Me rastin e 80-vjetorit të krijimit të Brig. IV -S
NGA KOZMA GJINI
Nexhip Vinçani ishte një ushtarak e komandant autoritar, orator, ideator dhe prakticien i përkryer luftarak, por ishte edhe një njeri i shkëlqyer e me zemër të madhe, i afrueshëm, i dashur, i arsyeshëm me vartësit. Nuk mund të harrohet përplasja trup më trup për hakmarrje midis dy ushtarëve, ku ngjarja pritej të kalonte në gjyqin ushtarak e njëri nga ata do të pushkatohej, (sipas ligjit të luftës), por ishte ndërhyrja e zgjuar në kohë e komandant Nexhipit që e zgjidhi situatën dhe i shpëtoi jetën tjetrit.
Kurbani i rradhës…!
…Kujtdo që e ka njohur sadopak jetën e N.Vinçanit, natyrshëm i lind pyetja: “Pse E. Hoxha nuk e donte në erë Nexhipin? Pse kaq agresiv ndaj tij? Përse e mohoi dhe e hodhi poshtë kontributin e madh të tij në luftë? Pse e shkeli me këmbë bukën që kishte ngrënë në shtëpinë e Nexhipit? Pse kaq mllef deri në eleminimin nga çdo detyrë dhe përndjekjen baltrave të vendit e shkatërrimin e tij fizik, moral e familjar?
“ …Filozofia drejtuese e E. Hoxha ishte “copy paste” e filozofisë staliniane: “divida et impera”= përça e sundo”! Kjo ishte vija e “artë” e sundimit të diktatorëve dhe këtë e ka pohuar edhe shkrimtari ynë D. Agolli etj.” “Kush më shkel në kallo, ia “pres gjuhën”. Nexhipi ishte njëri nga kuadrot më të përgatitur ushtarak që kishte mbaruar Akademinë e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike “Voroshillov” dhe i pakompromentuar me kompleksitetin e agjenturës jugosllave që përvijoi “Plenumin e Zi” të PK.
Në Konferencën e Tiranës, Enveri donte që ta implikonte dhe Nexhipin me grupin e delegatëve që ngritën probleme kundër udhëheqjes së lartë të PPSH. (Ndonëse Nexhipi nuk ishte fare delegat). Në këtë kohë ai ishte me shërbim në Durrës, Komandant i Mbrojtjes Bregdetare). Gjatë seancës së Konferencës, Enveri iu drejtua kolonel Iljaz Ahmetit: “Pa hë Iljaz, na thuaj: Çfarë ju thoshte Nexhip Vinçani për shokët e udhëheqjes”? Iljaz Ahmeti jo vetëm që nuk foli kundër Nexhipit, përkundrazi e mbrojti. Këtë gjë, E. H. ia mbajti “vëth” në vesh. Do të thirrej në Byronë Politike: “Kërkoni t’i zini vendin Beqir Ballukut?” Nexhipi cilësohet “antiparti” dhe u përjashtua nga Plenumi i KQ, u shkarkua nga detyra e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm e u dërgua në Elbasan, si Shef i Degës Ushtarake e më pas: komandant Divizioni në Tiranë e Komandant të Mbrojtjes Bregdetare në Durrës. Në këto detyra ai qëndroi deri në janar 1958, kur do ta shkatërronin moralisht, e liruan nga ushtria dhe më pas e arrestuan. Po cili ishte shkaku i vërtetë i goditjes së Nexhipit dhe si erdhi arrestimi i tij? Pa asnjë bazë, Nexhipi u akuzua se “në bashkëpunim me Gjin Markun e Tahir Kadarenë, gjoja kishin tentuar të organizonin një kompllot për të rrëzuar nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes , gjeneral-leitnant, Beqir Ballukun dhe ta merrin vetë drejtimin e asaj ministrie.” Koha tregoi se akuza e “kompllotit” ishte false….
