I paharruar kujtimi dhe akti heroik i dëshmorit Dushan Shametaj! Lavdi dëshmorëve të Fekenit

Që nga data 15.11.2023 eshtrat e dëshmorit të atdheut, Dushan Shametaj, do të prehen pranë varrezave “Dëshmorët e Kombit”, ku prehen edhe gjithë dëshmorët e atdheut, që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në emër edhe të Ministrit të Mbrojtjes zotit Niko Peleshi dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneralmajor Arben Kingji, ju përcolli familjarëve (bashkëshortes Donika, fëmijëve Doljan dhe Elvana, vëllezërve Balil, Moisi dhe Bedo) ngushëllimet më të thella dhe mirënjohjen për aktin sublim të dëshmorit të Atdheut Dushan Shametaj.
“Dyzetë e dy vite më parë, në dimrin e acartë, në malin e Meçekut, në një stërvitje dimërore të studentëve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, më 6 shkurt 1981, në një ditë tragjedie, heroizmi dhe solidariteti ushtarak, dhanë jetën në lulen e rinisë 11 ushtarakë, midis tyre, komandanti i batalionit, Dushan Shametaj, shefi i planizimit Çlirim Pulaj, pedagogu i taktikës Nikollaq Bero dhe studentët: Aleko Gjoni, Besnik Shehu Bilbil Pashaj, Ilir Gramatikoi, Bujar Ago, Pëllumb Rrapo, Qemal Lika, Nexhip Çoba, të cilët me Vendim Nr. 2506/2 datë 01.09.1999 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”,-tha ndër të tjera numri dy i FA të RSH gjeneralmajor Manushaqe Shehu.
Familjet e të rënëve, prindërit, bashkëshortet, fëmijët, ashtu si edhe familja e komandant Dushanit përjetuan momente tepër të vështira. Bashkësortes, Donikës iu desh të përballonte me kurajo jetën me dy fëmijët e saj të mitur, Doljanin dhe Elvanën, por duke qenë krenar për sakrificën sublime të bashkëshortit dhe babait të tyre të paharruar komandant Dushanit.
Gjenarlmajore Shehu tha se “Komandanti i batalionit 31 vjeçari nga fashati Dorëz i Tepelenës, Dushan Fejzi Shameti, së bashku me oficerët Çlirim Pulaj e Nikollaq Bero dhe plot studentë të tjerë, edhe pse nuk ishin në momentin e rënies së ortekut të parë, shkuan në ndihmnë të shokëve të tyre studentë dhe në përpjekje për të shpëtuar jetë, dhanë jetën e tyre nga orteku i dytë më i forti, më i tmerrshmi dhe më tragjiku.
Dashuria dhe solidariteti që ekziston midis ushtyrakëve, i bëri ata të flijonin jetën. Për Dushanin me shokë nuk kishte qetësi, vendi nuk i mbante kur studentët e shokët e tyre përplaseshin me forcën e natyrës. Të tillë ishin edukuar e kalitur ata ushtarakë nga familjet dhe nga zona nga vinin, por edhe nga edukata dhe arsimi i marrë në shkollën ushtaake, ku dashuria dhe respekti për njëri tjetërin arrinin shkallën më të lartë të ndërgjegjes së tyre.
Kanë kaluar vite e do të kalojnë edhe të tjerë, por 11 “Dëshmorët e Fekenit” do të mbeten të paharruar në memorien tonë si ushtarak, në kujtesën tuaj e të çdo familjari. Emri i tyre sot është lartësuar në emra shkollash e rrugësh, skalitur në libra me poezi, proza e poema, në filmin dokumentar “Orteku”.
Një pllakë mermeri me emrat e tyre është vendosur në Fekenë, atje ku ata dhanë jetën. Në lulishten kryesore të Garnizonit Ushtarak “Skënderbej”, është ngritur Memoriali, ku është vendosur një copë shkëmb nga Mali i Meçekut dhe skalitur 11 emrat e tyre. Ndërsa ish studenti e bashkëmoshatari i tyre, Agron Zerani, njëri nga të mbijetuarit e kësaj ngjarje, në kujtim të tyre më 6 shkurt të këtij viti, mbolli 11 selvi pranë liqenit të Farkës që simbolizojnë jetën e 11 dëshmorëve. Ata do të mbeten burim frymëzime për brezat e ardhshëm. Duke përfunduar zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH gjeneralmajor Manushaqe Shehu tha se “Kujtimi i dëshmorit Dushan Shametaj do të ngelet i paharruar në kujtesën e familjarëve dhe të afërmëve dhe të të gjithë ushtarakëve shqiptarë. Ai tani do të prehet akoma më i qetë përkrah dëshmorëve të tjerë të atdheut”.