Krijimi i batalionit “Perlat Rexhepi” më 30 korrik 1943 dhe i çetave e batalioneve të tjera partizane e rritën besimin në popull se dita e fitores ishte afër. Ky besim e optimizëm ndihej edhe në Dukagjin ku diskutohej vazhdimisht të formohej një njësi partizane. Që në korrik 1943 nga qarkori i Shkodrës u bënë përpjekje të shumta për krijimin e një çete partizane në Dukagjin. Detyrat që shtroheshin për çlirimin e vendit, ndiheshin fuqimisht edhe në Dukagjin. Bazat teorike e praktike të krijimit të saj, ishin përgatitja e popullit për luftë, pa dallim feje, besimi e krahine, si dhe organizimi i kryengritjes së përgjithshme të armatosur për çlirimin e vendit. Pavarësisht përpjekjeve të bëra që në korrik 1943, u desh të kalonin edhe disa muaj që detyra të bëhej realitet. Kjo u arrit me 5 nëntor 1943 kur në një fshat të zonës së Shoshit, u arrit të krijohet çeta partizane e Dukagjinit. Në kushte e rrethana të tilla bënë që qarku i Shkodrës të dërgonte edhe një herë një grup shokësh si; profesor Kol Prela, Qazim Kapisyzi, Sadik Bekteshi, Tom Kola “Hero i Popullit”. Me krijimin e çetës, 36 luftëtarë të udhëhequr nga trimi Gjon Marashi, komisar Market Pjetri Dëshmor i Atdheut, detyrat kryesore ishin kundërvënia e propagandës antifashiste, shtimi me elementë të rinj të çetës së sapokrijuar, dhe mundësia e kompletimit të batalionit “Perlat Rexhepi”, dhe e njësive të UNÇSh që vepronin në këtë zonë, me djem të rinj nga Dukagjini. Çeta e parë e Dukagjinit, kreu edhe mjaft aksione luftarake, kundër armiqve. Nga këto aksione dhe puna propagandistike me popullin, çeta e Dukagjinit, po krijonte përditë e më shumë terren. Por duhet të pohojmë dhe jo ta “fshehim” e ta shtrembërojmë këtë fakt, siç bëjnë sot pinjollët e Ballit dhe armiqtë e LAN? E vërteta është se çeta partizane e Dukagjinit, u përball me mjaft vështirësi nga bajraktarët e kleri katolik. Të thuash të kundërtën, do të thotë të shtrembërosh historinë. Kleri e bajraktarë ata u bashkuan me fashizmin e nazizmin dhe luftonin që të mos humbisnin interesat dhe influencën e tyre. Prandaj, ndodhi që ata që ju kundërvunë partizanëve të çetës dhe jo vetëm; me të gjitha mjetet, por nuk mundën të ndalnin idealin e partizanëve për çlirimin e vendit. Populli i Dukagjinit ka ditur të dallojë kush ishte në favor të tyre e kush jo, prandaj e ndihmoi me gjak e shpirt luftën për liri.