SHPENDI TOPOLLAJ

Pasi Lidhja e Kombeve nuk ja doli dot të parandalonte çmendurinë e Adolf Hitlerit që pasoi me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ku të vdekurit ishin rreth 60.000.000 njerëz, pa llogaritur të gjymtuarit, dëmet ekonomike, shkatërrimin e qytetërimeve dhe trashëgimisë kulturore të popujve, krijimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuar, sipas idesë së hedhur qysh në Jaltë në shkurt të vitit 1945, ngjalli shpresa të mëdha në të gjithë botën, pasi në misionin e saj theksohej si detyrë parësore “ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë”. Por kështu si po zhvillohen ngjarjet, kuptohet se autoriteti i kësaj Organizate jo vetëm që është dobësuar, por ajo sa vjen e po kthehet në diçka formale. Aktualisht, drejtimi i saj nga zoti Antonio Guterres thuajse është inekzistent. Mënyra sesi ajo është strukturuar, me një Këshill Sigurimi prej pesë anëtarësh të përhershëm, Fuqi e Mëdha këto, ku secili ka të drejtën e vetos, e bën atë vetëm një tribunë debatesh pa fund, ku nuk mund të merren asnjëherë vendime të efektshme.
Nuk ka njeri që të mos e dijë se për hir të interesave dhe influencave të tyre, dy superfuqitë, SHBA dhe Federata Ruse, janë nxitësit e konflikteve dhe përkrahësit e palëve në konflikt. Ata me politikat e tyre, janë shndërruar edhe në furnizuesit me armatime, municione, teknikë e llogjistikë të ushtrive aleate, duke ndikuar kështu në zgjatjen sa të jetë e mundur të luftës, pavarësisht kostove të pallogaritshme që rrjedhin prej tyre. Afërmendsh që mekanizmi i vetos e pengon edhe përpjekjen më të sinqertë për ti ndaluar këto armiqësi që lindin si pasojë e mosmarrëveshjeve të vjetra e të reja të politikanëve, përdorimi si mish për top prej të fuqishmëve ose nga mbartja e problemeve të mbetura me kohë pezull. Nga ana tjetër, burokratëve të OKB - së, su ka mbetur tjetër veçse të bëjnë thirrje patetike për armëpushim dhe të na japin me saktësinë më të madhe, statistikat e të vrarëve. Që bota nuk ka pasur dhe nuk do të ketë ndonjëherë qetësi, këtë e ka kushdo të qartë.
Për këtë nuk kanë vlejtur as këshillat e burrave të mençur si John Kennedy i cili thosh se “Njerëzimi duhet ti japë fund luftës, para se lufta ti japë fund njerëzimit”. Tërhoqi vëmendjen e gjithë botës sulmi kriminal i ushtrisë putiniane në Ukrainë. Mbarë njerëzimi e dënoi atë. Por tani edhe pse ajo vazhdon të marrë jetët e mijra e mijra njerëzve të pafajshëm, thuajse nuk po bën ndonjë përshtypje. Jep e merr presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por duket se askush nuk ia vë më veshin. Duket sikur nën zë, politikanët e vendeve të ndryshme, përfshi dhe ata të OKB – së, duan të thonë: “Kokat hëngshi! Ne kemi të tjera halle.
Nuk e shihni se çpo bëhet mes Izraelit dhe Palestinës?” Ashtu është; edhe lufta mes tyre është trishtuese; por asnjë zgjidhje nuk duket në horizont edhe këtu. Askush nuk e vë në dyshim krimin e përbindshëm të HAMAS - it që i qëllon me raketa teksa festonin, rininë që vallzonte, pra që i gëzohej jetës. Asnjë të keqe nuk kishin bërë ata. Pa tjetër që Izraeli ishte plotësisht në të drejtën e tij, ti ndëshkonte ata, qoftë edhe si hakmarrje edhe për shkatërrimin e kësaj organizate. Por ne po e shohim çdo ditë se kjo e drejtë u tejkalua dhe tani krimet po i bën vetë Izraeli, pasi po ndodhin tmerre të pajustifikuara ndaj popullsisë.