Enveri e shkarkoi dhe e goditi Nexhipin, se në Kongresin e Parë të Partisë, ai nuk u çua që të kritikonte Gjin Markun, kur ky i fundit, i kërkoi Koçi Xoxes që të “thellohej” në autokritikën e tij. PS: “Thellimi” nënkuptonte se në këtë përgjegjësi, kishte pjesën e tij edhe E.Hoxha. Po, a mund ta pranonte ai këtë gjë?! Nga gjithë ajo përndjekje këmba-këmbës del se Enveri e ka dashur të vdekur Nexhipin, (ashtu si dhjetra të tjerë), por i mungonin faktet.
Në një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm me kuadrot kryesorë të qarkut të Korçës, në marsin e ’44, Koçi Xoxe u shpreh: “Këtu në qarkun e Korçës nuk ndjehet fare Partia dhe udhëheqja…, por vetëm Nexhip Vinçani”. Kjo thënie e Koçit ishte si një paralajmërim për Nexhipin, që të ruhej se mbi krye kishte një “usta” që survejonte për t’ia gjetur ditën e keqe…Por, vet Enveri ia kishte dhënë një përgjigje pyetjes së Koçit në një tjetër rast, duke i thënë:
“…Që të ngresh autoritetin tënd dhe të Partisë, ti Koçi, mos rri në prapavija (Bakull, Lavdar, Panarit etj), por shko atje ku shkon Nexhipi me Pëllumbin, atje do do të njihesh me komandantët, komisarët e do të të respektojnë ty dhe Partinë”. Pavarësisht “divergjencave” mes tyre, pikpamja e Koçit me të Enverit, ishin në sinkron kur vinte fjala për qendrimin ndaj Nexhipit.Edhe pse Nexhipi e drejtoi me sukses Brigadën e IV-S në luftimet për çlirimin e Tiranës etj, edhe pse u përzgjodh si një nga kuadrot më shembullorë të luftës dhe u dërgua për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, edhe pse u zgjodh komandant i Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, Shef i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes, Zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm, kostumi i gjeneralit nuk arriti ta mbronte nga zilia, urrejtja dhe hakmarrja e kupolës shtetërore.
Duhej gjetur një “ganxhë”, për të justifikuar arrestimin. Plani i Kadri Hazbiut ishte mirëkurdisur.
“Teksa gruaja e Nexhipit kishte shkuar për të blerë në merkato, shitësja (e infiltruar e sigurimit), i tha asaj që të blente disa ushqime më tepër… Më pas u denoncua për abuzim dhe u arrestua. Qëllimi i sigurimit ishte që ta ndante Nexhipin nga gruaja dhe më pas, asaj i bënin presion që të fliste dhe të akuzonte Nexhipin sipas akuzave që do t’u duheshin…
Sigurimi arriti ta ndante Nexhipin nga gruaja, por Memka nuk pranoi kurrë që të fliste kundër burrit të saj.
“… Enver Hoxha, pas tij edhe të tjerët, asnjëherë nuk e zunë në gojë emrin tim si delegat në Konferencën e Pezës, por për mua ka patur rëndësi fakti që Konferencën e Pezës, do ta ruaj në kujtesën time si aktin e një rëndësie madhore për kombin, pavarësisht se kush ish nismëtari…”, ka shkruar gjeneral Vinçani. (Por dihet që atëhere, kryetar shteti, partie, ministrie, kryeministër, kryeparlamentar, kryeprokuror e kryegjyqtar …ishte vetëm AI.) Nexhip Vinçani ishte vënë në shënjestër shumë herët… për t’u bërë kurban nga Enveri… Jeta e pas “kryqëzimit” për të ishte pasqyra e një sprove për të rezistuar. Nexhip Vinçani karakterizohej nga qendrimi heroik, burrëror, i paparë ndaj torturave fizike, akuzave, shpifjeve, trillimeve, insinuatave, aludimeve, prapaskenave, mashtrimeve, intimidimeve, dhunës psikologjike, gjuetisë së shtrigave dhe provokimeve të sigurimsave… E degdisën deri në skajet ku të mos i dëgjohej zëri, por ai qendroi dhe erdhi dita të tregonte të vërtetat e luftës, kulisat e udhëheqësve, ndërkohë që ka qënë vet përkthyes në bisedat me ta dhe shtëpinë e ktheu në bazë ku mblidhej shtabi i vendit dhe vet Enveri me krerët e Jugosllavisë “Tempo” e “Stojniç”.
