Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje

• I tërë populli i trevës dhe çetës patriotike gjatë kohës të zhvillimit të punimeve të Konferencës së Pezës qëndruan në gatishmëri dhe u siguruan delegatëve strehim e ushqime. Në datat 20-26 shtator luftëtarët e çetës i shoqëruan delegatët në qytetet e tyre dhe e dërguan rezolutën e Konferencës në Tiranë

Më 16 shtator 1942 në një fshat pak kilometra larg Tiranës u mbajt ajo që tanimë njihet si Konferenca e Pezës. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare, me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit. Më vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacionalçlirimtar.
Protagonistë të këtij kuvendi ishin 17 delegatë, përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasave dhe shtresave me bindje politike nga më të ndryshmet.
Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH-ja morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini.
Që të gjithë i miratuan vendimet e Konferencës. Ndërsa Kamber Qafmolla nuk mori pjesë në konferencë. Në këshillin drejtues u zgjodhën 7 persona: 1. Enver Hoxha, 2. Ymer Dishnica, 3. Mustafa Gjinishi, të tre komunistë, 4. Myslim Peza, 5. Abaz Kupi, 6. Ndoc Çoba e 7. Kamber Qafmolla, që të katër nacionalistë, patriotë pa parti.
Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:
1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.
3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.
4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.
Sa për çështjen e rikthimit të mbretit Zog, u vendos që vendimi të merrej pas lufte, nga vetë populli shqiptar. Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, duke u mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes. Në fund të punimeve konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me kryetar Kamber Qafmollën, sekretar Mustafa Gjinishin dhe anëtarë Ndoc Çobën, Myslim Pezën, Abaz Kupin, Enver Hoxhën dhe Ymer Dishnicën. Historiani Kadri Dingu thotë se Kamber Qafmolla u zgjodh kryetar në mungesë, dhe se nuk mori pjesë në asnjë mbledhje të Këshillit. Më vonë ai u tërhoq, duke e justifikuar këtë me arsye shëndetësore.