Për intelektualin që i përballoi me dinjitet sfidat e jetës, ish anëtar i Këshillit Drejtues Kombëtar të OBVL

Me 27 Qershor 2023, vetëm pesë ditë pasi kishte përcelljë bashkshorten e tij Naxhijen për në banesën e fundit, familja, shokët dhe miqtë e shumtë i dhanë lamtumirën HALIT BERISHËS, një nga përfaqësuesit dinjitozë të elitës dibrane.
Bashkohësit do ta kujtojnë Halitin si simbol të mirësisë, urtësisë e mençurisë dibrane.
I lindur më 13 prill 1941, Haliti kaloi një fëmijëri të vështirë. Ndonëse u rrit jetim për babë, që në fëmijërinë e tij të hershme, do të trashëgonte virtytet më të mira të të parëve të tij, të familjes e fisit emërndritur Berisha të Muhurrit. Mes vështirësive të panumërta, i detyruar t’i vijë në ndihmë familjes që në moshë foshnjore, krahas vijimit me zell të mësimeve në shkollën 7-vjeçare, do të përballonte punë nga më të rëndomtat në bujqësi e blegtori.
Ishin vitet ‘’60-të të shekullit të kaluar, kur në kontekstin e zhvillimeve shoqërore të asaj kohe, rinia ishte promotore e ndryshimeve të vrullshme. Ajo kohë kishte kënaqësitë e veta, por edhe vështirësi e sakrifica të mëdha.
Pikërisht në kontekstin e këtyre zhvillimeve formësohet edhe profili i Halit Berishës, djaloshit simpatik sykaltër që do të spikaste mes ekipit të ish-Komiteteve të Rinisë e Bashkimeve Profesionale të rrethit Dibër për vizionin e tij bashkëkohor.
Halit Berisha, ishte ndër më të mirët, falë aftësive e talentit, por edhe bukurisë së tij të rrallë fizike e shpirtërore.
Megjithëse jetim, me vëllain e vetëm më të vogël Likën e nënë Hanen, zemërmirë e fisnike, që rropatej për t’ua plotësuar sadopak kushtet e jetesës, kur sapo kishte dalë në jetën e tij aktive, Halitit do t’i duhej të kryente shërbimin e detyruar ushtarak, jo në ndonjë repart të afërt në vendlindje, por siç veprohej rëndom asokohe me të rinjtë pa përkrahje, e degdisin 400 kilometra larg shtëpisë, në Repartin 401 të kufirit në Sarandë. Por kufitarit dibran, që mbartte me vete një përvojë të pasur jetësore të fituar në vendlindje, do t’i vinte në ndihmë pikërisht kjo përvojë për të evidentuar aftësitë dhe inteligjencën e tij natyrore dhe atë të fituar në shkollë e në aktivitetet me rininë. Si të tillë, por edhe si djalë energjik e me karakter të fortë e caktojnë në sekretarinë sekrete të repartit. Imagjinojeni, një djali të rritur me vështirësi të shumta, por të formuar e kalitur përmes tyre i duhej të përshtatej me kushte e rrethana krejt të reja, ku i besoheshin planet sekrete tekniko-operative të përballimit të ndonjë agresioni të mundshëm grek, si ai i provokacioneve të gushtit ’49. Por pikërisht shërbimi me devotshmëri e përkushtim në atë repart ushtarak, i shërbeu atij për të krijuar lidhje të reja miqësore dhe mbi të gjitha për t’u formuar si kuadër. Në këtë repart të largët, Halit Berisha do të përsoste talentin e tij edhe në një aspekt tjetër. Si askush tjetër, këtu do të perfeksiononte profesionin e daktilografistit, pikërisht në kohën kur makina e shkrimit ishte ndër mjetet më të perfkesionuara të asaj kohe, në raport me “artilerinë” e mjeteve të sotme shumë të sofistikuara, në funksion të komunikimit në botën dixhitale, që asokohe as që mund të inagjinohej. Por Haliti, që as nuk i shikoheshin gishtat, për vetë shpejtësinë me të cilën përdorte makinën e shkrimit, do të ishte i preferuar nga nomenklatura e kohës. Madje, kjo do të ishte dhe një nga arsyet e këmbënguljes së komandës për ta mbajtur në punë si shef të sekretarisë sekrete të repartit edhe pas mbarimit të kohës së shërbimit të detyruar ushtarak. Por Halit Berisha, kurrësesi nuk mund të braktiste nënën dhe vëllain e vetëm që i kishte qindra kilometra larg repartit, ndaj dhe më 7 dhjetor 1962 u kthye përgjithmonë në vatrën e tij të ngrohtë familjare, tashmë si një kuadër i përgatitur për të marrë përgjegjësi e sfida të reja.
