Hito Zenel Hitaj, prijësi dhe kapedani i Labërisë dhe luftëtari trim (1830-1878), që u vra nga pushtuesit osmanë më 12 të vjeshtës së dytë të vitit të LSHP-së, (më 12 tetor 1878) në moshën 48 vjeçare në fshatin Vajzë të Vlorës, por që ngeli përjetësisht në këngët e popullit.

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Përkujtimi i luftëtarëve të Labërisë, që kanë rënë në luftrat e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe tërësinë teritoriale të truallit arbëror, si dhe për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave të Labërisë dhe mbarë shqiptarizmës është detyrim brezash. Hito Hitaj është një figurë e shquar e Labërisë, prijës e luftëtar i sprovuar betejave, që nami i ka shkuar deri në “dovlet” në qendër të sulltanatit në Stamboll. Kundërshtimi me armë i pushtuesve ka qenë një praktikë për shqiptarët në shekuj, që kurrë nuk e pranuan pushtimin. Labëria që pas epokës së Motit të Madh të Gjergj Kastriotit Skënderbeut zhvilloi kryengritje të përgjakshme sidomos në vitet 1472-1492, vit kur fituan të drejtën e vetqeverisjes me “venome”. Labëria dhe e gjithë hapësira shqiptare ishte dhe ngeli vatra e zjarrit të ndezur kundër çdo pushtuesi prandaj edhe këndohet: “Labëri, o mal me thika, djemtë e tu trima me çika”, apo dhe më tej “Kurvelesh, o gur’i shkëmbit,/e qëllon topi i Zallëmit,/Na prishi lezet e vëndit,/Kurvelesh o gur i thatë,/Luftuat me një rigatë,/Luftë burrat, luftë gratë”. Atje ku nuk ka dokumente, në popull ka patjetër këngë që kanë shkruar historinë.

Vajza, fshati amant i historisë, trimërisë, mençurisë

Vajza është një nga fshatrat me qytetërim të hershëm, e shquar në histori nga ilirët e deri më sot, ku historia, tradita, trimëria e mençuria, fshat ku nektari i këngëve të Ali Asllanit u përhap në mbarë shqiptarinë. Fshati Vajzë me histori thellë në rrënjët iliro-amantine ka lindur dhe rritur burra e gra atdhetarë dhe kjo vërtetohet në të gjitha periudhat historike të zhvillimit. Në kryengritjet e trevës labe Vajza ka pasur vazhdimisht përfaqësuesit e saj. Masakrat dhe sjelljet çnjerëzore të pushtuesve sikurse kanë qenë masakra e Manastirit, kur serasqeri i Rumelisë/ Ballkanit Mehmet Reshit Pasha për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundërosmane organizoi një masakër çnjerëzore gjakatare më 9.8.1830. Në Manastir u thirrën krerët e Toskërisë, gjoja “për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke”, por i pritën me një batare pushkësh që vranë në mënyrë çnjerëzore dhe të pabesë 500 të ftuarit shqiptarë dhe kokat e tyre i dërguan në Stamboll si fitore të madhe osmane. Pabesia osmane nuk u harrua kurrë dhe u shkrua si faqe e zezë e pushtimit, që u transmetua në breza tek shqiptarët. Asnjë dredhi osmane dhe as gjaku i derdhur lumë nga krerët e kryengritjeve nuk i trembi dhe nuk e mposhti Labërinë dhe krejt shqiptarët. Këtë e vërteton më së miri veprimtaria e viteve 1830-1847 ku zjarri i kryengritjeve antiosmane u ndez në jug dhe në veri të Shqipërisë. Vitet e Rilindjes e veçanërisht ato të pas luftës ruso-turke të 1880-1878, një numër i madh patriotësh të ndërgjegjësuar për periudhën e vështirë që kalonte vendi u mblodhën rreth patriotit dhe trimit Hito Zenel Hitaj dhe bashkë me të dhe Sulejman Kapo Hoxha, Karafil Brahim Brahimi, Nuro Xhelali, Çize Merko, Devoll Sadushi, Nuredin Boraj, etj. Ata u shndruan në bërthama e kundërshtimit me forcë të taksave të larta, të xhelepit, të dërgimit të djemurisë së Vajzës dhe mbarë Labërisë nizamë në vist më të largëta të sulltanatit osman.