Pas Konferencës së Tiranës, në vitin 1956, gjeneral Nexhip Vinçani, i cili ishte kundër kultit të individit, shkarkohet nga detyra…kur ende nuk kishte mbushur 40 vjeç, dërgohet si punëtor i thjeshtë në Lushnjë e mandej përgjegjës kantieri në Fier, ku trajtohej si armik. Arrestimi i Nexhipit u bë mbi bazën e Nenit 55 të Kodit Penal, “për agjitacion e propogandë”. Por kalvari nuk mbaroi me kaq.
Pas dhjetorit 1981, ai ndiqej në çdo hap. Në Tiranë, kur shkonte te vëllai, një i njohur i tij e paralajmëroi se po e ndiqte sigurimi për ta arrestuar. Ndërkohë në Lushnjë, ku banonte vajza e tij, e kishin rrethuar shtëpinë me policë. Fjeti këtë natë te vajza. Të nesërmen në mëngjes e përcolli dhëndërri, dr. Genci Dani deri te stacioni i trenit, ku do të merrte trenin për në Fier. Dhe ashtu ndodhi. Nexhipin e arrestuan në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit ku hetuesi i shkoi me një numër të madh policësh, që të bënin bujë e zhurmë të madhe dhe e arrestuan në mënyrë demonstrative në sy të banorëve të lagjes, madje për analogji, duke i kujtuar titullin e librit të Kadaresë, “Hë…! “Gjenerali i ushtrisë së vdekur!?”. Në hetuesinë e Fierit do të pyetej edhe për “lidhjet” me oficerët e Misionit Britanik në Shqipëri gjatë luftës. Nexhipi iu përgjigj me ironi: “Po,… kam qenë agjent i italianëve, i jugosllavëve, rusëve, kinezëve, anglezëve, madje dhe i japonezëve…” Atëhere e godasin me mjete të forta, derisa humbi ndjenjat. Po çfarë ndodhi me Nexhip Vinçanin, pasi e liruan nga hetuesia, ku e torturuan për 11 muaj me rradhë? Ndërkohë që kishte kaluar të shtatëdhjetat, i komunikuan internimin për në fshatin Grabovë të Gramshit, pasi më parë i kishin internuar dhe gruan e dytë në fshatin Shtyllas të Fierit. Grabova ishte 8 orë larg Gramshit dhe atë e caktuan të banonte në një kolibe qeni.
Një vështrim, urdhërit për arrestimin e gjeneral Vinçanit. Thënia se urdhërarresti ishte firmosur nga Beqir Balluku, bie poshtë, sepse vet Balluku e ka pohuar me gojën e tij: “Jo!” Edhe varianti se urdhërin e ka dhënë Kadri Hazbiu, rrëzohet, sepse ai nuk kishte kompetenca të vendoste për të arrestuar një gjeneral. Atëherë? Për arrestimin e gjeneral Nexhip Vinçanit kishte vendosur kreu i kupolës shtetërore e partiake, vet E. Hoxha.
Me Nexhipin, organet e diktaturës u morën edhe pas internimit të tij. Qëllimi ishte që ta “shtrydhnin”, me shpresën se mos nxirrte ndonjë argument për të justifikuar termin “poliagjent” që Enveri damkosi Mehmet Shehun, (vetëvrarë më 18/12/1981). Nexhipi ishte një strateg i rrallë ushtarak, sepse edhe në momente të vështira, me intuitë dhe inisiativë, e nxirrte të fituar betejën, madje pa i “marrë dorën” udhëheqjes. Kjo gjë e fuste në ambicie me krerët drejtues.
