Gjurmë lavdie nëpër faqet e “Historikut të fshatit Vajzë”, janë shkruar nga 1971 deri më 1980

Prof. Asoc. Zaho GOLEMI
Irfan BIRBILAJ
Trifon GOLEMI

Dokumenti i shkruar në gati dhjetë vite në Vajzë e ka fillesën tek orientimi i KP-së, të KE-së të Vlorës dhe ish-Këshilli Popullor më 30.5.1971, datë kur u krijua komisioni i përbërë: 1.Maliq Telo Sadushi, 2.Xhipe Mersin Kapaj, 3.Gani Mystehak Sulçaj, 4.Riza Çize Brahimaj, 5.Çize Hamit Elezaj, 6.Iliaz Zagoll Bilbilaj, 7.Piro Rexhep Hoxhaj, 8.Fejzi Sherif Sherifaj, 9.Kamo Tare Sheremetaj, 10.Hysen Sadik Brahimaj, 11.Rustem Rrapo Hametaj, 12.Reis Ali Xhezo, 13.Myfit Zaçe Nazaj, 14.Daver Hamit Elezaj, 15.Mynyr Resul Manaj, 16.Bino Zigur Kasaj, 17.Nexhip Xhelilaj. Maketi i historikut u shkrua dhe diskutua nga 1971 deri 1980. Historiku është daktilografuar në shkurt 1980, si dhe është konsideruar i përfunduar më 11.1.1981, në një mbledhje zgjeruar të Komisionit së bashku me bashkëfshatarët vajzjotë në fshatin Vajzë. Mirënjohje dhe falënderim për ata që shkruan historinë e lavdisë së fshatit Vajzë!.
Muzeumet dhe historikët që u krijuan pothuaj në çdo fshat të Shqipërisë ishin një bazë e dokumentimit të historisë sonë kryesisht të trashëguar gojore por edhe dokumentare aty ku ka qenë e mundur. Por kur historinë e lavdisë shqiptare e shkruajnë ata që i kanë jetuar ngjarjet dhe kanë qenë njësh me to sikurse ndodh me fshatin Vajzë që historikun e kanë shkruar ata që kanë qenë pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare por dhe në gjithë periudhën e ndërtimit të Shqipërisë, vlera dokumentare e treguar dhe e shkruar në historic rritet dhe besueshmëria merr vlera solide për brezat dhe për të vërtetën. Në fakt Historia është “përvoja e fituar përmes shembujve”. Ndoshta një pjesë e historishkrueve të Vajzës nuk i kanë lexuar autorët antikë si Herodoti, Tukudidi, Stratoni, Livi, Plini, Diodori i Sicilisë etj, por e kanë parë e vëzhguar e precut luftën dhe jetën në mënyrë aktive. Në fakt shkruesit e historisë së Vajzës kanë qenë vetë në beteja. Sikurse shkruan Çurçilli, “Betejat janë gurët kilometrik më të rëndësishëm të historisë”. Nga partizanët që zbritën nga mallet me lirinë një pjesë ndoqën shkollat ushtarake Brenda e jashtë vendit dhe u lartësuan në dije e kulturë, shfrytëzuan punime të Zyrës së Kartotekës e njohur ndryshe si dega e Historisë Ushtarake e ngritur që më 1950, por dhe botimet me vlerë “Buletini dhe e përkohshmja ushtarake”, botimet “Kalendari ushtarak”, “Partizanët tregojnë”, e qindar vepra që u mundësuan nga krijimi i institucioneve të specializuara për botimet dhe studimet në fushën e historisë ushtarake, pasi edhe historiku i Vajzës në shumicën e tij është një histori luftrash e përpjekjesh për të ruajtur lirinë dhe mbijetesën përballë pushtimeve. Vend të veçantë zënë formacionet luftarake të luftrave, luftëtarët e veçanërisht të rënët në fushën e nderit dëshmorë, por edhe të pushkatuarit, të arrestuarit, burgosurit, që provuan torturat çnjërëzore fashiste dhe u shuan nga plagët e burgjeve. Prandaj objekti i kërkimit dhe hulumtimit nëpër rrenjët e historikut të fshatit Vajzë ka pikërisht të rënët në beteja e veçanërisht ata që u pushkatuan pa gjyq se ishin mbështetës të një kauze të madhe antifashiste shqiptare. Ndërkohë që