• Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e
popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar

Siç kishte njoftuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 28 nëntor, në shënjimin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u mbajt në Tiranë një koncert festiv.
“Festat e Nëntorit vijnë ndryshe këtë herë, me shqiptarët e mbledhur nga e gjithë Diaspora, që bashkohen në paradën e traditës në 28 Nëntor, në Sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas me koncertin “Folk Fest”, ku e gjithë shqiptaria ngjitet në skenë me pjesëmarrjen e grupeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët”, shkruan Rama..
Për herë të parë, në kryeqytetin shqiptar mbahet, “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti u zhvillua më 28 Nëntor” në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
111 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë u festua madhërishëm në Vlorë, në të gjitha qytetet e Republikës së Shqipërisë dhe në hapësirën shqiptare kudo në botë.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.