Prof.asoc.dr. Bernard ZOTAJ

Në kuadrin e 80 vjetorit të batalionit partizan “Misto Mame”, i formuar më 8 gusht 1943, me ftesë të Shoqërisë Lunxhiote në Tiranë dhe veçanërisht të vëllezërve Qirko, Llambi e Jorgo isha në Lunxheri, në fshatrat Erind, Nakov, Labova e Kryqit dhe në Goricelë të Stegopullit. Në të gjitha këto fshatra të Lunxherisë, edhe pse ndjehej dukshëm largimi i banorëve në këto vite, përsëri kishte diçka të veçantë në to, kishte gjallëri, lëvizje dhe rregullim të shtëpive e të baçave…
Në Erind, në një vend mjaft të dukshëm ishte ngritur lapitari që dëshmonte për 13 bijtë dhe bijat e tij të rënë në LANÇ, midis tyre Misto Mame, Mihal Duri, Shero Kaçi, etj. Lapidari u mbulua me kurora dhe lule…
Fshati Nokov kishte një veçanti, sepse i vendosur mes pemëve shekullore, me burime dhe me një rregull e pastërti shembullore…
Labova e Kryqit kishte mjaft bukuri natyrore por dhe të historisë dhe të kujtesës…aty ishte dhe kisha më e hershme e kryqit, një vend i shenjtë e që vizitohej dukshëm prej mjaft kureshtarëve… ishte e rregulluar këndshëm, shtëpi të veçanta dhe karakteristika të dukshme, rrugë e rrugica të rregulluara, me emra patriotësh dhe fisesh, bujtina fisnike dhe burime me ujë të ftohtë e të lehtë…
Ndërsa në Goricelë të Stegopulit gjetëm një ambjent festiv, të zbukuruar me flamuj kombëtar, malet përcillnin jehonën e këngët partizane kushtuar bp “Misto Mame”, partizanëve, dëshmorëve dhe heronjve të rënë në LANÇ. Kishte një pjesëmarrje masive. E veçanta, Shoqëria Lunxhiote e Tiranës kishte bërë një fletë-palosje dhe shall të kuq me simbolin e ditës së 80 të batalionit. Mjaft pjesëmarrës kishin në duar portrete të dëshmorëve të familjeve të tyre. Në lapidarin e rikonstruktuar dhe me një risi të re, shkrimin e 61 emrave të dëshmorëve të bp “Misto Mame”. Lapidari i ngritur në një kodër të dukshme nga larg ngjante si një yll partizan, që tregonte histori dhe mbarte mjaft kujtime në këto 80 vite. Sa herë ky lapitar ka pritur partizanë veteranë, tufa me lule e kurora, por këtë vit, nuk kishte më partizan veteran të batalionit, ishin pasardhësit e famlijeve të dëshmorëve dhe të veteranëve.
Në të gjithë fshatrat e Lunxherisë që vizitova, gjeta bujari dhe fisnikëri, rregull dhe pastërti, dashuri për njeri-tjetrin dhe fjalë zemre…
Këto rreshta të dalë nga zemra, janë pak për tërë këtë krahinë krahhapur në histori, që kur e kanë kërkuar fatet e Atdheut, ishte një dhe në vijën e parë. Këtë e dëshmon më së mirë komandati i batalionit 73 vjeçari Lipe Boga, i cili i hypur mbi kalë, vinte si një kreshnik në këtë luftë, duke shkrirë pasurinë e tij për mëmëdhenë. E dëshmonte komisari që kishte mbaruar për filozofi në Universitetin e Athinës, Zihni Sako, e plot e plot 384 partizanët e këtij batalioni të mbushur me lavdi në histori.
Është një gjë shumë e bukur dhe e veçantë që bijtë dhe bijat e Lunxherisë po bëjnë për historinë e këtij batalioni, shkrimi i historikut të tij i plotë, ashtu siç edhe ishin 80 vite më parë të gjithë bashkë për një qëllim, çlirimin e vendit.
Historia e Lunxherisë është e mbushur plot me ngjarje, plot me njerëz me kontribute, plot me bukuri dhe lezete…lumsi ai që i shikon, i shijon dhe mëson prej Tyre.
Lavdinë Batalioni Partizan “Misto Mame” e shkroi vet në histori, një histori që nuk vdes kurrë…
Lunxhëri, më 12-13 gusht 2023.