sipas historikut, çeta partizane do quhej me ata që emërtoheshin “ushtarë të popullit”. Luftëtarët ishin: Laze Sulejman Hoxhaj, Gani Mystehaj Sulçaj, Riza Çize Brahimaj, Çize Hamit Elezaj, Sinan Alem Nazaj, Fejzi Sherif Sherifaj, Piro Rexhep Hoxhaj, Mustafa Bellaj, Kadri Gega, Jonuz Karemani, Hate Durmishi, Tafil Telo Sadushaj, Haxhi Mulla Hanaj, Iljaz Zagoll Bilbilaj, Axhem Habib Veselaj, Xhipe Mersin Kapaj, Refat Hyso Kasaj, Xhevdet Hyso Kasaj, Bajram Sali Ajazi, Hysen Sadik Brahimaj, Rexhep Xhevit Shakaj, Teki Mezin Hanaj, Sheremet Çerçiz Demiraj, Arap Arshiu, Rustem Rrapo Ahmetaj, Reiz Ali Xhezo, Shamet Haxhen Hanaj, Zini Rexhep Hoxhaj, Shahin Azem Bellaj, Ali Xhezo Brahaj, Skëndo Zigur Hametaj, Beg Goxho Hanaj, Maliq Hadër Habilaj, Kamo Tare Sheremeti, Taip Belul Hitaj, si dhe 6 të rinj: Qëndro Sadush Bellaj, Maliq Telo Sadushi, Reshat Zagoll Bilbilaj, Mete Mystehak Sulçaj, Bajram Haxhi Hanaj, Remzi Sherifaj.
Bazuar në “Historiku i fshatit vajzë (Vlorë), Vajzë, më 11.1.1981”, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1944 nga fshati Vajzë i Vlorës kanë rënë njëzetedy partizanë, të cilët janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut” dhe më konkretisht: 1.Perlat Rexhepi (hero dhe dëshmor), 2.Sadik Karafili, 3.Rexhep Shakaj, 4.Teki Hanaj, 5.Lelo Hadër Habilaj, 6.Maliq Hadër Habilaj, 7.Isa Veselaj, 8.Mete Sulçaj, 9.Qëndro Bellaj, 10.Mustafa Bellaj, 11.Fehta Resulaj, 12.Gani Resulaj, 13.Faik Shakaj, 14.Haxhi Deraj, 15.Fehti Bora, 16.Axhem Veselaj, 17.Hasan Zenelaj, 18.Zihni Rexhepi, 19.Jetulla Kapaj, 20.Refat Kacaj, 21.Jonus Karemani, 22.Sheremet Çaushaj. Ata mbeten krenari e fshatit, krahinës dhe mbarë shqiptarizmës. Por të dokumentuar qartë në historikun e këtij fshati gjejmë edhe bijtë e bijat e këtij fshati të pushkatuar, që sikurse thotë Maliq Sadushi në librin “Fshati ynë i mirë”, i vitit 2002, faqe 271-272, “Okupatori nazifashist në bashkëpunim me tradhëtarët në çdo operacion që ndërmori bëri terror në popull..pushkatuan gra e fëmijë..krime të tilla u bënë edhe në Vajzë duke pushtakuar pa gjyq nëntë vetë, midis tyre edhe dy gra. Po të merret parasysh aktiviteti i këtyre viktimave në dobi të luftës dhe mënyra se si janë kapur nga armiku, qëndresa e tyre, ata me të drejtë duhen quajtur “Dëshmorë të LANÇ-it”. Kështu që nëpër rreshtat e Historikut të fshatit Vajzë gjatë LANÇ-it (1939-1944), janë të evidentuar edhe këta vajzjotë dhe vajzjote të pushkatuar nga fashistët italianë e gjermanë si dhe Azbi Nurçe Hitaj, i cili u burgos, u torturua, u gjymtua nga fashistët egërsisht dhe vdiq nga plagët e marra në burgjet e fashizmit. Një përshkrim rigoroz, sipas përshkrimit, kemi shkëputur nga historiku i fshatit Vajzë:
Ferik Zagoll Bilbilaj, ishte në moshë fare i ri kur filloi Lufta Nacionalçlirimtare. E gjithë familja e tij u lidh me luftën. Babai i tij Zagolli, ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Vëllai i tij më i madh, Iljazi, qe partisan në çetën e fshatit. Feriku ishte 13 vjeç. Edhe ai punonte, bënte detyrën e korrierit në shumë raste. Në muajin nëntor të vitit 1943 u vra nga forcat gjermane në afërsi të Mullirit të Rexhepit kur po ikte për t’i shpëtuar kapjes nga ana e fashistëve. (sipas origjinalit fq. 142 dhe 143 e Historikut të fshatit Vajzë).
