Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL), në bashkëpunim me bashkitë e Dibrës dhe Bulqizës, organizoi më 7 tetor 2023 sesionin shkencor me temë: “Çeta antifashiste dhe partizane e Gollobordës me komandant Ahmet Fetah Camin”.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, qindra pjesëmarrësit që kishin mbushur sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ndoqën me vëmendje dhe interes të veçantë filmin dokumentar kushtuar Çetës partizane të Gollobordës dhe veprimtarisë atdhetare të dëshmorit Ahmet Fetah Cami – pjesemarres i dy Luftrave Boterore dhe komandant i kësaj çete, me skenar dhe regji të Tefta Camit – ish ministre e Arsimit dhe Kulturës.

Në këtë sesion shkencor të moderuar me kompetencë shkencore nga Prof.dr.Paskal Milo, u mbajtën katër kumtesat si vijon:
• Ahmet Cami-biografi e shkruar me gjak si pjesëmarrës i dy luftrave botërore – nga
Halil Rama-Mjeshtër i Madh;
• Krijimi i Çetës Antifashiste të Gollobordës në janar të vitit 1940 dhe kthimi në Çetë partizane nga komandanti Ahmet Cami në maj të vitit 1943 – nga historiani,
Dr. Kadri Dauti;
• Dukuri luftarake për Çetën partizane të Gollobordës – nga Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj’;
• 80-vjetori: Lufta për mbrojtjen e qytetit të Peshkopisë në vitin 1943- nga Dr .Asllan Zemani.
• Lufta e çetave partizane të Batalionit të Dibrës dhe të Çetës partizane të Gollobordës për çlirimin e viseve shqiptare përtej kufirit dhe të qytetit të Dibrës së Madhe në vitet 1943-1944 kundër forcave pushtuese nazifashiste – Nga Prof.dr.Nebi Dervishi (publikuar në sesion, pa praninë e tij, për arsye familjare).
Kryesia e OBVL falenderon të gjithe pjesëmarrësit nga Shqipëria e Kosova qe na nderuan me pranine e tyre.
AHMET CAMI – PJESËMARRËS I DY LUFTRAVE BOTERORE
E puthi vdekjen me këngën e lirisë në gojë – “Ja dy pëllëmbë e mbi shokë, ja i katërmbëdhjetë dhe nën tokë”:
1- Puna ime le të jetë lufta dhe paqja ime të jetë fitorja.
2-Epo kështu është kjo botë… Herë ulet e herë ngrihet.
3-Parajsa e kësaj bote është grueja e mirë.
4- Ma sa bëhet mushkeria jani aq bëhet kopuku zotëri. I keqi më mirë të mos jete. Po për çudi ata gjithmonë jetojnë më gjatë për sehir të dynjase.
5-Ja dy pëllembë e mbi shokë , ja i katërmbëdhjetë dhe nën tokë.
6-Interesi të daltë fundi, nuk na le mik kurkundi.
7-Kur të të gjejë ditën, të nxjerr dritën.
8- Këta njerëz që të ulën sot do t’ju ngrejnë sërish nesër.
9-Mos besoni kerkend përveç të vërtetës. Omar Kayam ka thene ; E vërteta është “nji” dhe Ai njishi je ti vetë.
10-Njeriu përpara ligjit është si vesa para diellit. Sikur të isha person juridik dhe sidomos nëse do të kisha detyrën e Prokurorit të Shtetit ndaj këtyre njerëzve, që tentojnë me prishur dhe shkatërrue krejt jetën shoqërore, kisha me u tregue tepër i rreptë dhe pa pikë shpirti e ndërgjegjeje, duke gjetur dispozitat më të rrepta që flasin për këto qëllime.
11- Napoleon Bonaparti ka thënë; “Në prehnin e nanës ndahen fatet e kombeve.”Pra ku mbeti vlerësimi i femrave shqiptare?!
12-Mirë ka thënë Fishta; “Zani i zi për Shqipëri. ”Po si nuk foli kush mirë për ne shqiptarët!!!
Sentencat e mesiperme jane marr nga ditari qe ka shkruar në burg Ahmet Cami si antifashist në vitet 1941-1942.