Një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi

• Njëri nga bartësit kryesor të këtyre ideve në Bujan dhe nismëtar i orëve të para të punës konkrete ishte mësuesi nga Gjakova, Fadil Hoxha, komunist me bindje, më vonë një nga udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe një nga udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë Federative

Dr.Alban Dobruna

Konferenca e Bujanit është ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, e cila, me vendimet largpamëse, do të bëhej pika referuese për gjeneratat e ardhshme dhe për çdo përpjekje për liri e pavarësi të popullit të Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Në këtë Konferencë u përçua zëri i popullit shumicë të Kosovës, e drejta për t’iu bashkuar Shqipërisë, e jo Jugosllavisë. Konferenca e Bujanit u organizua me iniciativën e Shtabit Kryesor të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 në Kullën e patriotit Sali Mani, Bajraktarit të Krasniqes. Në këtë Konferencë u mblodhën delegatë nga të gjitha krahinat e Kosovës për ta ngritur atë në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare, ndërsa me vota të përbashkëta zgjodhën Këshillin, Kryesinë dhe përpiluan rezolutën, që do të ishte platforma politike, e cila do të ndiqej nga populli shqiptar i Kosovës në luftë kundër pushtuesve deri në çlirimin e tyre me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.
Ndër shtyllat e fuqishme të shtetit të ri në Kosovë mund të konsiderohet organizimi i Konferencës së Bujanit, pasi ajo u mbështetet në Karten e Atlantikut me të cilën garantohej vetëvendosja, pastaj Deklarata e Moskës, Rezoluta e Teheranit dhe Deklarata e Jaltës, ku thuhej: ”Gjithkush në tokë të vet e gjithsejcili të vendosi mbi formën e qeveris së vetë”. Pra, ky ishte parimi kryesor i aleatëve të mëdhenjë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ngjeshja e radhëve antifashiste kombëtare dhe ndërkombëtare ballkanike, evropiane dhe botërore, u bë mbi bazë të proklamimit dhe të garantimit e kësaj të drejte për të të gjithë popujve pjesëmarrës në bllokun antifashist. Këtë të drejtë, në luftën antifashiste, në përpjesëtim të gjerë, falë kontributit vetjak, e siguroi edhe populli shqiptar në përgjithësi dhe pjesa e këtij populli në Kosovë në veçanti, ndërsa kjo është konfirmuar me dokumentet historike të aprovuara në Konferencën e Bujanit. Pasi Lufta e Dytë Botërore zhvilloi parakushte për rishqyrtimin e problemit kombëtar të popullit shqiptar, i cili nuk ishte zgjidhur me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, e tërë Lëvizja Çlirimtare, që zhvillohej gjatë atyre viteve në Kosovë, ishte vazhdimësi e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për çlirim e bashkim kombëtar, këtë e dëshmon mësëmiri Konferenca e Bujanit, e cila ishte pluraliste, ndonëse pjesëmarrësit në shumicën e tyre ishin komunistë, nuk mungonin as nacionalistët, atdhetarët demokratë, përfaqësuesit e njësive të armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste, të këshillave nacionalçlirimtarë. Përveç përfaqësuesve nga Kosova, në të morën pjesë delegatë nga treva e Plavës dhe e Gucisë, që u trajtuan si pjesë e pandarë e Kosovës, si dhe disa delegatë shqiptarë nga Malësia e Gjakovës, që vepronin në formacionet e atjeshme partizane.
Populli shqiptar i Kosovës dhe i gjithë kombi ynë, asokohe po kalonte momente vendimtare historike. Ishte kjo koha kur miliona njerëz vdisnin nga makineria nazifashiste dhe fatet e popujve të vegjël lëkundeshin. Rreshtimi i shqiptarëve në këtë koalicion ka qenë një veprim i matur, ku merrnin pjesë patriotë nga të gjitha krahinat, besimet e orientimet. Ofensiva e re e vjeshtës në Lindje dhe marshimi i ushtrive anglo-amerikane në Jug, ishte sinjal i dështimit të politikave naziste. Alternativë e mundshme ishte bashkimi rreth Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në të kundërtën, në qoftë se populli shqiptar do të ndiqte orientimin për të mos u angazhuar në këtë luftë me armë, apo, akoma më keq, për të bashkëpunuar me okupatorin nazifashist në masë të gjerë, do të kishte pasur pa dyshim pasoja për vendin, ku shqiptarët në fund të luftës do të pësonin të gjitha pasojat e një vendi të mundur, aleat i boshtit fashist.
