Për një çast ndaloi. Bëri një frymëmarrje të thellë si për të shfryrë të gjithë hallet e kësaj bote. Bëri edhe një sforcim të të gjithë pjesëve të trupit për të ndaluar atë që aktualisht nuk do të deshte. U gjend në mëdyshjen më provokuese të jetës së tij. Djathtas, në krahë të ish kinema “Partizani” ndodheshin të vetmet ËC-publike të kryeqytetit që kishin mbetur. Në pikë të hallit ishin, por gjithsesi me njëzet lekë të reja kryeje punë. Kurse në krahun e majtë të tij, rrethuar me mur tek-tullë prej më se një dekade gjendej e ashtuquajtura, Gropa e Madhe e Ajdin Sejdisë ose Gropa e Mashtrimit siç e quanin ndryshe njerëzia e cila ishte kthyer një ËC të madhe pa liçencë ku hynin e dilnin nën kundërmimin e një ere asfiksuese njerëz të kategorive të ndryshme.
Uli thesin para këmbëve e me një shami me ngjyra të ndezura, nga ato që mbajnë malësorët, fshiu djersët e asaj vape korriku që po arrinte pikun.Mendimet filluan t’i lëviznin me të shpejtë duke u ngulur aty si një hu në mëdyshjen e tij.
Të shkonte nga e djathta ishte qytetari, kurse të shkonte mga e majta ishte e turpshme, prapambetje dhe injorancë. Eh , c’hall e zuri! Atje në malësi nuk do ta kishte patur problem po ta kishte zënë halli në rrugë e sipër për punët e tij, futu në ndonjë korije ose mbas ndonjë masivi gurësh dhe mbaroje punë. Po këtu ndryshonte puna. Ishte në kryeqendrën e vendit dhe më shumë se kudo tjetër , meqë e kishte pranuar si pjesë të jetës së tij, i duhej të integohej në vlerat e qytetarisë shqiptare dhe më pas, sic thuhej në shtyp në ato evropiane…
Pa një pa dy , sepse edhe në organizëm u ndje keq , ngriti thesin dhe i ngau këmbët për tek ËC-ja publike.
Me të mbërritur atje lexoi: ËC për burra 20 lekë. Por cuditërisht u ndje mirë. Mendoi se puna mund t’i priste deri në shtëpi, andaj mori drejtimin për tek stacioni i autobusit.
Pranë një qosheje, përmbi disa arka të kthyera përmbys, një gazetashitës kishte ekspozuar gazetat e ditës. Meqë 20-lekëshin nuk e harxhova, tha me vete, a nuk po e blej një gazetë që të marr vesh se c’thuhet e c’bëhet sot, në këtë anë dynjaje? Pastaj, të shkretët lekë, mendoi përsëri, kur e do puna për të harxhuar edhe duhen harxhuar. Ngriti sërish thesin në krahë dhe shpejtoi këmbët drejt stacionit, por sapo vuri këmbën në derë të autobusit u ndje sërish keq. Një therje barku dhe djersë të sikletosura e bënë të pafuqishëm. Nuk pati më kohë të mendohej por i dha vetes një shtrëngim për të mbledhur forcat. Për fat stacioni i autobusit që do të kishte marrë linjën ishte afër, nga aty ku u kthye mbrapsht. I ra sa më shkurt asaj rruge dhe sa kaq u gjend para një hyrjeje që ngjante me një guvë në brendësi të një mali.
Atje tek hyrja,u përplas me një burrë të cilit si duket edhe atij nuk i priste puna.E la pas atë dhe u fut në brendësi të një karakatine që kishte mbetur si dëshmi e shembjes së kjoskave të cilat patën mbirë në Tiranë më shumë se kudo si kërpudhat pas shiut.
Duke treguar kujdes që të mos shkelte mbi pisllëqe , bëri tutje ne thellësi, në drejtim te Pallatit te Madh te Kulturës, atje ku vendi ishte më pak i ndotur. Iu afrua një pishe të tharë. Thesin vendosi sipër një grumbulli dërrasash të vjetëra. Zbërtheu me të shpejtë pantallonat e zeza prej doku dhe i uli ato bashkë me të brendshmet, pa menduar më gjatë, nëse e shikonte njeri apo jo, atje në qoshen e zgjedhur prej tij.
Ndjeu se u lërua nga gjithë ai siklet dhe ajo rrokopatje e stërmundishme e asaj paraditeje. Sic ishte akoma përkulur galic, i shkrepi në kokë ti hidhte një sy asaj gazete që e kishte përthyer dhe futur në xhepin e xhaketës verore.Diku në faqet e brendshme pa figurën e një politikani të cilin nuk e kishte pëlqyer kurrë me pafytyrësinë e tij. E grisi me përbuzje dhe me atë bëri minimalisht për rrethanat, një detyrë higjenike duke thënë me vete se vetëm për atë punë vlente.7