Labëria vendi ku fëmijët burrërrohen para kohe

Hito Hitaj ishte lindur në oxhakun e Zenel Hitaj në pranverën e 1830, në mëhallën “Karavoq” në Vajzë të Vlorës. Si në gjithë Labërinë dhe në fshatin Vajzë fëmijët nuk kishin kohë ta jetonin fëmijërinë. Djali që lindi në familjen e dëgjuar të Zenel Hitaj ishte një jatagan dhe një pushkë e stërralltë për të mposhtur hallet e kohës dhe për të mbijetuar pushtimit të gjatë osman. Që fëmijë provoi peshën e halleve që ishin halle për të jetuar e mbijetuar përmes skamjes e fukarallëkut, por dhe përmes rrebelimit të vijueshëm antiosman dhe kundër çdo pushtuesi, ku kundërshtohej me të gjitha format pushtimi. Hito Hitaj, i përkiste një familje me tradita të shquara patriotike dhe atdhetare, që jataganin e dyfekun e kishin për zanat si gjithë Labëria. Vatra e ngrohtë familjare e mëkoi me traditën gojore të këngëve, papërkulshmërisë dhe revoltave të të fshatit Vajzë dhe mbarë trevës luftarake të Labërisë. Vajziotët ishin optimistë dhe në kohë pushtimi, Tregimet, këngët, historia e rritën djalin e Hitajve, edhe pse ai u bë bujk e blektor. Ishte djalë i shoqërueshëm me moshatarët, që u rrit livadheve e ujrave të kristalta të Vajzës. Lojrat me bashkëmoshatarët si mundja, vrapimet, kërcimet, gjuetia e forcuan djalin e fshatit Vajzë dhe të Labërisë, e bënë në të vërtetë një shkëmb labërie në përballimin e halleve familjare, fshatit, mbarë krahinës. Shpejt u burrërua dhe i doli në krahë familjes në punët e fushës dhe të malit, por nuk harroi asnjëherë jataganin e dyfekun, traditën labe si postulat i shekujve për mbrojtje.
Në vitet 1850 kreu detyrën e nizamllëkut në bazë të ligjit osman (nizamë-rend, rregull, ligj), dhe pasi i shpëtoi gjallë shërbimit ushtarak shtët vjeçar në shumë vende të Anadollit e Jemenit, erdhi në fshatin e lindjes, në Vajzë, krijoi familje dhe e rriti oxhakun e Hitajve, në Karavoq. Hito Hitaj ishte një zë burrëror i fjalës dhe i besës në Vajzë, ishte jo vetëm i pushkës e jataganit, prijës e luftëtar i sprovuar dhe që nuk i trembej syri. Ishte një orator i spikatur që ngrinte peshë zemrat e bashkëfshatarëve dhe të krahinës kundër pushtimit. Aktiviteti i tij kundërshtues ndaj rregjimit është rregjistruar në kujtesën historike të brezave si një prijës dhe luftëtar që shkatërruan karakollet/postoblloqet, shembën kubenë/vendin e shenjtë, të ngritur në Karavoq dhe gurët i përdorën për ngritjen e shtëpive dhe pllakat e gurit për të shtruar lëmin ku shihej bereqeti me kuaj në Vajzë të Vlorës. Aktiviteti patriotik i fshatit Vajzë edhe nën frymën e LSHP-së mori përmasa të mëdha dhe më të organizuara, por që kulmon me vrasjen në Vajzë të kryetrimit, prijësit, luftëtarit dhe organizatorit të rrebelimeve dhe kryengritjeve të fshatrasisë së zonës Hito Zenelit në vjeshtët e vitit 1878. Kuvende të shumtë në Labëri dhe në treva të tjera shqiptare kishin sjellë në vëmëndje mbarëpopullore, ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, që një stacion krenarie është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërkohë që aktiviteti kundërshtues vijonte në të katër Vilajetet shqiptare.

