• Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth 53 mijë luftëtarë nga Kosova iu bashkuan Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Mbi 6 mijë prej tyre ranë dëshmorë. Ky kontribut masiv e radhiste popullin shqiptar të Kosovës natyrshëm përkrah kombeve fituese të luftës dhe i jepte legjitimitet të plotë politik për të ardhmen….

Nga Bashkim Hisari

Historia e Kosovës në shekullin XX dhe në fillimin e shekullit XXI është historia e një vullneti politik të mohuar, por kurrë të shuar. Është histori sakrifice, përjashtimi, rezistence dhe, më në fund, lirie të fituar me çmim të lartë. Por është edhe historia e një fqinji që, pavarësisht kohës dhe rrethanave, refuzon të përballet me të kaluarën e vet. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth 53 mijë luftëtarë nga Kosova iu bashkuan Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Mbi 6 mijë prej tyre ranë dëshmorë. Ky kontribut masiv e radhiste popullin shqiptar të Kosovës natyrshëm përkrah kombeve fituese të luftës dhe i jepte legjitimitet të plotë politik për të ardhmen. Megjithatë, në Jajce, në nëntor të vitit 1943, AVNOJ-i ndërtoi Jugosllavinë e re federative pa shqiptarët si subjekt politik. Ata u reduktuan në “kombësi”, një kategori që nënkuptonte përjashtim nga sovraniteti dhe mohimin e të drejtës për vetëvendosje.
Rezoluta e Bujanit ishte përgjigjja e qartë ndaj kësaj padrejtësie. Ajo nuk ishte akt rebelimi, por kërkesë për zbatim të parimeve antifashiste dhe demokratike mbi të cilat pretendohej se po ndërtohej Jugosllavia e re. Por Beogradi zgjodhi rrugën e imponimit. Vendimi i 18 shkurtit 1945 për aneksimin e Kosovës nga Serbia dhe “Kuvendi i Prizrenit” – një farsë e zhvilluar nën trysni ushtarake – vulosën fillimin e një kapitulli të errët represioni.
Periudha e pasluftës u shndërrua në një kapitull të rëndë për shqiptarët e Kosovës. Administrata ushtarake, represioni sistematik i KOS-it dhe UDB-së nën drejtimin e Aleksandar Rankoviqit, arrestimet, torturat dhe shpërnguljet drejt Turqisë, si dhe goditjet ndaj veteranëve të LANÇ-it dhe elitës intelektuale, e kthyen Kosovën në zonë të kontrollit të posaçëm politik dhe etnik. Diskriminimi institucional dhe dhuna shtetërore lanë pasoja të thella shoqërore, ekonomike dhe demografike. Veteranët e LANÇ-it dhe intelektualët shqiptarë, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj politikave shtypëse të regjimit, u përballën me forma të ndryshme represioni politik dhe shoqëror. Edhe kur demonstratat e vitit 1968 dhe Kushtetuta e vitit 1974 sollën një autonomi të zgjeruar, ajo mbeti e përkohshme. Demonstratat e vitit 1981 dëshmuan se problemi i Kosovës nuk ishte zgjidhur, por vetëm shtyrë. Represioni u rikthye, kësaj here më brutal. U bë e qartë se problemi nuk ishte zgjidhur, por vetëm ishte shtyrë në kohë. Vitet ’90 e nxorën lakuriq fytyrën e vërtetë të nacionalizmit serb. Në këtë kontekst, LDK-ja, nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës, veproi si një lëvizje paqësore dhe intelektuale, duke promovuar rezistencën paqësore, negociatat politike dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare.
Pas shfaqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në vitet 1998–1999, dhuna dhe krimet sistematike serbe arritën kulmin dhe u shndërruan në një tragjedi me përmasa të mëdha njerëzore. Mbi 13 mijë të vrarë, mijëra të zhdukur, dhjetëra mijëra gra të dhunuara dhe rreth një milion shqiptarë të dëbuar çuan në ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik dhe për të mbrojtur popullsinë civile.
Sot, Serbia vazhdon të jetojë nën hijen e së njëjtës ideologji. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, produkt politik i Partisë Radikale Serbe dhe ish-ministër i propagandës i regjimit të Millosheviqit, ka ndërtuar një regjim të centralizuar, autoritar dhe thellësisht nacionalist. Nën kontrollin e tij ndodhet i gjithë aparati represiv shtetëror, ndërsa grupe paramilitare të lidhura me pushtetin, të përbëra nga huliganë dhe elementë kriminalë, veprojnë pa ndëshkim.
Albanofobia ndaj shqiptarëve është bërë pjesë e zakonshme e diskursit publik në Serbi. Ajo shfaqet përmes stereotipeve denigruese dhe një gjuhe që kriminalizon një popull të tërë, duke e paraqitur atë si kërcënim kolektiv. Shqiptarët etiketohen si terroristë, banditë, kriminelë, kontrabandistë droge, uzurpatorë dhe dhunues. Këto emërtime nuk janë thjesht fjalë, por mjete stigmatizimi që nxisin frikë dhe urrejtje. Ky diskurs përfaqëson një formë racizmi të kamufluar dhe një neofashizëm të heshtur, të ushqyer nga propaganda dhe heshtja institucionale. Në këtë realitet, Serbia sot gjendet rrezikshëm pranë totalitarizmit të hapur, despotizmit dhe vendosjes së tiranisë. Kosova mbetet mjeti kryesor për mobilizim të brendshëm politik dhe ideologjik. Kjo vazhdimësi ideologjike u pa qartë edhe kohë më parë, më 7 janar 2026. Krishtlindja, festa e paqes, në televizionin Informer u shndërrua në një manifestim të hapur urrejtjeje. Në prani të krerëve më të lartë shtetërorë – kryetares së Kuvendit të Serbisë, zëvendëskryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme, ministrit të Drejtësisë, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë – përkrah kriminelit Vojisllav Sheshel, i akuzuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës, u kënduan këngë çetnike profashiste, mes euforie dhe duartrokitjesh. Ishte një skenë simbolike: shteti serb, edhe një herë, i rreshtuar me të shkuarën e vet më të errët. Shqiptarët, që kanë kaluar traumat e luftës së viteve ’90, përballen ende me tensione të shkaktuara nga struktura serbe të lidhura me krime të rënda gjatë luftës në Kosovë. Këta aktorë, që kryesisht veprojnë në veri të Kosovës, krijojnë tensione përmes organizimit të demonstratave të dhunshme, veprimeve diversive, sulmeve frontale ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe përmes akteve terroriste kundër rendit, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës. Këto veprime dëshmojnë se Serbia vazhdon të instrumentalizojë dhunën dhe ekstremizmin për të destabilizuar rajonin, pa u përballur me pasoja reale nga bashkësia ndërkombëtare.
Kosova përkundër kërcënimeve, ka zgjedhur rrugën e paqes, demokracisë dhe integrimeve euroatlantike. Dallimet politike të brendshme nuk duhet të pengojnë unitetin rreth çështjeve kombëtare dhe mbrojtjen e shtetit. Kosova, nga Bujani deri sot, mbetet histori e një vullneti të mohuar, por kurrë të shuar.