73-vjetori - Një nga formacionet më të mëdha e më të shquara të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare
Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Brigadës së 8-të Sulmuese
Brigada e 8-të Sulmuese ka lënë në fushën e luftimeve kundër armikut 148 dëshmorë dhe rreth 176 të plagosur, nga këto tre shoqe partizane
Shtëdhjetëetre vjet më parë u formua Brigada e VIII-të Sulmuese. Ajo u formua më 25 Prill 1944, në një lëndinë të rrethuar me lisa, me një bukuri të rrallë natyrore, në Sheper të Zagorisë. Fillimisht ajo pati një efektiv prej 950 partizanë të ardhur nga njësitë partizane të Grupit të parë të Kurveleshit, Çeta “Koto Haxhi”, Batalioni “Misto Mame”, Batalioni “Thanas Ziko” e të tjerë partizanë nga Qarku i Gjirokastrës, që të gjithë të sprovuar në luftime kundër armikut. Me krijimin e Brigadës u formuan katër batalione me nga katër kompani, me nje efektiv prej rreth 200-250 vetë.
Komandant Brigade u caktua Asaf Dragodi, Zv/Komandant Koço Gjeci, Komisar Qazim Kondi dhe Zv/Komisar Rrahman Parllaku. Njëkohësisht u caktuan edhe komandantët e batalioneve e të kompanive.
Në lëndinën me lisa ku 73 vjet më parë u inagurua Brigada e 8-të S është ngritur në shenjë kujtimi e nderimi lapidari me emrat e 148 dëshmorëve të kësaj Brigade që ranë në luftimet kundër pushtuesit nazifashist të vendit.
Fillimisht, Brigada e 8-të S e nisi operacionin kundër armikut në mbrojtje të delegatëve dhe mjediseve ku po përgaditej Kongresi Historik i Përmetit, duke zënë pozicione luftimi nga Ura e Dragodit, Rëzë, Lunxheri, Gryka e Çajupit, Gryka e Salckës, Pogon, Dhembel, Nemeçkë e deri në fshatrat e Përmetit si Çaçovë, etj.
Në ndihmë të Brigadës së 8-të S ishte një batalion i Brigadës së 5-të, në zonën e Tepelënës.
Armiku tentoi disa herë të sulmonte Përmetin, ku zhvillonte punimet Kongresi, por pa sukses. Luftimet që u zhvilluan në zonën e Tepelënës, Ura e Dragodit, Gryka e Selçkës detyruan armikun të zbrapsej, pa ia arritur qëllimit. Kongresi i Përmetit i zhvilloi punimet në qetësi të plotë.
Operacioni i Qershorit 1944 ishte prova më e vështirë, por edhe kalitja vendimtare për Brigadën e 8-të Sulmuese. Komanda e Brigadës dhe ato të batalioneve morën të gjitha masat organizative e operative për luftimet.
Më 5 qershor 1944 forcat e Brigadës së 8-të i zunë pritë një kollone gjermane me mbi 900 vetë që vinin nga Greqia. Luftimet u zhvilluan të ashpra në Skore, Sopik e Çatister nga Batalioni i 3-të që ishte në rrezik rrethimi. Një trimëri të rrallë tregoi skuadërkomandanti Ormen Boro, i cili me automatik e bomba dore u hodh si rrufe në llogoren e armikut në Sopik, duke asgjësuar një mitraloz të rëndë dhe duke vrarë disa gjermanë. Pas përleshjesh të ashpra ai u vra edhe vetë duke mbetur përjetë në altarin e lirisë.
Në këtë situatë armiku pësoi çoroditje, ndërsa forcat partizane po përparonin dukshëm. Nga luftimet e suksesshme të forcave të Batalionit të 3-të dhe të kompanisë së 2-të në Skore, armiku u detyrua të tërhiqej, duke lënë në fushën e betejës 11 gjermanë të vrarë. Nga radhët e partizanëve u vranë 5 veta dhe u plagos komandanti i kompanisë së 2-të Mustafa Demiri.
Më 13 qershor ’44 Batalioni i 3-të sulmoi në befasi një njësi armike në Grykën e Këlcyrës, në kohën kur ishin duke ndarë dhe ngrënë darkën. Armiku i çoroditur e në panik la në këtë luftim të papritur mjaftë të vrarë e të plagosur, ndërsa nga ana jonë nuk pati dëmtime.
