SHPENDI TOPOLLAJ

Me datën 12 gusht, me një grup shokësh të OBVL-së, shkuam nga Durrësi në Kosovë për të marrë pjesë në festivalin e VII – të të Poezisë që organizohej në Drenas, te vendi i quajtur “Guri i Plakës”. Mbusheshe me gëzim kur shihje lumin e pambarim të veturave që vinin drejt Shqipërisë për pushime, pa pasur detyrimin të kontrollohesh në pikën e kalimit të kufirit, çka të kujton se faktikisht bashkimi në disa aspekte është realizuar. Ishte një takim mbresëlënës me poetë dhe dashamirës të poezisë, ku edhe u deklamuan krijimet e secilit dhe ku na mrekulloi koncerti me këngë e valle popullore që dha grupi artistik “Drenica”, dhe ku organizatori Izet Abdyli , kryetar i Art Club “Rifat Kukaj”, i dorëzoi nënkryetarit të degës tonë, z. Kadri Tarelli çertifikatën e fituesit të çmimit të dytë. Pas përfundimit të takimit, shkrimtari atdhetar Bedri Tahiri, luftëtar trim i UÇK – së autor i mbi 50 librave kryesisht monografikë dhe me poezi patriotike, i cili nuk e fshihte kënaqësinë kur i dhashë gazetën “Veterani” ku ish botuar shkrimi im për librat e tij, dhe gazetari Hazir mehmeti e shoku i tij Adem Ademi të ardhur nga Gjermania, na ftuan me gjithë zemër për drekë në Prishtinë, por ne nuk refuzonim dot dëshirën e Hysen Ibrahimit që drejton prej shumë vitesh Shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi i XI – të Albani” në Suedi. Tepër energjik dhe veprimtar i rrallë, pasqyruar te 13 volumet e “Thesarit Kombëtar”, ai na propozoi të shkonim për të vizituar e bërë homazhe te Kompleksi i mrekullueshëm kushtuar heroizmit të familjes të legjendarit Adem Jashari. Populli kosovar i kishte përjetësuar ata trima e trimëresha që dhanë jetën për Atdhe, duke u bërë me aktin e tyre shkëndija që ndezi zjarrin e rezistencës dhe lindjen e UÇK – së kundër kriminelëve serbë, në një memorial madhështor me varre në mermer rrethuar me lulishte të bukura, dhe aty pranë shtëpia me vrimat e predhave të kalibrave të ndryshëm ku kishin luftuar, mauzoleu, monumenti etj. Të bënte pështypje fakti domethënës që edhe pse ishte vapë dhe kohë dreke, vizitorët dhe kryesisht të rinj e të reja, shumica ardhur me pushime nga emigrimi në vende të ndryshme, nuk kishin të sosur. Duke ecur para sarkofagëve, ku të heshtur si statuja të gjalla qëndronin rojat e nderit të radhës, teksa lexoje emrat e të rënëve dhe moshën e tyre, jo vetëm që ndiheshe krenar për veprën e tyre, por dhe duhej të ishe pa shpirt që ta mbaje ngashërimin. Dhe jo vetëm ngashërimin, por edhe urrejtjen për barbarët që ua prenë jetën në mes. Atyre që historikisht i kanë shkaktuar drama popullit paqësor e bujar të Kosovës të nxitur nga një politikë dashakeqe. Vetiu të lindte mendimi se gjithkush duhet ta vizitojë atë vend dhe sidomos politikanët, historianët, shkrimtarët e gazetarët, pra ata që në një mënyrë a në një tjetër merren me problemet e Kombit, sidomos sot që drejtuesve serbë me në krye Aleksandar Vuçiçin u është hapur oreksi dhe duke shfrytëzuar koniukturën politike ndërkombëtare, duan të përfitojnë sa të mundin në dëm të pavarësisë së Kosovës. Por e gjithë toka e Kosovës është e mbushur me varre të vrarësh nga dora gjakatare e ushtarëve të Milosheviçit, ndaj Hyseni na çoj te varrezat në hyrje të Mitrovicës, ku ai kishte vëllanë e tij Isain dëshmor të luftës për liri. Mitrovica, qyteti që ne e kishim parë vetëm nga ekranet e televizorit, pas ngjarjeve dhe sherreve të fundit, të shkatuara nga planet dhe ndërhyrjet ogurzeza të Serbisë dhe qëndrimit të çuditshëm të diplomatëve të huaj, dukej se e kishte gjetur qetësinë. Në restorantin e madh, në natyrë, klientët nuk kishin të sosur. Ata vinin tufa – tufa, familjarisht, me bindjen se jeta vazhdonte. Në paqe ishte dhe vetë qyteti, por atje, tek ajo ura e famshme ku lumi Ibër ndan pjesën e shqiptarëve nga ajo e banorëve serbë, me nga një patrullë policie në të dy skajet, sikur diçka të kujtonte se sherrnaja është ende aty pranë. Ish prefekti i Durrësit Gëzim Agasi, gazetari Luan Jaupi, dhe piktori Ben Kristani i cili gjithsesi në Fush – Kosovë e bëri një peizazh mjaft të bukur, nuk rreshtnin së fotografuari. Dhe në këtë realitet, vërtetë që është e pakuptimtë; kur mendon se çfarë rreziku mund t`u vijë banorëve serbë nga shqiptarët e urtë dhe aspak hakmarrësa, kur mbi të gjitha, janë në trojet e tyre shekullore. Në rrugën e kthimit, diku në të dalë të Prishtinës, pyetën një vajzë se nga duhej të kalonim për Prizren. Ajo na u afrua dhe me një të qeshur magjike që të shoqëron gjatë, u përgjigj: “Pravo!” Ishte serbe dhe jetonte aty e qetë, e sigurtë dhe pa asnjë kompleks. Ishim njerëz, dhe nuk kishte arsye ta shihnim njëri – tjetrin si armiq. Por e keqja ishte se nuk mendonin kështu edhe nacionalistët serbomëdhenj që ende ruanin imazhin e gabuar që kishin lënë teoritë e poshtra të Vasa Çubriloviqit me shokë. Sidoqoftë, ne u larguam nga Kosova me amanetin e Adem Jasharit që na ndiqte pas, se gjithkush duhet të përpiqet pa drojë me fjalën e qëndrimin, e tij për ta bërë edhe juridikisht fakt të kryer bashkimin e Kombit tonë.