TEMENARAT NDAJ TË HUAJVE JANË TË RREZIKSHME PËR FATET E KOMBIT

• “Sikur të më dhuronit gjithë botën, megjithëse jam shumë i varfër, nuk do të vihesha në shërbim të askujt, kundër interesave të vendit tim”.
Jeronim De Rada – “Testamenti politik” i vitit 1902

SHPENDI TOPOLLAJ

Sado epikurian të jesh, nuk mund të rrish indiferent ndaj politikës, pasi të paktën këtu te ne, ajo nuk të ndahet këmba – këmbës. Pastaj, kur bëhet fjalë për të sotmen dhe të ardhmen e Atdheut, askush nuk duhet mbyllë sytë e të bëjë sikur nuk sheh apo të qepë gojën dhe të mos e thotë fjalën e tij. Ca më shumë, kur veç problemeve që vet politikanët tanë krijojnë mes tyre me qëndrime shpesh aspak korrekte, madje dhe të dënueshme, në lojë kanë hyrë edhe të huajt, që duke shkelur çdo normë elementare në marrëdhëniet mes sheteteve, po e bëjnë baltë, duke luajtur me fatet tona, sikur Shqipëria të ishte mall pa zot. Patjetër që në emër të interesave dy e shumëpalëshe, do të ketë koordinime në politikat e jashtme nga ana jonë, do të ketë marrëveshje dhe traktate me detyrime të përbashkëta, që garantojnë bashkëpunimin, do të ketë shkëmbime e ndihma patjetër, deri dhe veprime ushtarake sipas rastit që kjo botë e trazuar imponon etj. etj. por kjo nuk do të thotë që të kalohet në nënshtrim apo në atë që po lakohet pak si shpesh se ne e kemi dorëzuar sovranitetin. Kush është ai që e paska atributin e sovranitetit dhe vepron me të si ti dojë qejfi, përveç popullit shqiptar? Ai që do, mund ti dhurojë ndokujt shtëpinë e tij, por jo Atdheun. Qoftë dhe në emër të mirënjohjes e miqësisë, qoftë se ai është i fuqishëm dhe i pasur, qoftë se diku duhet të mbështetemi. E ca më keq akoma, kur miqësia apo më drejtë besimi që kemi, nga ai i fuqishmi shfrytëzohet për ti përçarë më tej forcat politike e si rrjedhojë vetë popullin. A nuk e ktheu vitet e fundit, ambasada amerikane, politikën tonë në një shportë karavidhesh. A nuk e lidhi artificialisht DASH atë shpikjen inatçore “Non grata” me shpartallimin e opozitës shqiptare që zor se do ta marrë veten edhe për dekada të tëra? Po këta dudumët tanë pse nuk e thonë hapur se nga erdhi kjo e keqe, por i vinë si frikacakë anash e anash si hajdutët e vreshtit? Është fakt i padyshimtë se te ne gjithkush i bashkohet pa asnjë rezervë cilësimit aleat strategjik të SHBA. Por kjo nuk do të thotë që në luftën politike të përdoren termat banale se ne jemi pro amerikanë dhe ju jeni grupimi antiamerikan. Ti servilosesh Amerikës, mendoj se është shumë më e keqe sesa ta qortosh apo të shfaqësh mospajtim me të, kur nuk e ka mirë apo kur preken interesat tona. Mendoni sesa e neveritshme dhe fëminore tingëllon teoria se Amerika do të vendosë situatën në Shqipëri, ajo do të realizojë një drejtësi të kulluar, ajo do u vërë hekurat politikanëve abuzues, por prisni se “Ajo e kap lepurin me qerre”. Po çpunë ka një shtet i anës tjetër të planetit me drejtësinë e Shqipërisë edhe pse mund të ketë dhënë ndihmesën e saj për ndërtimin e organeve të reja, gjë për të cilën i jemi falenderues. Nuk besoj se e ka dhënë këtë ndihmë për të na vënë kapistallin dhe për të na trajtuar si koloni të vetën. Është e njëjta gjë sikur këtë ta pretendonte dikur edhe Kina e Mao Ce Dunit, se edhe ajo nuk i kurseu ndihmat për ne. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se këto 33 vjet nuk kemi dëgjuar nga ata të tribunës, në takime, konferenca e mitingje, thirrje naive si “Rroftë miqësia e pathyeshme shqiptaro - amerikane”, siç bënim dikur me jugosllavët, sovjetikët, kinezët e dreqin me të birin. Se këto përgjërime nuk i hanë as ata vetë, pasi ende u kumbojnë veshët nga thirrjet ulëritëse “Poshtë imperializmi amerikan” apo “SHBA - janë njëkohësisht edhe tigër prej letre edhe xhandari ndërkombëtar i popujve”. Por pika më e ndjeshme e qëndrimit të gabuar që aktualisht po mbahet nga ana e politikanëve të huaj është ai ndaj Kosovës, pra ndaj Kombit tonë. A nuk e tregoi këtë ajo shtëpia e verdhë në Mat që mori famën e shtëpisë misterioze të Balzakut, dhe a nuk mjaftoi dërgimi në Hagë i drejtuesve të UÇK për ti hequr aureolën e lavdisë kësaj lufte? Ndërsa sot, diplomacia ndërkombëtare i është turrur me të gjitha bateritë Albin Kurtit, duke i bërë presione absurde, duke e kërcënuar dhe për turpin e saj, duke vendosur sanksione ndaj Kosovës, se sipas tyre po tregohet kokëfortë në bisedimet me Vuçiçin dhe nuk po pranon asociacionin. Dhe me këtë kor janë bashkuar deri diku edhe zëra në Kosovë si dhe politika zyrtare e Shqipërisë. Vërtetë nuk i njohin serbët këta, të paktën pas vitit 1918? Vërtetë e kanë humbur kujtesën deri atje sa të harrojnë krimet e tyre? Vërtetë nuk i nuhasin dredhitë e Vuçiçit që as firmos dhe as e mban fjalën për çdo marrëveshje? Po si është e mundur të ulesh e të bisedosh me atë që e thotë troç se as të njoh dhe as do të të njoh ndonjëherë? Edhe diplomacia perëndimore, vërtetë pandeh se një marrëveshje e bërë me shantazh, pra e detyruar, do të shkojë gjatë?
