Si realizoheshin fluturimet drejt Romës, Gjirokastrës e Tiranës dhe sa ishte kosto! Po sot?

Neki ÇAKO

Vëndi ynë, Shqipëria ka një histori relativisht të hershme të transportit civil e ushtarak ajror Fluturimet e para janë realizuar në Shqipëri për qëllime ushtarake, e më pas në vitet ’20 ka nisur të zhvillohet aviacioni për transport civil. Fillimisht, ishin italianët që pushtuan Vlorën në fundin e vitit 1914, që ngritën edhe një kamp aviacioni për qëlllime ushtarake, që përveç avionëve të zakonshëm përfshinte edhe një bazë hidrovolantësh. Në nëntor të vitit 1924, (kur nga vendi ishin larguar ushtritë e huaja) qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa”. Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”. Nisja e zbatimit të kësaj marrëveshje u shoqërua nga ndërtimi pak muaj më vonë i fushës së parë në kryeqytet që do të përdorej për uljet dhe ngritjen e avionëve. Kjo fushë u ndërtua në zonën e Shallvareve, me sipërfaqe 400 me 200 metra dhe destinacionet e brendshme ishin Vlora e Shkodra. Tre vite pas nisjes së funksionimit, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. (foto mëposhtë: biletaria e zyrës së aviacionit në Tiranë) Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit. Sa i përket Vlorës, në vitet ’40, nga ‘aeroporti’ i këtij qyteti zhvilloheshin tre linja fluturimesh: Vlorë-Gjirokastër ku bileta kushtonte 11 franga ari për persona, Vlorë-Romë që kushtonte 90 franga ari për person dhe Vlorë-Tiranë 17 franga ar.
A do të jetë gati fluturimi i parë nga Vlora në fund të vitit 2024? Sa do të ndikojë në uljen çmimeve dhe lehtësimin e lëvizjes së njerzëve! Po transport ndër qytetës brënda vëndit a do te ketë si dikur?
Fluturimi i parë në Aeroportin e Vlorës pritet të bëhet në fund të vitit 2024. Nga një takim me operatorët turistikë në Vlorë, në vitin 2022 kryeministri i vëndit tha se punimet në aeroportin e Vlorës kanë ecur me ritme shumë të mira nëse nuk ndodh asgjë e papritur fluturimi i parë do të mbahet në dhjetor të vitit 2024. Në qytetin bregdetar të Vlorës, është rritur edhe kërkesa e turistëve për të vizituar këtë vend.“Vlora sot është një pasqyrë e një transformimi që ka filluar të prodhojë ekonomi. Por kjo është edhe një sfidë për të pasur më shumë mundësi, kapacitete dhe për të pasur edhe shërbim më të mirë. Faza e parë e punimeve të pistës në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës ka përfunduar. Pista 3.2 kilometra është hapur krejtësisht, pritet të nisë puna për ndërtimin e godinës, ndërsa kulla e vrojtimit, rreth 40 metra e lartë do të jetë ajo që do të marrë formë e para. Po vitin tjetër do të nisë puna edhe për ndërtimin e terminalit me sipërfaqe 1800 metra katrorë. Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë nje mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit dhe do të jetë aeroporti i tretë në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike. Gjithashtu Aeroporti i Vlorës do të jetë edhe baza për flotën e avionëve “Air Albania”, ndërsa për herë të parë aty do të ketë një zonë të veçantë për mirëmbajtjen e avionëve, një shërbim i ri i kërkuar nga kompani të huaja, i cili do të përkthehet në të ardhura dhe vende pune shtesë për zonën. Mbetet për tu parë realizimi i këtij projekti përfundimi i tij si dhe realizimi i politikave ekonomike për çmimet lou – kost për tu ardhur sa më shumë në ndihmë xhepave të qytetarëve si dhe realizimit të zhvillimit të turizmit për vjeljen e të ardhurave dhe rritjen e mirqënjes së popullatës.