• Shembulli i 14 shtatorit të vitit 1943 do ngelet i pa përsëritshëm në historinë e luftës për liri. Kjo çetë me luftëtare të reja, njëra më e bukur se tjetra, plot nur, me një shkëlqim si rrezet e praruara të diellit, me një urrejtje që shpërthente së brendëshmi e u kaplonte shpirtin. Këto trimëresha dolën nga një qytet i vogël ashtu si në gjithë vëndin urrejtja ndaj okupatorit kishte arritur kulmin shtypja dhe shfrytezimi ishin bërë të pa durueshme

Neki ÇAKO

“Gjashtëdhjetë e tetë vajza nga qyteti i Fierit, më 14 shtator 1943 u hodhën në ilegalitet dhe dolën partizane duke ju bashkuar LANÇ. Kjo çetë luftëtaresh të reja dilte nga një qytet i vogël. Një rast ky unikal në Shqipëri dhe pse jo edhe përtej saj, në Europën e pushtuar nga nazifashistët”, shkruan për këtë ngjarje shkrimtari Nasho Jorgaqi. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Fieri, përjetoi pushtimin e dy fuqive ushtarake të Bllokut Fashist, atë italian dhe gjerman (7 prill 193 -15 tetor 1944). Gjatë kësaj periudhë kohore që zgjati 5 vjet e 6 muaj, qyteti dhe rrethinat përjetuan zhvillime dhe ngjarje me të gjitha tiparet e luftës shkatërrimtare. Ndërkohë që populli i Fierit e mbështeti pa rezerva Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai dha një kontribut me vlera, në rezistencën antifashiste duke i dhënë formacioneve të UNÇSH rreth 1900 partizanë, 447 prej të cilëve ranë dëshmorë të atdheut. Në këto vite ku vlerat patriotike dhe liridashëse u shprehën fuqishëm, një meritë të veçantë për çlirimin e vendit patën edhe gratë dhe vajzat. Shembulli i 14 shtatorit të vitit 1943 do ngelet i pa përsëritshëm në historinë e luftës për liri. Kjo çetë me luftëtare të reja, njëra më e bukur se tjetra, plot nur, me një shkëlqim si rrezet e praruara të diellit, me një urrejtje që shpërthente së brendëshmi e u kaplonte shpirtin. Këto trimëresha dolën nga një qytet i vogël ashtu si në gjithë vëndin urrejtja ndaj okupatorit kishte arritur kulmin shtypja dhe shfrytezimi ishin bërë të pa durueshme. Këto gra e vajza të emancipuara, trime, bujare, korrekte, të cilat në çdo kohë dhe situatë kanë qëndruar krah burrave dhe kanë qënë pjesë e luftërave për çlirim kombëtar në çdo situatë. Ato i bashkuan armët krah burrave duke shënuar një rast unikal në Shqipëri. Krijimi i njësive partizane, kalimi në kryengritjen e përgjithshme të armatosur diktoi nevojën e shtimit të radhëve partiazne me element të rinj. Për këtë organizata e gruas zhvilloi një aktivitet të gjerë për hedhjen e grave e të rejave në rreshtat partizane. Në fakt largimi ynë definitiv u bë i domosdoshëm, sepse edhe shtëpitë tona ishin bërë baza të ekspozuara dhe si rrjedhim qëndrimi ynë aty rrezikonte gjithë familjet’’, shkruan në kujtimet e saj një nga protagonistet e kësaj ngjarjeje, Shanisha Memisha (Demi). Pikërisht në mesditēn e datës 14 shtator 1943, në Fierin e pushtuar nga gjermanët dhe në gjendje shtetrrethimi, këto gra dhe vajza u mblodhën fillimisht në shtëpitë e veprimtarëve të LANÇ, Niqi Kallamata dhe Sokrat Bufi. Më pas në grupe më të mëdha ato kaluan drejt shtëpive të patriotëve Xhemil Muço dhe Zoi Deçolli. Prej aty në mënyrë të fshehtë dhe sipas një plani të organizuar mirë, atë pasdite grupi i grave dhe vajzave kaloi lumin Gjanica duke dalë në lindje të qytetit, ku vijoi rrugën. Përmes kënetës së Sheqit dhe lumit Seman u morën drejtimin e fshatit Kallm, ku qëndruan një natë në disa prej familjeve të tij.“Gjermanët ndodheshin te ura e Sheqit, vetëm 10 minuta larg nga baza ilegale nga e cila u nisën. Kaluan lumin Gjanica dhe u futën në kënetë e cila qe e mbuluar me një bimësi të dendur.Që në hapat e parë të jetës partizane hasën në vështirësi. Pasi ato e kaluan kënetën fshatarët e zonës i ndihmuan të kalonim lumin Seman me lundër”, kujton Nepi Sota një nga pjesëmarrëset e këtij grupi. E cila na jep një detaj nga ajo betejë lirie në të dalë të fshatit Ngurrez kundër forcave fashiste dhe shërbëtorëve të tyre vendorë për interesa të vogla. Na duket sikur kemi të bëjmë me një fotografim të asaj lufte, që, veç të tjerash, jepet saktësisht vendngjarja dhe kohëzgjatja e saj.
