Elezi e thoshte shpesh se gjysma e tij ishte në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Kosovë

Veterani Elez Dervishi që u nda nga jeta plot tallaze, ka marë pjesë në luftën Nacional -Çlirimtare. Kjo luftë qe dielli i Kunorë Dardhës për të. Pas mbarimit të shkollës punoi si ekonomist në Fushë Arrëz e në disa fshatra të kooperativave bujqësore. Ndershmëria në punë e nxori kurdoherë faqebardhë

Nga Sefer PASHA

Si njeri i letrave jam kundër skemave qoftë dhe për një skicë apo poezi me katër vargje. E dua artin kur ai godet në shënjë. Po i hedh këto rreshta në letër që nga lokal “Sharri” në Prizren për mikun tim Elez Dervishi me origjinë nga Kabashi i Pukës. Miku im qenka ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare. Fshati i lindjes së Elez Dervishit është Kryeziu i Pukës. I kam rënë pashë më pashë Kryeziut që nga Ura e Bardhetit në Fushë Arrëz e deri në Kunorë Dardhë nga ku duket Gjakova. Tregimet e Elez Dervishit më kanë mahnitur. Herë rrjedhin të qeta e herë me dallgë ashtu si lumi magjik i Kryeziut.
Vetëm kafeja nuk bëhet në Kryezi më thoshte Elez Dervishi tek bisedonim e pinim nga një gotë raki tek kullat e tij mbi Arën e Epërme, ku ai kishte lindur. Elezi më pati çuar tek gështenja shekullore, ku kishte folur me malësorët deputeti i Lumës Avni Rustemi. Ai i nxirte fjalët e zemrës si ato flokët e borës që bien në Kunorë Dardhë. Gjithashtu Elezi më tregonte se në Kryezi kishte ardhur disa herë Migjeni. Me emocione më çoi në mëhallat e myslimanëve dhe të krishterëve, ku Migjeni fliste e shkruante për Legjendën e Misrit të përshkruar me mjeshtëri tek “Novelat e Veriut”. Elez Dervishi e dinte përmendësh skicën “Legjenda e Misrit” të Migjenit. Edhe në bisedat më të thjeshta ai citonte frazën e Migjenit: “Një kokërr misri asht një kokërr dhimbje, kur ka shumë u e aspak misër”.
Mëhalla e Elez Dervishit është në verilindje të Kunorë Dardhës. Për shkak të pozicionit gjeografik aty janë strehuar Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Galica e trima të tjerë të Kosovës. Elezi në prezencë të djalit Bashkimit dhe të nipit Bilbil Dervishit i prekte me dorë gurët e kullës së Nuhi Dervishit, ku ka qëndruar me muaj Bajram Curri.
Trimat e Bajram Currit ishin të lart si shkëmbinjtë. Kur shkonin për të bërë dru trimat, lisat e malit vetëm sa i sharronin për fundi. I hidhnin në supe sikur të ishin hunj. Dhe kur zbrisnin që nga Qafa e Benës dhe Shkëmbi i Ndrikullave dukeshin sikur të gjithë pyllin po e zbrisnin nga mali për në mëhallën e Dervishajve, ku delte dhe i priste duke qeshur Bajram Curri. Pylli i Qafës së Benës zbriste si një ushtri.
Kur Elez Dervishi ishte djal i ri shkonte tek miqtë në Gjakovë. Djemtë gjakovar e çonin dhe së bashku hanin qershi poshtë Çarshisë së Gjakovës. Dhe Elezi si mjeshtër në të treguar u thoshte djemëve se qershitë e Malësisë së Gjakovës i kanë mbjellë zogjtë e Kryeziut.
Poshtë mëhallës ku kishte lindur ishte vreshti me qershi, të cilat i kishte mbjellë Shtjefën Gjeçovi, i cili rrënjët i ka në Kryezi. Zogjtë e Kryeziut siç ja kishin treguar të parët e Dervishajve i merrnin qershitë me sqep dhe bërthamat mbinin në arat dhe në bjeshkën e Gjakovës. Dhe kështu qershitë e Kryeziut bëheshin pyll. Janë dhe sot e kësaj dite.
