Kolonel ing. Myfit Guxholli ka lindur në Pogradec, më 7 qershor 1930. Ishte vetëm 9 vjeç kur iu bashkua lëvizjes së rinisë pogradecare, që kërkonte armë për të shkuar në Durrës, që të luftonin kundër pushtimit fashist të vendit. Po ashtu, pas një viti, nga urrejtja për inxhinierin italian që ishte major i Simit dhe që punonte në minierën e kromit “Guri i Kuq”, e qëllon atë më një gur në bel. Myfiti i shpëtoi arrestimit, pasi e fshehu rinia pogradecare ndërmjet protestuesve. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe më pas studioi për dy vjet në liceun e Korçës. Myfiti rrjedh nga një familje e pasur atdhetare dhe patriotike. Gjatë okupimit nazifashist të vendit, familja e tij u përfshi e tëra në luftën kundër okupatorit, madje babai i tij u burgos për aktivitet antifashist.

Myfiti, megjithëse në moshë fare i ri, që në shkurt 1944 u rreshtua në radhët e Ushtrisë partizane në Brigadën IV Sulmuese, si kuadër i kësaj brigade. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, me hapjen e shkollës “Skënderbej” mbaron me rezultate të mira dy vite mësimore të kësaj shkolle dhe më pas mbaroi Shkollën e Lartë të Topografisë Ushtarake në Leningrad (ish-Bashkimi Sovjetik). Pas diplomimit u emërua në gegën e topografisë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Krahas detyrës së tij funksionale, ai vazhdoi studimet edhe në fakultetin e inxhinierisë së Universitetit të Tiranës, në mbarim të të cilit u titullua “Inxhinier topograf”.
Ai ka kryer detyra të rëndësishme në ushtri.


                                         ***

Ka përgatitur cikle të plota të leksioneve ushtarake në gjeodezinë e lartë, në gjeodezinë inxhinierike, si dhe leksionet e gjeografisë ushtarake për akademinë e mbrojtjes dhe atë “Skënderbej”. Në vitin 1986 boton tekstin mësimor “Gjeodezia”, të përshtatur për studentët e specialitetit topograf në akademinë “Skënderbej”, por dhe për studentë të tjerë të specialiteteve të ndryshme, që studiojnë gjeodezinë, si xhenio etj. Po ashtu, ai është bashkautor i hartave të territorit shqiptar të shkallëve 1 : 25000 – 1: 50000 (projektet në IGU Tiranë). Ing. Myfit Guxholli është autor i dhjetëra artikujve shkencorë, ndërkohë që ka përgatitur rregullore të ndryshme dhe ka mbajtur referate e kumtesa cilësore në disa simpoziume e konferenca shkencore. Duke vlerësuar aktivitetin e pasur të tij në vitin 1973, katedra e topografisë e Akademisë Ushtarake “Skënderbej” propozoi që ing. Myfit Guxhollit t’i jepej titulli “Docent”, por pas ngjarjeve të atyre viteve të “stuhishme”, propozimi i asaj katedre u pezullua. Me ndryshimin e sistemit komunist, Myfiti familjarisht përfshihet në proceset demokratike, duke dhënë një kontribut të shquar në fitoren e demokracisë. Ai ka qenë një nga organizatorët e krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), së bashku me dr.Ymer Dishnicën, gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Edip Ohrin, Skënder Malindin e dhjetëra personalitete të tjera të LANÇ-it e të ushtrisë shqiptare. Për kontributin e tij, kol. ing. Guxholli është zgjedhur zv/kryetar i kësaj organizate që nga themelimi i saj para 26 vitesh dhe që nga data 1 nëntor 2019 është kryetar i saj, duke punuar me përkushtim për edukimin patriotik të brezave. Për të gjitha këto merita, kryesia e OBVL-së i ka propozuar edhe këshillit të bashkisë që ta shpallë atë “Qytetar Nderi të Pogradecit”.

Në 90-vjetorin e lindjes në një ceremoni shtetërore më 8 qershor 2020 kolonel Myfit Guxholli u dekorua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me “Dekoratën e artë të shqiponjës”. Ai u shfaq në këtë ceemoni plot vitalitet dhe me mendje e trup të shëndoshë, premtues se do ta drejtonte edhe pë shumë vite Organizatën e Bashkuar të Veteranëveë, themelues i së cilës ai ishte që në 20 korrik 1944, sëbashku me emra të spikatur të historisë sonë kombëtare. Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, Kolonel Guxholli dha kontribut maksimal në konsolidimin e strukturave të OBVL, si nënkrtar dhe kryetar i saj, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rahman Parllaku, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Sotir Budina, Jorgji Terca, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj, Maksim Vinçani, Muharrem Gjoka, Xhemal Meçi Sakip Cami, Ali Demushi, Kol Deda e dhjetra figura të tjera të shquara.

Koloneli 91-vjeçar Myfit Guxholli, një nga personalitetet e shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të Ushtrisë Shqiptare humbi betejën me SARS-CoV-2, duke u ndarë ne jeta më 26 Mars 1921.