Ato marrin jetë dhe bëhen të besueshme vetëm kur palët shprehin vullnetin e tyre të lirë, pa ja imponuar askush. Kjo diplomaci, haptazi e njëanëshme, pse nuk vë kusht respektimin e të drejtave nga të dyja palët, respektivisht në komunat serbe në Kosovë, por edhe për ato shqiptare në Luginën e Preshevës? Asociacioni, duhet kuptuar drejtë: ai është veprim me larghedhje i cili nuk i mbyll mospajtimet mes dy vendeve, por vetëm se u hap rrugën atyre. U jep nacionalistëve serbë mundësinë që të mos e lënë asnjëherë të qetë Kosovën dhe qeverinë e saj me ato grupet e armatosura të banditëve, dhe synon nga ana tjetër të krijojë idenë se kosovarët nuk ndërtojnë dot shtet. Kjo, në analizë të fundit, krijon vështirësi serioze që në të ardhmen të realizohet bashkimi kombëtar, pra i Kosovës me Shqipërinë.
Dhe pikërisht ky i fundit, për mendimin tim, është qëllimi kryesor i të ashtuquajturit asociacion, për të cilin janë vënë në lëvizje me gjithë energjitë dhe djallëzitë e tyre qarqet ultranacionaliste, klerikale dhe ushtarake në Serbi. Dhe ta dini mirë; ata shfrytëzojnë jo vetëm zbutjen e toneve të perëndimorëve, por edhe mbajtjen e isos nga qeveria jonë. A nuk flet fare qartë për këtë edhe agresioni propagandistik dhe ndërhyrja brutale e grekëve në Himarë? Si është e mundur të lejohet kjo? Janë pasoja këto që vinë nga disa shkaqe, ku më kryesori është ai që edhe qeveria jonë i kërkon Albin Kurtit tu bëjë lëshime poshtëruese dhe me pasoja të dhimbshme serbëve, duke shkelur mbi gjakun e Heroit Adem Jashari dhe mijra e mijra djemve e vajzave të tjera. Por askush se thotë se cilat të drejta po u shkelen serbëve në Kosovë. Ata, vendosën vetë të bojkotojnë zgjedhjet vendore, se kërkojnë shkak për sherr. Mirë, ja do të përsëriten ato, se ndofta kjo është më e udhës në situatën e krijuar; po sikur ata sërish të mos marrin pjesë, si i bëhet kësaj pune. Për nga agresiviteti, padrejtësia dhe krimet e kryera, askund nuk ndryshon Serbia nga Rusia, por më thoni: a keni dëgjuar ndonjëherë perëndimin që ti kërkojë presidentit Vododymyr Zelensky që ti bëjë lëshime V.V.Putinit apo të ulet në tavolinë me të për bisedime. Po bëhen dy vjet që në Ukrainë po vrihen çdo ditë njerëz të pafajshëm, por perëndimi dërgon armë e municione. Pra pse dy standarde? Përgjigja është e nënkuptueshme; pra Kosova duhet të lëshojë nga integriteti, sovraniteti, territori e autoriteti i saj për interesat e tyre. E po jo, nuk mban erë të mirë kjo, ndaj edhe qëndrimi i Kryeministrit Albin Kurti duhet përshëndetur nga ne dhe duhet inkurajuar. E kemi lënë vetëm pikërisht kur ai, qeveria që drejton dhe sidomos Kosova ka nevojë për ndihmën tonë diplomatike. Ata sytë te ne i kanë. Mendoni sikur të tilla kërkesa e presione të na bënin perëndimorët ne shqiptarëve për ta lëshuar Himarën dhe Kryeministri i Kosovës të ishte në një mendje me ta apo të ngrinte zërin më shumë se ata. Çfarë do të mendonim ne? A nuk do ta quanim atë tradhtar të interesave kombëtare? E pra, edhe ata në Kosovë, kanë plotësisht të drejtë ti konsiderojnë politikanët tanë burracakë, të tillë. E përmendim shpesh mençurinë dhe veprën e të parëve tanë, por si i zbatojmë porositë e tyre?
Fjala vjen, a e mbajmë parasysh atë mësimin e çmuar të Jeronim De Radës (që në “Testamentin politik” të vitit 1902 kritikonte politikat imperialiste ndaj Shqipërisë) se “sikur të më dhuronit gjithë botën, megjithëse jam shumë i varfër, nuk do të vihesha në shërbim të askujt, kundër interesave të vendit tim”. Ja pse e përmenda qysh në krye Epikurin e 23 shekujve më parë, i cili me filozofinë e tij rreth ataraksias, pra paqja dhe liria nga frika, edhe pse e pranonte ekzistencën e Perëndive, përsëri nuk predikonte nënshtrimin ndaj tyre. Edhe ne, nëqoftëse nuk e ndihmojmë dot Albin Kurtin dhe qeverinë e tij në këto momente historike, kur luhet me të ardhmen e Kosovës, të paktën të mos e pengojmë e dekurajojmë për hir të të mëdhenjve.