Ngjarje e veçantë në historinë kombëtare, është tregues i vlerave të kësaj treve trimash mikpritës

Nga Xhuljeta GRACENI

Buzë liqeni i Ohrit, pikërisht në një nga vendet më panoramike të tij përgjatë rrugës Qafë Thanë – Pogradec, më 16 korrik 2023, në orën 10. 00 të kësaj date, heshti edhe zhurmat e makinave që kalojnë në këtë aks, në nder të dhjetë trimave të lirisë.
Pikërisht në orën 10.00 më 16 korrik 2023, nisi ceremonia zyrtare, në përkujtim të 80-vjetorit të Betejës së Pojskës, në kujtim të 80-vjetorit të një beteje të rrallë të LANÇ, në kujtim të dhjetë kreshnikëve të pavdekshëm, që ranë pikërisht aty, në shesh-betejën e gjerë, ku vetëm trimat ndeshen dhëmbë për dhëmbë me vdekjen duke i buzëqeshur asaj…
Para obeliskut dhe gjysmëharkut lapidar, ku dhjetë luftëtarët qëndrojnë sup më sup, në prani të dhjetëra qytetarëve të Pogradecit, ishin pjesëtarë të familjeve të këtyre dëshmorëve dhe pasardhës veteranësh të LANÇ, pasardhës të familjeve të luftëtarëve të Batalionit të Mokrës e të Dumresë, si, Sokol Agolli, djali i dibranit trim Nabi Agolli, njërit prej 100 normalistëve që lanë bankat e shkollës me 1 Maj 1943, e dolën në mal për liri. Ai u rreshtua në radhët e Batalionit të Dumresë, më pas me formimin e Brigadës XVII S, rreshtohet në këtë formacion edhe si kuadër drejtues, për shkak të trimërisë e të përvojës në luftime.
Kishin Ardhur nga Tirana 4 nipërit bashkë me bashkëshortet e tyre të zv/komandantit të Batalionit të Dumresë dibranit trim, Siri Kodra. Gjithashtu po enkas erdhi nga Tirana zj. Mira Klosi (vajza e Luftëtares së lirisë Jollanda Xhuvani, komisare e Batalionit II të Brigadës XVII Sulmuese), mbesë e dëshmorit të Pojskës, Ptoleme Xhuvani, anëtar i Qarkorit të PK Elbasan që bëri realitet thënien e tij në një hartim kur ishte student në liceun Francez të Korçës: “…Ah sikur të kisha vdek edhe unë për liri!”.
Gjithashtu merrnin pjesë dhe pjesëtarë të familjeve të dy dëshmorëve të Batalionit të Mokrës, dy vëllezërit e Komandantit të këtij Batalioni Reshit Çollaku Heroi i Popullit, dhe djali i Dëshmorit Koli Gusho.
Si në çdo vit, ishin të pranishëm kryetari i OV e Pasardhësve të Veteranëve të LANÇ Dega Pogradec, Bedri Mokreri, kryetari i OKDA Pogradec Beshir Pëllumbaj, nënkryetarët, anëtarë të kryesisë dhe anëtarë të tjerë të këtyre organizatave.
Veç tyre, të pa munguar në këtë datë të shenjtë, ishin kryetarët e OKDA Elbasan, Librazhd e Përrenjas, respektivisht Xh. Graceni dhe Ismet Muça, dhe kryetarët e OV dhe Pasardhës të veteranëve të LANÇ të këtyre rretheve Asim Elezi dhe Ruzhdije Hasula.
Ceremoninë zyrtare si çdo vit, e organizoi Bashkia Pogradec, e drejtuar tashmë në mandatin e tij të dytë nga kryetari Ilir Xhakolli, ku në asnjë rast nuk mungojnë dhe përfaqësues të shumtë të Pushtetit Vendor të kësaj bashkie dhe Prefekturës së Korçës, si Kryetarja e Këshillit Bashkiak, n/kryetarja e bashkisë, Entela Gusho që prezantoi aktivitetin, si dhe nga Institucioni i Prefektit, Qarku Korçë. I pranishëm ishte edhe kryetari i PS Pogradec, z. Erion Thëngjilli.
Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i OKDA Pogradec, dhe më pas përshëndetën Seit Çollaku vëllai i Heroit të Popullit Reshit Çollaku, e të tjerë.
Një përshëndetje të veçantë bëri Kryetarja e OKDA Elbasan, Xhuljeta Graceni, e cila nënvizoi traditën e bukur për mirë-organizimin në çdo vit, jo vetëm në përvjetorë të përkujtimit të kësaj beteje. “Kam plot 25 vjet rresht që vij në përkujtim të kësaj ngjarje. Tradita e krijuar dhe lidhja e ngushtë midis organizatave tona për ne, ka zhvlerësuar edhe ftesat.”, -theksoi ndër të tjera ajo.
Më pas, me ndjesi mirënjohje dhe respekti ajo përshëndeti popullin e Pogradecit, Mokrës e Pojskës që si dje në luftë edhe sot pas lufte, në përkujtime i kanë portat dhe zemrat hapur… Po me këtë ndjesi të thellë, ajo falenderoi Kryetarin e Bashkisë Pogradec që është një model për kryetarët e rinj në moshë, në qarkun tonë, që di të nderojë gjakun e derdhur për liri dhe atë luftë të lavdishme që na bën krenar, sepse u rreshtuam në kahun e duhur të historisë përkrah fitimtarëve. Në asnjë rast dhe nga asnjë veprimtari e OKDA e OV të LANÇ që unë kam ndjekur në Pogradec, kryetari i bashkisë z. Ilir Xhakolli kurrë nuk largohet pa përfunduar veprimtaria. “Mbështetja juaj është inkurajim, forcë dhe motivimi i duhur. Për shokët tanë këtu në Pogradec. Ai di të respektojë dhe rezervojë kohën e duhur e të plotë kur merr pjesë në këtë ceremoni. Ky është nderim dhe vlerësim për organizatat tona. Është ai nderim e vlerësim që bëjnë edhe vendet e qytetëruara të Evropës që u përfshinë në Luftën II Botërore, kundër nazi-fashizmit, bishës më të egër që ka njohur Planeti Tokë.” Pas ceremonisë zyrtare, për të gjithë të ftuarit, Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli, edhe këtë vit, shtroi një banket të bollshëm mikpritjeje, si një tjetër vlerë e lartë e tij, dhe e trevës ku ai lindi, u rrit dhe drejton me përkushtim.
Beteja e Pojskës, kjo ngjarje e veçantë në historinë kombëtare, është tregues i vlerave të kësaj treve trimash mikpritës!