Trimat nuk vdesin, ata
ngelen në këngë

Aktiviteti i pandërprerë kundër pushtimit në Vajzë, në Labëri dhe më gjerë lidhej me platformën e Rilindjes kombëtare, për gjuhën shqipe, dhe të drejta të tjera të shumta të mohuara, për të lehtësuar popullatën e varfër nga taksat dhe taksidarët që i rrëmbenin fshatarsisë deri edhe kafshatën e fundit. Një problem tjetër madhor ishte edhe administrata të tishte shqiptare, gjyqtarët gjithashtu dhe gjithë sistemi i drejtësisë dhe për më tepër djemtë shqiptarë ta kryenin ushtrinë në trevat shqiptare. Në ato vite kishte një anije/gemi me emrin “Daut”, që mbushej me djem shqiptarë për të bërë ushtrinë 7 vite në viset më të largëta të perandorisë osmane. Nuk ishin pak por çdo vit 14 mijë djem askerë në të gjithë sanxhaqet/prefekturat e Shqipërisë në Rumeli. Ndërkohë që kur dovleti osman lëshonte kushtrim “Vatan koruma için/për mbrojtjen e vatanit” në “harb zamani”/ kohë lufte, numri i të mobilizuarve sërish rritej që përfshinte dhe redifët/ rezervistët e vullnetarët. Gemia “Daut”, ishte bërë një emër i njohur për skelat bregdetare shqiptare të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës e Sarandës sepse çonte në kazermat ushtarake të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të “fermanëve” famëkeqe, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me gjak, me zjarr e hekur. Në brigjet shqiptare e quanin “Anija e Dhembshurisë”, të dhimjes e dashurisë, të mallëngjimit e shpresës, sepse ndër vendet ku shërbenin arnautët ishte edhe Jemeni sikurse ishte çdo pikë e sulltanatit në 8 milionë km² në tre kontinente. Jemeni njihej në popull nga këngët popullore…“Ah o Jemen,/trëndafil prej bari,/vallë kush shkon,/pse nuk kthehet më për së gjalli?.”. Ndërkohë luftëtarë sypatrembur të Vajzës u bashkuan Çize Markua, Sulçe Sulçaj, Nuro Xhelali, Devoll Sadushi, Hito Hitaj, Nazo Nazaj e shumë luftëtarë të tjerë vajziotë. Kjo periudhë deri në vitet që pasuan është e mbushur me ngjarje të mëdha për fshatin Vajzë. Taksiderët e sundimtarëve osmanë të shoqëruar nga xhandarët, kërkojnë me çdo kusht të paguhen xhelepet, por disa herë ata ishin përzënë me forcë nga ana e fshatarëve të Vajzës dhe mbarë krahinës, një betejë e përhershme e Labërisë me pushtuesit.
Ngjarja më e hidhur dhe indinjata më e thellë ishte ajo e vrasjes së Hito Hitajt nga xhandarët osmanë në fshatin Vajzë në 12 të vjeshtës së dytë (tetor) të 1878-tës. Hito Zenel Hitaj ishte prijës dhe luftëtar i sprovuar, kundërshtar i paepur i pushtimit si dhe nismëtar për të mos paguar as taksa dhe për të mos dërguar ushtar mish për top për sulltanatin osman. Për këtë arsye edhe ishte vënë në qendër të koshareve osmanë dhe taksidarëve si një ndër rrebelët dhe kundërshtarët që i hapte punë pushtuesit. Por nuk e lejonin të ishin të lirë në punën e vet. Protestat e vajziotëve për raprezaljet, shtypjet nga ana e të dërguarve të sulltanëve, arritën deri tek valiu i Janinës, por më kot, asgjë nuk u mor parasysh, përkundrazi, vuajtjet