Po goditen deri edhe spitale e objekte kulti dhe po vriten e masakrohen pa asnjë mëshirë edhe fëmijët e shkollave. Skenat me trupat e tyre të coptuara do të na mbesin gjatë në mendje. Një tjetër President i SHBA, Jimmy Carter ka theksuar një herë se “Ne nuk do të mësojmë të jetojmë së bashku në paqe duke ia vrarë fëmijët njëri – tjetrit”. Po përveç keqardhjes, çfarë po bëhet për të shpëtuar shokët e tyre vogëlushë, faji i vetëm i të cilëve është se kanë lindur në Gaza? A do të pajtoheshin me këto veprime milionat e hebrejve që u dogjën në krematorët e Kampeve gjermane të Përqendrimit po të ishin gjallë? Janë rreth 5.000 fëmijë palestinezë të vrarë pa asnjë arsye.
Ushtarëve izraelitë në ndjekje të anëtarëve dhe udhëheqësve të HAMAS – it u është mpirë arsyeja dhe u janë errur sytë në tërbimin për ti dhënë një mësim të mirë Palestinës, si ajo “zgjidhja finale” e Hitlerit me shokë ndaj hebrejve paqësorë. Volteri me një sarkazëm të hollë stigmatizonte rastet e ngjashme duke thënë “Është e ndaluar vrasja; për atë të gjithë vrasësit dënohen, përveç nëse ata vrasin në numër të madh dhe pas zërit të trumbetës”. Po kështu si po venë punët, dhe kur thirrjet për bisedime nuk po pinë ujë (se po shohim që nga ana e qeverisë izraelite që nuk marrin në konsideratë as këshillat e zotit Joe Biden), cila është zgjidhja? Nga Këshilli i Sigurimit nuk pritet asgjë. Asamblenë e Përgjithshme të OKB - së, me 193 shtete anëtare nuk e pyet kush. Sekretarin e Përgjithshëm nuk e dëgjojnë as për krijimin e ndonjë korridori human apo për çuarje ndihmash për popullsinë e uritur dhe me rreziqe kërcënuese për epidemi. Për më tepër, të dërguarit e saj i vrasin pa të keq dhe objektet që ajo administron në ato vende, bombardohen pa pikën e gajles. Mirëpo, në tagrin e OKB - së është dhe ndërhyrja ushtarake për të vendosur situatën, atëherë përse ngurrohet. Çfarë pritet tjetër të ndodhë, apo derisa të përfshihen në këtë luftë dramatike edhe vendet e tjera arabe, çka do të sillte reperkursione tragjike për gjithë njerëzimin. Nismëtarët e krijimit të OKB - së e dinin mirë se Niccolo Machiavelli qysh gati pesë shekuj më parë kishte mendimin se “Luftën mund ta fillosh kur të duash, por jo ta mbarosh”. Pra, si do të mbarojnë këto luftra, se sot nuk luftohet me shpata, por me armë të tilla që as mendja gjeniale e autorit të “Artit të Luftës”, nuk i rrokte. Me indiferentizmin e burrave të shteteve apo me burracakërinë e frikën e tyre? Qeveria e Izraelit dhe më konkretisht, kryeministri Benjamin Natanyahu, por edhe robmbajtësit e pashpirt duhet të kujtojnë gjestin e mbretit të kurorëzuar të Babilonisë, Sirius i cili çliroi me një dekret të veçantë hebrejtë që ishin kapur rob nga Nabunaidi, duke i lejuar ata të ktheheshin në vendin e tyre, në Jeruzalem, ku mund të ndërtonin edhe tempullin e tyre. Kurse ata burokratët e OKB - së dhe politikanët e vendeve me ndikim, do të ishte e udhës të shkonin në Muzeun Britanik të Londrës dhe ta shihnin se çfarë shkruante ky mbret në një pllakë argjile në formë cilindri për të drejtat dhe liritë e njeriut gati 25 shekuj më parë. Natyrisht që do të mendoheshin gjatë, por edhe do të kujtonin se çduhet bërë me konfliktet e atyre vendeve që kanë nisur mijra vjet të shkuara, ndofta më herët se mbretëresha e mesagetëve, Tomirisi, sipas asaj që rrëfen Herodoti të cilin Ciceroni e ka quajtur “Babai i Historisë”, e zhyti në gjak kokën e Siriusit të vdekur si hakmarrje për vrasjen e djalit të saj.