Dalan Mehmet Kamberaj, – ishte një njeri siç e quanin atëhere, që nuk përzihej me politikë. Në fakt Dalani qëndronte neutral. Lëvizjes Nacionalçlirimtare nuk i kishte sjellë ndonjë dëm, merrej më shumë me problemet e shtëpisë së tij. U kap nga forcat italiane në Ashamir së bashku me Xhafer Mehmetin në 15 Mars të vitit 1943. Italianët po bisedonin për ti pushkatuar që të dy. Xhaferi që kuptonte italisht pasi e mori vesh se do të pushkatoheshin, u iku italianëve nga duart dhe u largua me vrap në drejtim të përroit të Zogës, kurse Dalani nuk u largua. Atëhere fashistët e pushkatuan Dalanin menjëherë. (sipas origjinalit fq. 142 e Historikut të fshatit Vajzë).
Këze Sulçaj, nëna e dëshmorëve Mete e Delo Mystehak Sulçaj, u vra nga nazistët gjermanë në afërsi të shtëpisë së saj në dhjetor të vitit 1943. Ajo kudesej shumë për partizanët dhe me çka i ndodhej i ushqente. Të dy djemtë e saj ishin në luftë. Ajo gjithçka e kishte vënë në shërbim të luftës. (sipas origjinalit fq. 141 e Historikut të fshatit Vajzë).
Pesare Xhezo Kërroçaj, – një grua fshatare e varfër. Me sa mundësi që kishte dhe me çfarë i ndodhej në shtëpinë e saj të varfër, jepte edhe ajo kontributin e saj për luftën. Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kapën Pesaren duke u larguar nga një kasolle dhe e pushkatuan me preteksin se ajo ndihmonte partizanët me ushqime, strehime etj. (sipas origjinalit fq. 143 e Historikut të fshatit Vajzë).
Beqir Hasho Osmani, – fshatar i varfër, i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ndihmonte me çkishte mundësi. Ishte në moshë të kaluar. U vra në të njëjtën ditë dhe po nga e njëjta patrullë gjermane që vrau dhe Shaho Selimaj. Beqiri tentoi të ikte nga kasollja e tij që e kishte nën xhade afër ullinjve të Ymerajve, kur forcat gjermane me makina po udhëtonin nga guri i rënë në drejtim të fshatit. Patrulla gjermane e diktoi lëvizjen e tij, hapi zjarr dhe e la të vrarë. (sipas origjinalit fq. 141 dhe 142 e Historikut të fshatit Vajzë).
Abdyl Hasho Osmani, – vëllai i Beqir Osmanit, edhe ky sikurse i vëllai ishte i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ndihmonte me sa kishte mundësi. Në janar të vitit 1944 u kap nga forcat gjermane afër përroit të Amonicës, shkonte për të njoftuar njësitin që ishte në Amonicë, “se në fshatin e Vajzës dhe në kodrat përqark po vendoseshin forcat gjermane..”. Pasi u kap nga forcat gjermane, refuzoi t’u tregonte se ku ndodheshin partizanët. Pas kësaj nazistët e pushkatuan në vend. (sipas origjinalit fq. 142 e Historikut të fshatit Vajzë).
