Nga Bashkim Hisari

Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljës së pavarësisë, dhe pasi më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e saj, çështja e Kosovës në skenën botërore ende rri pezull. Atë që kemi parë dhe dëgjuar javët e fundit na sugjeron se kriza kronike në Kosovë nuk po qetësohet. Eskalimi i tensioneve dhe shqetësimet për siguri janë bërë sfida me të cilat qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen. Tensionet po i krijojnë ata që po e drejtojnë Serbinë, njerëzit që në tru nuk kanë mendime të pastra dhe janë “heronjë” pa mbulesë që duan ta ruajnë pushtetin me çdo kusht. Autoritetet serbe, klika e kriminelit Sllobodan Millosheviq në krye me Vuçiq, Daçiq Vulin, Sheshel etj., krijuan një atmosferë se të drejtat e komunitetit serb në Kosovë mund të mbrohen vetëm me rezistencë fizike, me barrikada, me armë dhe sulme terroriste. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është distancuar nga sulmi terrorist në veri.

Të shtënat ndaj Policisë së Kosovës – të shtëna ndaj paqës, jetës normale dhe sigurisë

Vuçiq, si njeriu më i fuqishëm në Serbi, thotë: “ … edhe fëmijët trembëdhjetë vjeçarë janë gati të marrin armët në Kosovë e Metohi”. Pra, nuk është për t’u habitur që më 24 shtator ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës. U vra rreshteri Afrim Bunjaku, dy policë u plagosën, dy të tjerë u lënduan. Në luftimet që u zhvilluan në manastirin e fshatit u vranë edhe tre sulmues nga grupi prej 90 serbëve dhe pjesëtarëve të formacioneve paraushtarake “Mbrojtja civile” dhe “Brigadat e veriut”. të strehuar në Manastirin e Banjskës në veri të Kosovës. Ata ishin përgatitur për një kohë të gjatë në bazat e trajnimit të ushtrisë serbe brenda Serbisë. Në ditët pas sulmit, Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh të sofistikuara që nuk mund të blihen në tregun lokal jashtë sistemit shtetëror. Armatimin e rëndë që vlersohet rreth 20 milonë euro, terroristët serbë e kishin fshehur në Manastir dhe e kishin transportuar me autoambulancë nga Serbia në veri të Kosovës.
Autoritetet kosovare, sulmin e cilësuan si akt terrorist sponsorizuar dhe urdhëruar nga Serbia me qëllim që të anenekson veriun dhe të kërcënon sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Serbia hodhi poshtë akuzat e Kosovës edhepse përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua në Serbi, u mor në pyetje por u lirua një ditë më vonë. Radojçiq, dyshohet se ka lidhje me vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq dhe është vendosur në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.
Bashkimi Europian dhe SHBA ishin shumë të qartë në reagimet për sulmet ndaj policisë së Kosovës. I dënuan sulmet, kërkuan që rasti të hulumtohet dhe përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Përsëritën mesazhet për domosdoshmërinë e sigurimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, uljen e tensioneve, angazhimin konstruktiv për të arritur progres në dialog. NATO e shtoi numrin e pjesëtarëve të misionit paqeruajtës në Kosovë KFOR dhe rriti patrullimet në veri. Në Samitin e liderëve të BE në Granada, Kosova ishte në fokus, por vetëm në mënyrë deklarative, në thelb aty nuk u bë asgjë për tejkalimin e krizës ekzistuese dhe uljen e tensioneve sikurse edhe në Samitin e Berlinit në Tiranë që nuk solli ndonje zgjidhje. Ditë më parë, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë me të cilën e dënoi ashpër sulmin në veri të Kosovës nga “paraushtarakët e mirë organizuar serbë” dhe “politikën e rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës”. Në takimet e fundit më 21 tetor emisarët perendimor në Prishtinës dhe Beogradit thanë se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë dhe theksuan se sulmuesit në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë.
Mirëpo, përkundër dëshmive të qarta të aktiviteteve terroriste dhe mbështetjes së terrorizmit nga regjimi i Vuçiqit, faktori ndërkombëtar nuk zbatoi sanksione ndaj Serbisë dhe nuk i hoqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u vendosën më parë!

Në Kosovë, Serbia kreu krimet më të rënda të luftës

Tani më, shumica e shteteve të botës, pajtohen se në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, serbët kanë kry krime më të rënda në territorin e ish-Jugosllavisë. Gjatë konflikteve brutale të armatosura të viteve 1998/1999 në Kosovë, forcat serbe kanë kry rreth 400 masakra, vranë mbi 13.500 persona, gra e pleqë dhe 1432 fëmijë, prej tyre 239 të moshës deri 5 vjeçë. Të zhdukur me dhunë ishin 1658 njerëzë. Numri i viktimave të dhunës seksuale llogaritet të jetë rreth 20.000. Shkaktuan dëme enorme materiale. Nga Kosova u dëbuan me force mbi 800.000 shqiptarë. Për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shqiptoi dhjeta aktgjykime kundër politikanëve dhe komandantëve ushtarakë të Sërbisë. Regjimi terorist kriminalo-populist i radikalit patologjikisht, shmanget nga ballafaqimi me realitetin e Kosovës, ende vazhdon t`i mohoj krimet dhe gjenocidin e ushtruar dhe tregon përralla të çmendura për ruajtjen e integritetit territorial. Krijon tensione dhe destabilizon gjithë rajonin sepse në krye të shtetit ka kriminelë dhe profiterë nga lufta, fytyra dhe duarët e të cilëve janë të lyera me gjak. Ata nuk po distancohen nga politika e kriminelit Millosheviq. Me sulmet terroriste në Banjskë, Serbia dëshmoi se nuk është e intersuar për deshkallzimin e tensioneve, se s’do bashkëpunim dhe se nuk është e interesuar për dialog me ndihmën e BE dhe SHBA, por dëshiron aneksimin e veriut të Kosovës. Andaj, rreziku nuk është neutralizuar tërsisht dhe nuk është skenar që nuk mund të përsëritet.