Lufta e popullit në Kosovë, në këtë periudhë, mund të thuhet se ishte unike me strategji e taktikë të caktuar, që u zhvillua në kushte lokale specifike dhe të vështira, që nuk mund të zhvillohej shpejt dhe të organizonte luftë të armatosur në këtë truall. Në Kosovë, luftë përfshinte dhunën e ushtruar nga disa aktorë politikë. Për këtë arsye, çështja meriton një analizë të shumanshme, duke u fokusuar në ideologjinë, dhunën e ushtruar ndaj civilëve dhe dhunën luftarake midis dy ose më shumë fuqive ushtarake. Kjo vinte për shkak ndarjes së Kosovës në tri zona okupuese, politikës demagogjike të okupatorit, iluzionit të krijuar në një pjesë të popullit shqiptar në lidhje me çlirimin, si dhe disponimin antijugosllav për shkak të pozitës së vështirë në Jugosllavinë e periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Shqiptarët nuk e konsideronin humbje të shtetit të tyre kapitullimin e Jugosllavisë, ngase ata nuk gëzonin të drejtat më elementare, e madje disa e konsideronin okupatorin edhe si çlirues. Kjo pozitë e shqiptarëve vinte për shkak të kundërthënieve nacionale me serbo-malazeztë, nga frika e kthimit të së vjetrës, nga mosnjohja e kufijve të ndryshuar si rezultat i pushtimeve të shteteve fashiste, të cilat realisht për shqiptarët kishin bërë deri-diku një korrigjim të padrejtësive të së kaluarës dhe në fakt e kishin përmirësuar gjendjen e tyre në Kosovë etj., mandej nga prononcimi i mjegullt i Partisë Komuniste Jugosllave për të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje pas luftës, ndërkohë që shqiptarët kërkonin t’iu pohohej qartë dhe menjëherë se do t’iu jepej mundësia të realizonin aspiratën e tyre për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Për më tepër hapat e PKJ-së në drejtim të kundërt, në favor të ruajtjes së Jugosllavisë në kufijtë e paraluftës (shih vendimet e Jajces, nëntor 1943) e deri te pengesat për zhvillimin e lëvizjes antifashiste në Kosovë etj., ishin elementë që nuk mund të kapërceheshin lehtë nga kushdo. Andaj, për shkak të këtyre kushteve të ndërlikuara, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ndahet në dy faza: Faza e parë (1941-1943) që ka të bëjë me formimin e organizatave antifashiste dhe të këshillave nacionalçlirimtarë si dhe përhapjen e luftës së armatosur, respektivisht me mënyrën e luftimit si pjesë e pandarë e Frontit Nacionalçlirimtar, deri në kapitullimin e Italisë (1943). Faza e dytë është periudha 1943-1945 e luftës në Kosovë, e zhvilluar shpejt, që në pikëpamje organizative mori trajtë të plotë, me çka pjesëmarrja e popullit në luftë u bë masive dhe u shpreh me aksione të llojllojshme për ndezjen e luftës dhe zgjerimin e madh të saj.
Organizimi i Konferencës së Bujanit ishte një domosdoshmëri e kushtëzuar nga nevojë për t’i bindur masat shqiptare me një akt të besueshëm ashtu që të mobilizohen në luftë kundër fashizmit. Pra, për t’i frymëzuar ata që me të drejtë nuk i besonin ardhmërisë së pas luftës, arritën të bindnin një pjesë të popullit për angazhimin aktiv në këtë luftë, duke projektuar bindshëm vizion e së ardhmes. Kjo Konferencë shprehu edhe vetë karakterin dhe specifikën e lindjes dhe të zhvillimit të lëvizjes çlirimtare në Kosovë, lëvizje që përherë tentoi të jetë objektivisht e pavarur. Rezoluta e Bujanit ka qenë akti i parë legjislativ i përfaqësuesve të popujve të Kosovës që ka synuar pavarësinë e Kosovës në bazë të së drejtës për vetëvendosje. Kjo Konferencë ka rëndësi të madhe historike, pasi shpreh hapur që në fillim bashkërendimin me aleatët e koalicionit antifashistë në botë. Prandaj, pos karakterit kombëtar, kishte edhe karakter ndërkombëtar, sepse me praninë e përfaqësuesve aleatë dhe me garancitë e tyre çështja e Kosovës u ngrit në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur me vendosmëri edhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar.