Veterani Elez Dervishi që u nda nga jeta plot tallaze, ka marë pjesë në luftën Nacional -Çlirimtare. Kjo luftë qe dielli i Kunorë Dardhës për të. Pas mbarimit të shkollës punoi si ekonomist në Fushë Arrëz e në disa fshatra të kooperativave bujqësore. Ndershmëria në punë e nxori kurdoherë faqebardhë.
Vitet e funditë të jetës Elez Dervishi i ndau mes Tiranës dhe njerëzve të dashur në Kryezi. Ma thoshte me lot në sy se Kryeziu mbeti pagjumësia e tij. Në blloqet e mi kam shënuar qindra tregime, pamflete, fjalë të urta, legjenda, balada, rrëfana, përfshi këtu dhe këngët e Eposit të Krshnikëve. Kur Elezi ma përfundonte së treguari një ngjarje e mbyllte me vargun epik të Eposit të Kreshikëve:/Atje s’kam kan’/ /Kështu më kanë than’/.
Elez Dervishi ishte një krijues i lindur. Arti gojor i tij të mahniste. Çuditem se si ai nuk shkroi si të gjithë rapsodët e malësisë. Në rininë e tij e ndjente në pyll që nga larg “llavën” e ujërave. Fryma e tyre nëpër pyll formonte një “llavë” si të vullkaneve thoshte ai. Kjo “llavë” e përkundëte pyllin sikur të frynte ndonjë ciklon.
Malësorët e dëgjonin në odë dhe e dëgjonin Elez Dervishin të çuditur. Tregimet e tij nuk kishin të sosur. Në shpatin e Kunorë Dardhës kullosnin qindra krer me dhi. Një ditë prej rrëzës së malit del një varg i gjatë me ujqër. Nga maja e shkëmbit i shikon një bari. Ishin mbi tetëdhjetë ujqër. Iknin njëri pas tjetrit. I printe një ujk i madh i kuqërremtë. Tufa e dhive u hap në të dy anët e shpatit të Kunorë Dardhës. Aty afër nuk kishte as qen dhe as barinj. Ujqërit nuk shkëputeshin nga vargu i gjatë për të ngrënë ndonjë dhi. Ata vraponin pas “komandantit” ujk. Ai i disiplinonte pa e kthye kokën mbrapa. Këtë tregim të jetuar Elez Dervishi e lidhte me botën e njeriut. Shpesh njeriu është më i keq se ujku thoshte me trishtim.
Tregimet e Elez Dervishit kishin shije dhe lezet. Ai u nda nga kjo jetë duke lënë një emër të nderuar tek familja dhe ata që e kanë njohur. Qe njeri gojëëmbël. Edhe në moshë të thyer merrte shkopin në dorë e shkonte tek miqtë në Pukë përfshi dhe Zyber Djaloshin në Qerret. Ai do të kujtohet si njeri i mirë. Njeri i zakanoit, i besës dhe i atdheut. Edhe kur qe i sëmurë në shtrat, kur i biri që i rrinte tek koka, Bashkimi, i tregoi për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku, Elez Dervishi derdhi lot. Elezi e thoshte shpesh se gjysma e tij ishte në Shqipëri dhe pjesa tjetër në Kosovë. I tregoi të birit Bashkimit dhe Bilbilit se mbi kullat e tyre në Kryezi janë edhe sot “muret e serbit”. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë. Ujë i Lumit të Kryeziut mund të flerë, por serbët e Vuçiçit nuk i mbyllin sytë. Po i mbyll këto shënime i troditur nga vdekja e mikut tim Elez Dervishi. Shpitri më gurgullon si lumi i Lumbardhës poshtë meje. Elez Dervishi nuk do ta lexojë librin tim në dorëshkrim “Pranverë tek Zotnitë e Dervishajve në Kryezi”. Aty janë dhe kujtimet e tij për Allaman Dervishin, Dëshmorin e Atdheut, i cili u vra në luftë për vendosjen e rendit në Shqipëri.