Ndërkohë të nesërmen rruga vijoi drejt Anxhaleas së Dumresë. Këtu, grupi qëndroi për një javë dhe andej vijoi udhëtimin drejt Kuçovës për të mbërritur së fundmi në Berat. Pikërisht këtu u bë ndarja në disa grupe, ku ai që u vendos në Roshnik u specializua për rrobaqepësi, duke shkuar më pas në Skrapar ku kreu detyra të ndryshme në terren dhe në disa brigada partizane. Grupi tjetër, ai Dobrushës, u përgatit për infermjeri dhe ju bashkua më pas Grupit III të Zonës së Parë Operative që vepronte në krahinën e Mallakastrës. Ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre do të kryenin detyra dhe funksione nga më të ndryshmet në disa prej brigadave partizane të UNÇSH. Të tilla ishin partizanet Shpresa Hoxha (Fuga), Manushaqe Qadhimi, Izmini Kokobobo, Kristina Bakalli, Nepi Sota, Lefteri Muço, Jorgjie Dëma, Lenga Bakalli, Shanisha Memisha (Demi), Hatëme Memisha (Katro), Qeriba Koka, etj. Në librin “Me ëndrrën e lirisë”, shkrimtari dhe gazetari Tashko Lako ka botuar të plota kujtimet e disa protagonisteve të kësaj ngjarje. Një pjesë e këtij grupi u shpërnda në batalionet partizane ‘’Margarita Tutulani’’, ‘’Semani’’, “Ismail Qemali’’ dhe “Petro Sota”, ndërsa pjesa tjetër u caktua të punonte në terren. Midis të tjerave, Lako thekson se, midis pjesëmarrësve do të spikasnin edhe emrat e Liri Geros dhe Pinellopi Piro të cilat dhanë gjakun e tyre për çlirimin e vëndit duke u ngritur në panteonin e lavdisë sot, dëshmore të atdheut. Ndërkohë, çuditërisht për këtë ngjarje nuk u tregua vëmëndja e duhur.
Vetëm në fillim të viteve 1980, Muzeu Historik Fier, në bashkëpunim me Komitetin e Veteranëve të LANÇ, nisi punën për vlerësimin e kësaj ngjarjeje me mbledhjen e kujtimeve nga protagonistet dhe pjesëmarrëset. Historiku i plotë i saj u kompletua në vitet e mëvonshme me një sërë artikujsh dhe botimesh. Ndërsa në vitin 2003, me rastin e 60 vjetorit të kësaj ngjarjeje, në një nga sheshet e qytetit të Fierit u përurua memoriali që simbolizon këtë akt, vepër e ‘’Skulptorit të Popullit’’ Muntaz Dhrami. Gjithashtu, Këshilli i Qarkut Fier, i nderoi 68 vajzat partizane për aktin e lartë patriotik me titullin ‘’Nderi i Qarkut’’. Ky akt i pa përsëritshëm i këtyre bijave një pjesë e mirë e të cilave u bënë fli, duke falur jetën e tyre të shtrenjtë në atë moshë të njomë, për lirinë që ne gëzojmë sot, le të na shërbejë si etyd për më shumë dashuri, presporitet dhe atdhetarizëm, qe duket se se fundmi ka filluar te gjallerohet per te ruajtur te pastra vlerat e vatanit si nje trashegimi kulturore per brezat e ardheshem !