Organizatorët e Konferencës së Bujanit, sa i përket varësisë partiake, vepruan si një pol i tretë midis Partisë Komunsite Jugosllave dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë. Pjesëmarrësit ishin kryesisht shqiptarë, ku disa prej tyre ishin formuar si kuadro dhe si komunistë në Shqipëri. Ata që ishin shtetas të Shqipërisë nuk i pyetën organet drejtuese të PKSh-së nëse duhet të mbahet apo jo kjo konferencë dhe çfarë duhet të thuhet në të. Po ashtu, edhe komunistët shqiptarë të Kosovës me shtetësi jugosllave, nuk u morën leje organeve drejtuese të PKJ-së nëse duhej mbajtur kjo konferencë dhe çfarë duhej vendosur aty. Pra, për organizimin dhe vendimet që u morën në Konferencë, pjesëmarrësit vepruan si një parlament me përfaqësues të zgjedhur nga zonat veriore të Shqipërisë, pa një udhëheqje të qartë partiake ose shtetërore, duke vepruar në kohën e duhur për Kosovën, duke u formuar de fakto dhe de juro qeveria dhe parlamenti i pare në Kosovë. Me një filozofi të veten politike në rrugën e saj evropiane Kosova do të riafirmonte vlerat e saj tradicionale që përcaktojnë orientimin politik afatgjatë. Një nga këto vlera është përcaktimi i vijës antifashiste, e cila u bë në kohën dhe në momentin e duhur. Aq sa ishte e vështirë dhe e ndërlikuar Lufta e Dytë Botërore në Kosovë kundër armikut, aq më e madhe është merita e lavdia e atyre që u hodhën në luftë dhe e organizuan rezistencën e saj. Njëri nga bartësit kryesor të këtyre ideve në Bujan dhe nismëtar i orëve të para të punës konkrete ishte mësuesi nga Gjakova, Fadil Hoxha, komunist me bindje, më vonë një nga udhëheqësit kryesorë të Kosovës dhe një nga udhëheqësit më të lartë të Jugosllavisë Federative.
Veprimtaria e Fadil Hoxhës, duke filluar prej Konferencës së Bujanit e deri në mbarim të angazhimit politik të tij në Kryesinë e ish-Federatës Jugosllave më 1984 dhe duke përfunduar veprimtarinë e tij në Shoqatën e Veteranëve të LNÇK-së deri në vitin e vdekjes, përkatësisht më 2001, ishte e dendur. Fadil Hoxha ishte njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi, i cili me punën, përkushtimin dhe veprën e tij jetësore i dha vulë një periudhe historike për më shumë se 50 vjet, por që me vlerat e saj tejkalon suazat kosovare dhe ato kombëtare. Për këtë dëshmon Jan Merret, ushtarak i misionit anglez i dërguar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kujtimet e tij, ku do të shprehej: “Fadil Hoxha ka qenë një udhëheqës i respektuar i luftës në Kosovë”. Është pa dyshim një nga figurat e rëndësishme shqiptare të shek. XX. Ai në veçanti u angazhua dhe e ndihmoi me bindje të plotë procesin e shkollimit e të perfeksionimit të kuadrove të të gjitha profileve, aq shumë të nevojshme për Kosovën, për fatet dhe për ardhmërinë e saj, duke jetësuar së bashku me bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët e tij devizën “Nga Abetarja deri tek Universiteti dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës”.
Në saje të luftës që bënë shqiptarët e vendit tonë, shqiptarët e Kosovës nuk e pësuan fatin e vëllezërve që u dëbuan me forcën e armëve nga serbët në vitet 70 të shek. XIX nga zonat e Sanxhakut të Nishit dhe të popullit çam në Greqi. Pastaj shpërngulja e më se 10 milionë gjermanëve nga Shelzia, Krakovia dhe e folldojçerëve nga Vojvodina. Do të mbetej i madh ndikimi dhe orientimi i Konferencës së Bujanit për shqiptarët në periudhat e përfundimit dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe në vitet që do të pasonin në proceset në të cilat do të kalonte Kosova, ku nuk mund të flitej për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, e të mos u referoheshin vendimeve të Bujanit. Kështu ajo do të bëhej busulla, ku udhëheqja shqiptare, në periudhat e ndryshme historike, pas luftës globale, në sferën politike, në momentet e transformimeve kualitative të situatave në Jugosllavi, do ta përdorte në dobi të efikasitetit, që gjithnjë dhe më tepër, fryma e kësaj Konference, të jetë aktive dhe e angazhuar në zgjidhjen e çështjeve të shoqërisë shqiptare, që viset shqiptare në Jugosllavi, sikurse subjektet e tjera të federatës, të merrnin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që vetëqeverisja, t’ua siguronte shqiptarëve të drejtat e tyre të pakontestueshme, që do t’i kërkonin në vitet 1968, 1981, 1989-1992, 1998-99 deri me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.