Këshilli Bashkiak vlerëson gruan e parë shqiptare që mban gradën madhore në FA të RSH
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Gjeneralmajor Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me këtë gradë madhore, gjatë karrierës së saj të shkëlqyer mbi 40 – vjeçare në Forcat e Armatosura, ka marrë disa tituj e mirënjohje nga institucione kryesore shqiptare e ndërkombëtare. Gjithsesi, vlerësimi që ju bë në qytetin e vendlindjes së saj Peshkopi, më 23 Janar 2026, duke i dhënë titullin “Qytetare Nderi” e Dibrës nga këshilli i Bashkisë Dibër, është më i veçanti dhe më impresionuesi për të dhe familjen e saj. Ky vlerësim ju bë gjatë një takimi mbresëlënës të organizuar nga Bashkia Dibër, me pjesëmarrjen e dhjetra personaliteteve, përfaqësues të elitës intelektuale dibrane.
Kryebashkiaku i Dibrës Z. Rahim Spahiu, që përveçse përkushtimit dhe vizionit bashkëkohor me të cilin ka realizuar dhe synon të realizojë një program ambicioz zhvillimor, konkretizuar në dhjetra projekte madhore infrastrukturore në të gjitha njësitë Administrative të kësaj bashkie, deri në zonat më të largëta malore, si Lura e Kalaja e Dodës, ka meritën edhe për evidentimin dhe vlerësimin e personaliteve dibrane të gjitha fushave.
Ndaj dhe në këtë takim të organizuar nga Bashkia e stafi i tij ai do të shprehej optimist për vlerësimin e gjeneralmajor Manushaqe Shehut, që si bijë dibrane, nderon jo vetëm Dibrën, por gjithë Shqipërinë. Ndër të tjera në këtë takim ceremonial ai tha se Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Dibër nderojnë me titullin e lartë “Qytetare Nderi”, Gjeneralmajore Manushaqe Shehu, bijë e Dibrës dhe gruaja e parë që mban këtë gradë në historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vlerësim, sipas kryebashkiakut Spahiu është shprehje e mirënjohjes për kontributin e saj të çmuar në shërbim të Atdheut, për profesionalizmin dhe integritetin e treguar ndër vite, si dhe për shembullin frymëzues që përcjell për brezat e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë shqiptare. Pasi i shprehu urime dhe mirënjohje të thellë Gjeneralmajore Manushaqe Shehut, kryebashkiaku Spahiu tha se “Nga Dibra kanë dalë dhe do të vazhdojnë të dalin figura që i shërbejnë kombit me dinjitet, përgjegjësi dhe përkushtim të lartë, dhe ne i kemi vlerësuar dhe do t’i vlerësojmënë vijimësi”.
DITË E VEÇANTË PËR DIBRËN DHE DIBRANËT
Një ditë të veçantë për Dibrën dhe dibranët e ka konsideruar dekorimin e gjeneralmajor Manushaqe Shehu edhe Drejtori i Performancës dhe Ideve të Zhvilimit i Bashkisë Dibër, Dali Horeshka. Në fjalën e rastit ai tha se Bashkia Dibër nderon një nga bijat e saj më të shquara, duke i akorduar znj. Manushaqe Shehu titullin “Qytetare Nderi”, si shprehje e mirënjohjes së thellë për një jetë të tërë në shërbim të atdheut. Ai bëri të ditur për pjesëmarrësit se, me vendimin nr. 82, datë 03.11.2025, Këshilli Bashkiak Dibër ka vlerësuar kontributin e saj të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, promovimin e vlerave kombëtare, të figurës së gruas shqiptare në strukturat më të larta të shtetit dhe për shembullin frymëzues që ajo përçon për brezat e rinj.
“E lindur më 5 nëntor 1965 në Sohodoll Dibër, znj. Manushaqe Shehu vjen nga një familje dibrane me tradita të shëndosha e të shkëlqyera. Qysh në rini, ajo zgjodhi rrugën e vështirë të uniformës, duke e shndërruar pasionin në mision dhe misionin në një karrierë të ndritur prej mbi 37 vite në shërbim të Shqipërisë.