e popullit nën robërinë osmane sa vinin e shtoheshin. Fshatarët patriotë vajziotë nën udhëheqjen e Karafil Brahimajt e Sulejman Hoxhës formuan një çetë prej më tepër se 30 veta, që nganjëherë kur bashkoheshin me fshatrat e tjerë bëhej një uragan i papërballueshëm nga trupat pushtuese, dhe këto rrebelime popullore në trevën labe dhe jo vetëm ishin të shumta dhe të konsiderueshme. Formimi i çetës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e fshatit Vajzë. Komandant i çetës u caktua Çize Merko Brahimaj, që ishte edhe më i përgatitur nga ana ushtarake, pasi kishte shërbyer disa kohë në ushtrinë osmane me gradën ushtarake të “Çaushit”, por që e kishte braktisur ushtrinë osmane sepse kishte vrarë një oficer osman. Ai po ecte në rrugën e prijësit dhe luftëtarit të vrarë nga osmanët Hito Zenel Hitaj. Veprën e trimërisë dhe krenarisë së fshatit Vajzë Hito Zenel Hitaj, e pasuan edhe trimat e tjerë në vitet pas Lidhjes Shqiptare e deri në shpalljen e pavarësisë. Edhe pas ekzekutimit barbar dhe të pabesë të Hito Zenel Hitaj nga osmanët nuk mundën ta shuanin frymën e revoltës antiosmane në popull që solli deri në ngritjen e një çete patriotike luftëtare për të luftuar pushtimin osman. Pra vrasja e trimit Hito Hitaj e ngriti edhe më lartë frymën kundërshtuese ndaj pushtimit jo vetëm në Vajzë dhe në Labëri, Vlorë, Tepelënë e Gjirokastër, por në mbarë Vilajetin e Janinës. Trimëria shqiptare sa herë ka pasur vrasje është lartësuar frymëzimi dhe kënga. Por një ndër këngët që është kënduar përreth një shekull e gjysëm në Labëri është ajo që i këndohet trimit Hito Hitaj. Kënga thotë: “Moj mëhalla e Karavoqe,/Dy herë nga turqit u dogje,/Hito Zeneli me famë,/Nga Karavoqajt në Vajzë,/I dërgon Pashait fermanë,/Vajza s’pranon taksidarë,/Dhe vërsulet si fajkua,/Në brinjë në Allatua,/Ku janë ullinjtë e Ymere,/Turqit i bëri fërtele,/Hallall e paç Hito djali,/Në Stamboll të vajti nami”, si dhe vargjet që shënojnë trimëri brezash të luftëtarëve: “Sulejmani me Karafilë,/Që të dy gjithë bilbilë,/Tek rrapi Krekës u mblodhë,/Me ata trimat me kordhë,/Hito Zeneli trim i rrallë,/Kordhëtar mbi kordhëtarë,/Gjakun nuk ja lanë pa marrë..”. Këngët për trimat e Labërisë janë ngritur përherë, pasi trimëria ngelet në këngë si dëshmi historike e kohës, sikurse është kënduar edhe për prijësin luftëtar Hito Zenel Hitaj kapedan që nuk u harrua në fshatin Vajzë të Vlorës dhe në mbarë shqiptarinë, por shërbeu si burim frymëzimi për mbarë brezat e fshatit Vajzë dhe gjithë Labërisë. Për ketë flet Historiku i fshatit Vajzë i vitit 1980 dhe sot të rënët në beteja meritojnë nderimin me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”, që në Shqipëri sot e garanton juridikisht ligji nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, pasi është një ligj që nuk i harron të rënët e truallit arbëror. Kjo është më e pakta që mund e duhet të bëjnë brezat për të nderuar e lartësuar kombin shqiptar mes kombeve më të qytetëruara të botës.