•Konferenca e Pezës sjell edhe sot një përvojë të çmuar dhe të vlefshme për shoqërinë shqiptare. Mesazhi dhe mësim i madh i Konferencës së Pezës qëndron gjithmonë aktual që është dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve e forcave politike

“Konferenca e Pezës si ngjarja më e madhe e LANÇ-it sjell një përvojë mësimesh me vlerë në ditët tona. Te kjo ngjarje çdo shqiptar e çdo forcë politike gjen mësime për të kontribuar në zgjidhjen e halleve e të problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet sot”. Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj vjen në këtë konkluzion për faktin se Peza dhe e gjithë Shqipëria bën thirrje për të respektuar bindjet dhe përkatësitë politike, shoqërore e fetare, duke u ngritur mbi pasionet dhe interesat e vogla, siç u ngritën burra e gra të mençur 81 vjet më parë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet që ka sot vendi. Profesori i mirënjohur Zotaj argumenton se Shqipërisë i duhet sot më shumë se kurrë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe bashkëqeverisja. “Për interesat kombëtare duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet, grindjet dhe mëritë, çdo gjë që bie ndesh dhe dëmton luftën dhe përpjekjet për stabilitet e zhvillim. Ky mesazh vjen nga Konferenca historike e Pezës. Këtë duhet ta ndiejë si nevojë e si detyrë çdo shqiptar, çdo patriot e çdo forcë patriotike, pavarësisht nga pozicioni dhe orientimi ideologjik që ka. Shqipëria është e të gjithëve dhe të gjithë kanë përgjegjësinë dhe obligimin për ndërtimin dhe përparimin e saj”,-konkludon prof. Zotaj. Si një nga studjuesit dhe analistët më në zë të historisë së LANÇ, Prof. asoc. dr. Bernrad Zotaj vjen në këtë vlerëson se Vendimi kryesor i Konferencës ishte bashkimi i gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë shoqërore, nga dallimet fetare, nga origjina krahinore dhe nga bindjet politike, në një organizatë të përbashkët me emrin “Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar”. Nën këtë optikë Ai vlerëëson detyrat e rëndësishme që iu ngarkuan Frontit që: të ngrinte popullin shqiptar në luftë kundër okupatorit për të rifituar pavarësinë e atdheut; të udhëhiqte këshillat nacionalçlirimtare që do të formoheshin si organe lufte në zonat e pushtuara dhe si organe pushteti në zonat e çliruara dhe të rreshtonte Shqipërinë dhe luftën e saj në koalicionin anglo-sovjeto-amerikan. Nga shikimi i procesverbalit të Konferencës si dokumenti bazë, prof. Zotaj analizon se: “Aty u hodhën për diskutim probleme të shumta. Por, dy ishin problemet e mëdha, në të cilat u ndal gjerësisht Konferenca: bashkim dhe luftë, ose bashkim për luftë. Për nevojën e bashkimit e të organizimit të popullit në luftë, nuk pati kundërshtime parimore. Për këto qysh në fillim u arrit konsensusi e mirëkuptimi i duhur, që siguroi dhe suksesin e punimeve të Konferencës. Delegatët të gjithë u shprehen për bashkim. Në diskutimet e lira u sqarua çështja se si do të bëhej bashkimi. Bashkimi do të arrihej në luftë kundër pushtuesit dhe se do të bëhej pa dallim klase, krahine, feje e ideje. Fronti i përbashkët kishte një qëllim të vetëm: të luftonte pushtuesin e huaj, për çlirimin e vendit dhe për ndërtimin e një shoqërie të re, të lirë e demokratike. Fronti kishte për detyrë të përgatiste popullin për kryengritjen e përgjithshme të armatosur, e cila do të niste e zhvillohej nga njësitet guerile e më pas me çeta. Nga kjo luftë do të dilte Shtabi i Përgjithshëm dhe do të krijohej Ushtria e rregullt Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar”. Sipas prof. Zotaj Konferenca e Pezës sjell edhe sot një përvojë të çmuar dhe të vlefshme për shoqërinë shqiptare. Kjo për faktin se “Mesazhi dhe mësim i madh i Konferencës së Pezës qëndron gjithmonë aktual që është dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve e forcave politike. Këto pavarësisht nga bindjet, alternativat e orientimet e ideologjike, gjithmonë i bashkon një çështje e madhe e përbashkët, çështja kombëtare, përparimi dhe bashkimi i kombit. Konferenca e Pezës gjithmonë përbën një objekt me rëndësi studimi e hulumtimi për historinë. Në vitet e demokracisë ku mendimi i lirë pluralist, ka përparësi, opinioni publik ka lexuar shkrime me vlerësime të ndryshme për Konferencën e Pezës dhe protagonistët e saj. Koha kërkon që kësaj ngjarje të madhe historike dhe aktorëve që e iniciuan, t’u bëhet vlerësimi i duhur. Rëndësia e Konferencës së Pezës qëndron në rolin që luajti në ecurinë e procesit të luftës”.