I tërbuar nga humbjet e njëpasnjëshme, armiku kundërsulmoi forcat e Brigadës së 8-të me forca të shumta nga Gjirokastra. Prej datës 17-26 qershor 1944 për afro dhjetë ditë u zhvilluan luftime të ashpra në Lunxhëri, Çajup, Pogon e Zagori. Në kodrat e Çajupit ra mitralieri trim nga Mallakastra, Imer Xhaferi dhe u plagos partizania Keno Çarçani. Në këto luftime, Brigada bëri një tërheqje taktike në malin e Dhëmbelit. Atje u riorganizua dhe më 30.06.1944 sulmoi përsëri gjermanët në Zagorie, të cilët u detyruan të tërhiqen në Gjirokastër, duke lënë mbi 20 të vrarë e të plagosur.
Më 19.7.44 Brigada sulmoi sërish armikun në Gjirokastër. Batalioni i 3-të sulmoi natën në befasi duke i shkaktuar armikut humbje të shumta në njerëz e mjete, ndërsa nga forcat partizane ra heroikisht zv/komisari i kompansië Hito Gaçe dhe u plagos partizani Ollav Dhame.
Në Gusht ’44 Brigada e 8-të mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për të çliruar Konispolin. Luftimet u zhvilluan të ashpra dhe pas 48 orësh (më 28 gusht ’44) Konispoli u çlirua. Armiku la më se 10 të vrarë, dhjetra të plagosur; U zunë 21 robër, mbi 17 pushkë e dy mitralozë të lehtë. Ndërkohë u plagos skuadërkomandanti Fejzo Rexhepi nga Mallakastra, u vranë katër partizanë, ndër të cilët edhe komandanti trim i Kompanisë së 3-të Razo Zeneli.
Në zbatim të Urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl, Brigada e 8-të S marshoi drejt Tiranës për të marrë pjesë në luftimet për çlirimin e kryeqytetit. Gjatë rrugës kreu shumë luftime kundër armikut, si në Këlcyrë, Berat, Vokopolë, Ura Vajgurore dhe me datë 20 shtator ’44 çliroi përfundimisht Lushnjën si dhe disa fshatra të Elbasanit.
Me të mbërritur në rrethinat e Tiranës, Brigada e 8-të mori detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm për të sulmuar gazermat e Ali Rizait, Yzberishtin dhe Kodrat e Fushës së Aviacionit. Është i njohur tashmë kontributi i forcave të kësaj Brigade në betejën vendimtare për çlirimin e kryeqytetit. Nga kjo betejë, nga forcat e kësaj brigade ranë rreth 12 partizanë, në kujtim të të cilëve është ngritur një lapidar në krah të ish Kombinatit Ushqimor.
Pas çlirimit të Tiranës, Brigada e 8-të S, me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm marshoi së bashku me forcat e Brigadës së 6-të në tokat e ish-Jugosllavisë, në ndjekje të pushtuesit. Gjatë luftimeve të atjeshme ranë heroikisht Heroi i Popullit Thidhori Mastora dhe komisari trim i batalionit të 3-të, Pano Xhixho.
Brigada e 8-të Sulmuese ka lënë në fushën e luftimeve kundër armikut 148 dëshmorë dhe rreth 176 të plagosur, nga këto tre shoqe partizane.
“Partizanët e Brigadës së VIII-të Sulmuese, bij të thjeshtë të trevave atdhetare dhe patriotike të jugut, shkruan me gjakun e tyre histori lavdie gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Emrat e dëshmorëve të kësaj brigade, të shokëve dhe shoqeve të armëve, të cilët dhanë jetën për atdheun në moshën më të bukur, janë shkruar me shkronja të arta në panteonin e kombit shqiptar.
Veteranët e LANÇ dhe paaardhësite tyre janë krenarë për gjakun, mundin dhe sakrificat e partizanëve dhe dëshmorëve e heronjve të kësaj Brigade.
Në këtë përvjetor të shënuar të saj, për historinë e popullit shqiptar, shprehim bindjen dhe besimin e palëkundur se ëndrrat, idealet dhe gjaku i 28 mijë dëshmorëve do të respektohen ndër breza.
Lavdi përjetë heronjve dhe dëshmorëve të Brigadës së 8-të Sulmuese.
|