Vuçiq po vepron si Millosheviqi në vitetë 90-të dhe Putin me aneksimin e Krimesë

Presidenti serb Vuçiq po bënë atë që nuk ka mundur të bëjë gjatë regjimit të Millosheviqit. Ai, tash, çartazi po tenton aneksimin e veriut të Kosovës. Në sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës, Radojçiqi ishti organizator dhe ekzekutor i urdhërave të Vuçiqit i cili këtë kriminel e quajti “hero të lirisë”. Lartësoi tre terroristët serbë që e sulmuan Policinë e Kosovës dhe shpalli zi për ta. Pa asnjë argument akuzon kryeministrin e Kosovës Albani Kurti se është “ terroristi i cili vret dhe terrorizon popullin serb”.Vazhdon me veprimet provokuese duke urdhëruar dislokimin e njësive të artilerisë, tankeve dhe këmbësorisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën. Dekada e sundimit të Vuçiqit u shënua me rënjën e vazhdueshme të demokracisë në Serbi, e cila gjithnjë e më shumë po bëhet shtet autoritar. Gjatë bisedave në Bruksel, Vuçiq tregon pajtueshmëri të rreme për zbatimin e marrëveshjeve që ofrojnë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve. Prandaj, nuk ka arsye për të besuar se lidershipi politik serb është i interesuar ta çojë Serbinë në BE.

Sërbia nuk ka hequr dorë nga ideja e Serbisë së Madhe

Lojërat politike të autoriteteve në Beograd që të mashtrojnë qytetarët e Serbisë po vazhdojnë. Ende dëgjohen argumente krejtësisht të falsifikuara dhe të rreme që na kujtojnë fjalimet e viteve të 90-ta që tashmë janë bërë interes kombëtar dhe dëshmojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga ideja e Serbisë së Madhe.
Qëndrimet e tyre paraqesin rrezik për qëndrueshmërinë në rajon për çfarë mbajnë përgjegjësi politike. Ata janë pjesë e problemit dhe jo zgjidhja. Në Serbi, terroristët po shpallen hero, po rehabilitohen udhëheqësit çetnik-profashistë serbë të cilët po trajtohen si atëdhetar. Në ditën kur në Tiranë u mbajt Samiti i Berlinit ku liderët e BE bënë thirrje për paqe e bashkëpunim dhe në prag të shënimit të ditës së çlirimit nga nazifashizmi, në Beograd u hap një dhomë përkujtimore në të cilën u vendos shtatorja e Drazha Mihailoviqit, një komandant çetnik, kriminel lufte, i cili bëri vepra të tmerrshme dhe krime të mëdha kundër popullatës joserbe. Në këtë manifestim mori pjesë një numër i madh qytetarësh, kryesisht adhurues të figurës dhe veprës së shërbëtorit fashist, vendi i të cilit është në shportën e plehërave të historisë, jo në muze. Gjithçka që u dëgjua atje ishte një falsifikim i pastër i historisë, një hap drejt fashizimit shtesë të shoqërisë serbe, tallje e historisë, mohim i viktimave të fashizmit dhe një përpjekje për të përshtatur historinë për nevojat e përditshme politike të regjimit aktual. Prandaj, është e mundur që zgjidhja e çështjes së Kosovës të zgjatet.

Ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe arritja e një marrëveshjeje-çështje urgjente

Kosova është e vetëdijshme se rruga e saj drejtë BE-së kalon përmes dialogut dhe normalizimit dhe se çdo përshkallëzim i mëtejshëm ka efekt të keq në atë proces, por edhe në stabilitetin e rajonit. Andaj është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, dhe është rreshtuar në aleancën e lirisë. Padyshim, me ndërgjegjën, moralin, politikën e saj do të gjykokoj drejtë ngjarjet e fundit do siguroj unitetin e të gjitha farcave politike për të përdorur arsyen e vetëdijen për eliminimin er rrënjëve, shkaqeve të masmarrëveshjeve ndëretnike me serbët që janë të kahershme. Por, çdo zgjidhje do jetë e lidhur me njohjen e pavarësisë. Kosova është shtet i pavarur që nga viti 1999. Ka kohë që është shënuar fundi i luftës që Serbia e bëri dhe e humbi në Kosovë. Në koordinim dhe bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar do të angazhohet që sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje konkrete për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nëse situata aktuale mbetet e njejtë dhe ballafaqimi me realitetin zvarritet, atëherë, ditët e vjetra tragjike do vazhdojnë të jetojnë me ne dhe në ne.