Shaho Barjam Selimaj, ishte burrë plak, me profesion kovaç, në fshatin Vajzë, ishte shumë i varfër dhe pa asnjë ndihmë në familje. U vra nga një patrullë gjermane në rrugën automobilistike afër Kroit të Kovaçit në nëntor të vitit 1943, në tentativën e tij për t’u larguar nga fshati në kohën që vinte një kolonë gjermane nga drejtimi Sevaster – Vajzë. (sipas origjinalit fq. 141 e Historikut të fshatit Vajzë).
Delo Mystehak Sulçaj, djali i Këzes dhe vëllai i dëshmorit Mete Sulçaj; ishte fare i ri në moshë, akoma nuk i kishte mbushur të 14 vjetët, kur në një natë nëntori të vitit 1943, u kap nga gjermanët dhe u pushkatua në afërsi të buzës së bletës. Ai mbajti qëndrim prej burri përpara xhelatëve fashistë, dhe nuk tregoi asnjë nga bazat, as shokët e fshatarët se ku ndodheshin. (sipas origjinalit fq. 140 e Historikut të fshatit Vajzë).
Sadedin Sherif Hazizi, lindur në Vajzë më 1898, në një familje të varfër fshatare. Sadedini e simpatizonte Luftën Nacionalçlirimtare, ndihmonte me çka kishte mundësi. Vëllai i tij Shefit Hazizi, ish-luftëtar i 1920, u plagos në luftën e Vlorës. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare fatmirësisht Hazizajt mbajtën qëndrim të mirë. Gjithashtu edhe pas luftës kanë mbajtur dhe mbajnë qëndrim të mirë. Sadedini u kap nga pushtuesit gjermanë në muajin shkurt 1944, duke qenë i sëmurë dhe u pushkatua prej nazistëve si activist i Luftës Nacionalçlirimtare. (sipas origjinalit fq.143 e Historikut të fshatit Vajzë).
Azbi Nurçe Hitaj, lindur në Vajzë më 1900. Simpatizonte që në fillim Luftën Nacionalçlirimtare, dhe u lidh pazgjidhshmërisht me Frontin Nacionalçlirimtar ndihmonte me çka kishte mundësi. Në shtëpinë e tij e krijua Këshilli Antifashist dhe ai ishte anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit Vajzë. Për këtë u arrestua më 16.4.1943, u burgos dhe torturua në mënyrë çnjerëzore duke i shkaktuar plagë të rënda në trup si dhe goditje psikike. Ka vdekur nga torturat e gjymtimi fizik që i bënë në burgje fashistët më 10.2.1945. Që të gjithë kishin rrënjë të thella trashëgimie patriotike e luftëtare nëpër shekuj në mbrojtje të truallit arbëror. Ata ishin krenar për gjakun shqiptar dhe nuk e kursyen atë për ta vënë me koshiencë të plotë në themelet e lirisë. Burimet e studimit: Historiku i fshatit vajzë (Vlorë), Vajzë, më 11.1.1981, faqe 89, 140-143.; Maliq Sadushi, “Fshati ynë i mirë”, Tiranë, 2002, faqe 271-272; Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Vëllimi i parë, Tiranë, 1984, faqe 284; Perlat Rexhepi Hero i popullit, Tiranë 2002; Revista Pavdekësia, Edhe të rënët në LANÇ, të fshatit Vajzë të shpallen dëshmorë, Nr 4 (148) Gusht 2023; Gazeta Labëria: “Dëshmorët e fshatit Vajzë, nderi i Labërisë dhe gjithë Shqipërisë” faqe 12 dhe 13 Gusht 2023; Gazeta Kushtrim Brezash, Martirët e fshatit Vajzë, Nr 26 (1584) datë 14 korrik 2023; Gazeta “Veterani”, nr 7 (421) korrik 2023: “Gjaku i dëshmorëve të fshatit Vajzë në themelet e lirisë” etj.