Gjatë këtij rrugëtimi, ajo ka mbajtur detyra me përgjegjësi të lartë në Forcat e Armatosura dhe institucionet shtetërore: nga Shefe e Logjistikës në Brigadën 3900 në Peshkopi, deri në funksione drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes; nga Këshilltare Ushtarake e Presidentit të Republikës, te Drejtoreshë e Bashkëpunimit Civil-Ushtarak; Komandante e Akademisë së Nënoficerëve, Komandante e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes; Zëvendësshefe e Shtabit të Përgjithshëm dhe, për një periudhë, Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura te Republikes se Shqiperise. Arritja e gradës Gjeneral Major, si gruaja e parë në historinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që ka mbajtur këtë gradë, është një moment historik, që dëshmon se përkushtimi, profesionalizmi dhe vlerat nuk njohin pengesa dhe se dibranëve qe u dhimbset Kombi dhe Dibra, kudo ku kanë punuar kanë lënë gjurmë të pashlyeshme vlerash.
Për Dibrën, znj. Manushaqe Shehu nuk është vetëm një gjenerale e sukseseshme. Ajo është një shembull i fuqishëm për vajzat dhe djemtë tanë, një dëshmi se nga kjo trevë mund të ngrihen figura që i shërbejnë vendit me dinjitet, urtësi dhe guxim”, tha Drejtori Horeshka.
Në emër të Bashkisë Dibër dhe të gjithë qytetarëve te saj, ai e falenderoi gjeneralmajore Shehun për gjithçka ka bërë për Shqipërinë dhe për nderin që i ka dhënë Dibrës. Urime për titullin “Qytetare Nderi e Dibrës” dhe faleminderime i shprehu gjenerales edhe Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu. Si ish – zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes ai vlerësoi karrierën ushtarake dhe akademike të saj edhe si doktore e Shkencave, që gjeneralja i ka fituar me meritë.
Në ceremoninë e organizuar më 23 janar 2026 në mjediset komode të Hotel “Veri” Peshkopi, gjerneralmajor Manushaqe Shehu është përshëndetur dhe uruar përzemërsisht edhe nga Kryetari i Këshillit Bashkiak të Dibrës, Z. Sokol Sava, si dhe nga Drejtori i Shkollës 9-vjeçare Sohodoll Fatbardh Cena.
“Të jesh nderuar nga vendi yt nuk është vetëm krenari, është detyrim moral”
Pasi ka përshëndetur kryebashkiakun Rahim Spahiu, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe vendore, personalitete të kulturës e historisë, të pranishëm në këtë takim vlerash, gjeneralmajor Manushaqe Shehu, e emocionuar, thellë është shprehur se të jesh nderuar nga vendi yt nuk është vetëm krenari — është detyrim moral. “Sot e ndiej këtë peshë me dinjitet, me mirënjohje dhe me emocion të thellë. Dibra ka qenë gjithmonë tokë e fjalës dhe e besës. Është thënë me të drejtë se “Në Dibër, nderi është si buka – nuk jepet shkel e shko.” Këtu njerëzit nuk maten me fjalë të mëdha, por me punë të heshtura. Dhe pikërisht kjo frymë e ka ndërtuar karakterin tim. Jam rritur në një familje ku prindërit e mi të ndershëm dhe punëtorë më mësuan se nderi nuk trashëgohet – fitohet. Se shërbimi për vendin është guri i themelit të dinjitetit. Se fjala është kontratë. Se për të ecur përpara duhet të mbash shpinën drejt, jo kokën ulur. Rrugëtimi im profesional, deri në gradën e gjeneral-majorit, si gruaja e parë në historinë e vendit që mban atë uniformë, nuk ka qenë i lehtë. Ka qenë një rrugë sakrifice, vendosmërie dhe besimi. Por Dibra më mësoi diçka thelbësore: se pengesat nuk të ndalin, përkundrazi të farkëtojnë. Sepse njeriu formohet në vështirësi, jo në komoditet. Sot, ky titull është më shumë se një çmim. Është një lidhje e ripërtërirë mes meje dhe