Nuk kishte kaluar as një muaj nga koha e mbarimit të shërbimit të detyruar ushtarak, kur Halit Berishën, në fillimin e janarit 1963 e emërojnë instruktor në ish – Komitetin e Rinisë të rrethit Dibër. Punoi plot katër vjet në këtë funksion, ku zhvilloi talentin e tij dhe u miqësua me njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme nga i gjithë rrethi, gjer në Lurë, Kala të Dodës, Steblevë e Bulqizë. Plot katër vjet, sa koha që kalon një student në auditoret e një universiteti, i dhanë atij “diplomën” e “studentit” të odës dibrane e të kuvendeve të Dibrës, të konsideruar si universiteti më i mirë i kohës. Kalon moshën e rinisë dhe sërish Halit Berishën e mbajnë në një tjetër strukturë të organizatave shoqërore të asaj kohe, siç ishin Bashkimet Profesionale të Rrethit. Punoi plot dhjetë vite si llogaritar i Bashkimeve Profesionale të rrethit Dibër, kohë kur ai mbahet mend e vlerësohet nga shokët e miqtë e tij të shumtë, si Sinan Saraçi, Agim Kaba, Baftjar Shahini, Ismete Jashari etj, si një nga kuadrot e përgatitur, korrekt e mjaft i devotshëm në përkushtimin e tij qytetar. Megjithë vështirësitë e kohës, (pasi për 15 vite si instruktor rinie dhe në Bashkimet Profesionale i duhej të udhëtonte për çdo ditë nga katër orë më këmbë Muhurr-Peshkopi dhe anasjelltas), ai kurrë nuk u gjunjëzua, përkundrazi ngjiti me meritë shkallët e karrierës. Një tjetër funksion i përgjegjshëm që ka kryer Halit Berisha për 11 vitet në vijim (1975-1986) ka qenë ai i Kryetarit të Degës së Planit në Minierën e Mermerit Muhurr. Ishte një dekadë përballjeje deri në Komisionin e Planit të Shtetit e në instanca të larta të Ministrisë së Industrisë e të rrethit Dibër, që pretendonin e kërkonin të realizoheshin plane të fryra në një minierë ku kushtet e punës ishin tejet të rënda. Por për çdo vit, planet e kësaj miniere që mbanin firmën e Halit Berishës qenë reale dhe konkuruese me të gjitha ndërmarrjet simotra. Këtë e dëshmojnë më së miri në vlerësimet e tyre për Halitin, ish-drejtorët në vite të kësaj miniere, Besim Sadiku, Rustan Loka e Hekuran Domi, duke përveçuar edhe humorin e këndshëm e mendjemprehtësinë e tij për të kapërcyer edhe situata të ndërlikuara. Me të njëjtën përgjegjësi e përkushtim punoi ky kuadër me përgatitje profesionale e moral të lartë edhe në Degën e Tregtisë Muhurr (1986-1992) dhe në ndërmarrjet tregtare e atë të grumbullimit Bulqizë (1993-1995), duke përballuar vështirësitë ekstreme të asaj periudhe, kur mungonin gjërat më elementare, deri edhe ushqime të paketës bazë. Por edhe në këto rrethana ai diti të përshtatet dhe të krijojë figurën e intelektualit të respektuar nga kolektivi dhe komuniteti ku shërbeu.
Që në Kuvendin e 6-të të OBVL (Maj 2017) është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues Kombëtar të kësaj organizate dhe për disa vite ka qëndruar pranë kryetarit të kësaj organizate, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit. Si pasardhës veterani (kushëriri i tij i parë Osman Berisha ka qenë pjesëmarrës aktiv me armë në dorë në Brigadën e 18 S) Halili ishte mbrojtës dhe propogandues i flaktë i vlerave të LANÇ.
Halit Berisha ishte dhe do të mbetet në memorien e të gjithë atyre që e njohën, si model i përkushtimit qytetar, shtetëror dhe shoqëror në të mirën e gjithsecilit. I pakursyer në dhënien e ndihmës dhe eksperiencave për të rinjtë dhe nevojtarët. Model i një bashkshorti, familjari, prindi dhe bashkqyterari dinjitoz dhe miqësor.
Tashmë që prej 25 vitesh, Halit Berisha jetoi familjarisht në Tiranë, në gjirin e familjes së tij të mrekullueshme, me bashkëshorten Naxhien, djalin Bujarin, nusen e djalit Fiqirien (Kollaku), mbesën Amarilda e nipin Serxho, ndërkohë që përkujdesje maksimale ndaj tij tregojnë katër vajzat, Kimetja që e kishte fare pranë shtëpisë së tij si dhe Kujtimja, Natasha e Lumja që prej shumë vitesh jetojnë e punojnë familjarisht në Bruksel. Ai i gëzohej gjithashtu progresit dhe dashurisë së nipërve Bledar e Arlind Rama, Oligert e Kallashnikov Hoxha dhe Paris Jovani, fëmijëve të tyre, Keidës, Alesias, Eltonit e Fitimit, të cilët me sjelljen e përkujdesjen ndaj tij i dhuruan lumturi të veçantë, tashmë në moshën e tretë.
Ata, si dhe të gjithë ne, teksa e përcollën për në botën e përtejme, të përlotur e me dhimbje të thellë i thanë:

Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë.
Parajsa qoftë vendbanimi yt i përjetëshëm!

Shuaip METHASANI
Kamber FARUKU
Muharrem GJOKA
SANIE BATKU
Demir RUSI
Sakip CAMI
NAIM BERISHA
Halil RAMA