Batalioni i Dytë i UÇK-së “RUZHDI SALIHU” dhe Komandanti RAMIZ QERIQI- “LUANI”

Nga Maksim Vinçani, Nënkryetar i OBVL

Mbas një korespondence midis nesh, arritëm të njihemi nga afër me Z.Ramiz Qeriqi ose Luani – pseudonimi i tij gjatë Luftës së UÇK. Ishte kënaqësi e veçantë të bisedoje me Luanin, ish – komandantin legjendar të Batalionit të Dytë heroik të UÇK-së, “Ruzhdi Salihu”. me këtë njeri kaq të thjeshtë dhe modest, njëherësh një legjendë e vërtetë. Atë natë kur u njohëm nga afër, i ftuar në shtëpinë time në Elbasan, pothuajse e gdhimë duke folur, ku mësova nga goja e tij për shumë e shumë gjëra që më lanë përshtypje të thella…
Po cili është Ramiz Qeriqi – Luani, Batalioni Dytë “Ruzhdi Salihu” dhe nga se u emërtua kështu ky batalion?
Ramiz Qeriqi jo vetëm është një personalitet i Luftës Çlirimtare të Kosovës, por edhe në këto kohët e Lirisë vazhdon të jetë një qytetar aktiv në jetën politike – shoqërore – qeverisëse, përherë objektiv në qëndrimet e tija vlerësuese ose kritikuese. Po ashtu, si një atdhetar e veteran i luftës, nuk ka pushuar asnjëherë veprimtarinë e tij në shërbim të kujtesës historike të ngjarjeve dhe të figurave patriotike te vjetra e të reja. Ai është promotor dhe organizatori kryesor i formimit të muzeut të Luftës së UÇK, ku në një ceremoni të denjë u kujtua 25-vjetori i themelimit të Kazermës së Parë Ushtarake të batalionit të dytë “Ruzhdi Salihu” në Pjetërshticë të Komunës së Lipjanit, i vizitave në familjet e luftëtarëve që ranë për Lirinë e Kosovës, i përkujtimit të ngjarjeve të rëndësishmë me karakter kombëtar dhe lokal. Karakterizohet nga një atdhedashuri e madhe. Moton e tij e shpreh duke adaptuar fjalët e Ismet Munishit: “Ne e kemi nanë Shqipërinë dhe dashuria për nanën është pa kushte!” Në vijim po i referohem disa pjesëve të kujtimeve apo shkrimeve nga ditari i Ramiz “Luanit”:
*** “Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte lajmi më i gëzueshëm për popullin tonë. Inkuadrimi i Ruzhdiut (Ruzhdi Salihut, emri i të cilit iu vu batalionit, sh.im) në UÇK ishte i natyrshëm, për më tëpër shtëpia e tij në Zborc u shndërrua në pikën e parë të UÇK-së në fshat. Nga aty u organizuan dhe u kryen aksione të shumëta kundër paramilitarëve serbë. Në krye të detyrës, në mbrojtje të nderit dhe atdheut, Ruzhdiu ra dëshmor, duke lënë pas vetes shembullin e idealistit, atdhetarit dhe luftetarit të shquar.”
*** “Ne nuk mund të ndërtojmë të ardhmen, nëse nuk nderojmë të kaluarën. Nuk guxojmë të lejojmë që të harrojmë nga kemi ardhur sepse humbim rrugën edhe për të ardhmen.”
“Në vitin 1993, profesor Maksi (Lisimak Theodhori, i cili ndërroi jetë më 15 Tetor 2021 sh.im) ka stërvitur grupin e djemëve dhe vajzave për luftë guerrile, duke e përgatitur me aftësi dhe shkathtësi më të larta ushtarake të kohës për t’i shërbyer me nder e dinjitet flamurit, Atdheut dhe Kombit tonë të bashkuar, Shqipërisë Etnike. Në ushtrime ushtarake kemi qenë dy grupe. Grupi i vajzave që përbëhej nga: Merita Mazreku, Rrushe Gashi, Sanije Geci, Hamide Buçaj dhe Zylfije Bilalli ku përgjegjëse për grupin e vajzave ishte, Merita Mazreku. Kurse grupi i djemëve që përbëhej nga: Ramiz Qeriqi-Luani, Halil Olluri, Dalip Durmishi, Ilaz Dërguti, Ilaz Koci, Hysen Gucati dhe Naim Rizani, ku përgjegjës për grupin e djemëve ishte Ramiz Qeriqi-Luani”…
*** “Duke qenë njëri ndër antarët e parë të njësive guerile të KKBTSH-së, dhe duke mbajtur shënime nga ditari personal i punës që e kam mbajtur në kohën sa kanë zgjatur ushtrimet ushtarake në Shqipëri, e po ashtu edhe procesverbali i mbajtur me rastin e planit të punës që bëheshin gjatë stërvitjeve ushtarake, janë dy dokumente të dorës së parë që dëshmojnë se kur, ku dhe nga kush u krijua baza e themelimit të njësive të para guerile, të cilët me formimin e njësive të para guerile në vitin 1993, ia vuan themelin Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës. Të gjithë kishim pranuar obligime dhe detyra të karakterit ushtarak kombëtar, ku kërkohej nga ne të jemi vigjilentë dhe të kemi përgjegjësi në veprime. Këto ushtrime konsiderohet që kanë luajtur rol kryesor për të shërber me devotshmëri e përkushtim në detyra e funksione të rëndësishme në organizim, drejtim dhe komandim të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe kjo përbënte momente kthese në luftën çlirimtare dhe rrjedhën e saj, e me theks të veçantë në Batalionin e Dytë “Ruzhdi Salihu”. duke nxjerr në pah figurat më me peshë që në ditët e para të luftës sonë për liri”…
“Ishte nder për familjen dhe Batalionin e Dytë ‘Ruzhdi Salihu’, pas 24 vitesh, që u vizitua nga një ministër i mbrojtjes. Respekt për ministrin e Mrojtjes Armend Mehaj nga familjarët dhe nga ish luftëtarët e Batalionit të dytë Ruzhdi Salihu. Aktiviteti më i fundit ishte më 24 Gusht 2023 ku u organizua përkujtimi i përvjetorit të rënjes së dëshmorit Gani Kastrati. Në ceremoni ishin të pranishëm dhe Kryetari i Komunës së Shtimjes z. Qemajl Aliu, Deputeti meritor z.Gani Krasniqi dhe Ministri i FSK-së z.Armend Mehaj. Në fjalën e rastit, Ish komandanti i Batalionit të Dytë ‘Ruzhdi Salihu’, zoti Ramiz Qeriqi – Luani vuri në dukje vlerat dhe kontributin luftarak të ish luftëtarit të këtij batalioni, Gani Kastrati. Ai foli për heroizmin e tij në luftën guerile dhe në luftën çlirimtare duke rënë dëshmor. Gjithashtu, Ish Komandanti theksoi se është detyrë patriotike kujtesa e luftrave të populli tonë, e figurave udhëheqëse dhe të spikatura, sidomos për ata që ranë për Liri dhe lanë amanetin për Bashkimin Kombëtar.

Lavdi luftëtarëve heroikë të UÇK! Lavdi të rënëve për Lirinë e Trojeve Shqiptare!