vendit tim të origjinës. Është një nder për prindërit e mi, të cilët nuk jetojnë më, por vepra e tyre rron në mua dhe në atë që unë kam qenë e jam. Është një amanet për familjen time, për djalin tim që sot është vetë baba, dhe për mbesën time Lori, vetëm dy muajshe, që rritet me dashurinë e një familjeje ku nderi dhe puna janë themele. Dua t’i drejtohem sot edhe brezit të ri të Dibrës: Mos kërkoni rrugë të shkurtra. Mos kërkoni lehtësira. Mos kërkoni duartrokitje boshe. Rrugën e lavdisë e ndërton vetëm ai që nuk ka frikë nga vështirësia, nuk ka frikë nga sakrifica dhe mbi të gjitha – nuk ka frikë nga përgjegjësia. Se Dibra nuk rrit njerëz të dorëzimit, rrit njerëz të qëndresës. Me nder të madh e pranoj këtë titull. Iu uroj që Dibra të mbajë gjithmonë atë që ka mbajtur ndër shekuj: dinjitetin, mençurinë dhe zemrën. Zoti e bekoftë Dibrën dhe njerëzit e saj”, tha gjeneralmajor Manusha Shehu në fjalën e saj të përsjëndetjes pasi ka marrë titullin e lartë “Qytetare Nderi” e Dibrës.
PAK RADHË PËR PROFILIN E GJENERALMAJOR MANUSHAQE SHEHUT
Veç të tjerash, në profilin e gjeneralmajor Manushaqe Shehut, doktore e shkencave, dhe juriste spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ishte nga të parët që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare. Si njohëse në mënyrë perfekte e dy gjuhëve të huaja (anglisht dhe italisht), dr. Manushaqe Shehu ka përfunduar kursin e CIMIC në Qendrën P&P, Ankara, Turqi (mars–prill 2013), Kursin Gender Perspective in Peasekeeping Operations në Zagreb, Kroaci (qershor 2014); studimet për CIMIC&CIMI Oberamengau, Gjermani (shtator – tetor 2015); Kursin “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore” në Qendrën P&P, Ankara, Turqi (maj 2016); Kursin e Lidershipit Strategjik, Budva, Mal i Zi (shtator 2016); Kursin e Sigurisë në “Qendra Marshall”, Garmish, Gjermani (korrik– shtator 2017) si dhe kursin “Billding Integrity” në Mbretërinë e Bashkuar (tetor 2017). Në muajin gusht 2018, në mbrojtje të temës “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë – Rasti i Ballkanit e më gjerë”, fiton gradën shkencore “Doktor”. Ajo ka botuar një sërë artikujsh shkencorë dhe joshkencorë brenda e jashtë vendit, në revista ushtarake, në shtypin ushtarak e civil. Ajo ka botuar dhe promovuar librin e saj “Lidershipi në mjedisin e sigurisë”, duke e renditur veten në radhën e studiuesve seriozë të Forcave të Armatosura dhe të Sigurisë dhe aktualisht si lektore shembullore në një nga universitetet jopublike më prestigjiozë të Tiranës.
Po ashtu ka marrë pjesë në disa aktivitete ushtarake ndërkombëtare në vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere të saj.
Dhe jo vetëm kaq, si intelektuale bashkëkohore, demokracinë e konsideronte sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të saj ishte vetëm konkurrenca në vlera. Ajo besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme. E qetë, e pjekur, shumë e kulturuar, nuk pajtohej me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore, por mbante qëndrim. Shpërthyese dhe autoritare në ndëshkimin e saj individual, sepse përherë qëndronte në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet, ajo ishte dhe është individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e saj mund t’i shërbenin dhe i shërbejnë shumë një institucioni, një misioni. Këto cilësi i manifestoi dukshëm si drejtuese në disa nivele të Ushtrisë Shqiptare, deri në majën e piramidës së saj, si zëvendësshefe e SHP të FA të RSH-së.