A ka kontribut më të madh se Nexhipi në Qarkun e Korçës? Nga dëgjesat me bashkëkohës, Nexhipin e rendisin si mendja më e ndritur që ka nxjerrë Korça gjatë luftës.Më 1982 arrestohet për agjitacion e propagandë. Dënimi i tij është cilësuar i padrejtë.Veprimtari i shquar i LANÇ-it, gjenerali dhe ushtaraku i lartë, vdiq në Tiranë më 6 shkurt 1997. Gjeneral Vinçani u la vajzave amanetin: “Nuk do t’ju lë një pasuri, por do t’ju lë një emër!”
Nexhip Vinçani është dekoruar me 11 urdhëra e medalje të ndryshme.Ai ka marrë një dekoratë të lartë nga ish-Presidenti shqiptar, z. Alfred Moisiu.Me rastin e 9 Majit 1995, që përkonte me 50 -vjetorin e firores përfundimtare mbi nazifashizmin, është dekoruar edhe nga ish-Presidenti i Federatës Ruse, Boris Jelcin. Korça i ka akorduar titullin “ “Qytetar Nderi” dhe “Nderi i Qarkut”. Më 2021, nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, merr dekoratën e lartë “Nderi i Kombit (pas vdekjes).
Shumë bashkëkohës, bashkëluftëtarë dhe pasardhës të veteranëve pohojnë me plot gojën se gjeneral Nexhip Vinçani është “Themistokli Gërmenji i dytë” për Korçën. Ai është një nga mendjet më të ndritura që ka nxjerrë Korça gjatë periudhës së luftës për çlirimin e vendit. Ai është produkt i kohës…
Pse Brigada e IV s’u dekorua me titullin “Hero i Popullit”? Ndërkohë që komandanti i Brigadës së 4 S, na doli “tradhtar e armik i partisë e i popullit”…, s’kishte shans që të bëhej Brigada e 4. S, “Hero i Popullit” (!).
x x x
Gjithëkush mund të pyes: A është Nexhip Vinçani njeriu “HERO” që dha gjithçka për Epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Qarkun e Korçës dhe më gjerë? A do të ishte busti i Nexhip Vinçanit, figura më e përshtatshme për të simbolizuar sakrificat e korçarëve për periudhën e LANC në Qarkun e Korçës? A do ta nderonte Korçën një përmendore e tillë e Nexhip Vinçanit , si figurë që e nxorën situatat dhe sakrifica e jashtzakonshme që u desh të kaloheshin me sukses në këtë Epope të Lavdishme?
Atëhere: “Çfarë nuk ka bërë tjetër Nexhip Vinçani për ta merituar atë përmendore? E nëse dikush do të thoshte se mund të jepte edhe jetën, përgjigja do të ishte se ai u varros me plumbin në trup, kur u plagos në luftë për çlirimin e Pogradecit.Korça nuk ka një simbol të përmasave të tilla, për periudhën e Epopesë së Luftën ANCL, ashtu siç ka Themistokli Germenjin për periudhën e vet. E, pra, të nderuar miq: Vlerësimi për gjeneral Nexhip Vinçanin, (përveçse për gjithë vendin), është së pari vlerësim për Korçën, për institucionin e Bashkisë dhe Këshillin bashkiak të qytetit të Korçës.
Shënim: (Duke qënë në përfundim të librit “GJENERAL NEXHIP VINCANI NDERI I KOMBIT” që koincidon me 80-vjetorin e krijimit të Brig.IV-S, nuk mund të mos shkruaja për “Telegraf” (gazeta që mban një qëndrim të prerë në mbrojtje të vlerave të LANC) një “Kujtesë-Homazh” për jetën e gjeneralit, përplasjet reale me regjimin e Hoxhës, ndonjë konkluzion e të pathëna deri më sot …Me këtë rast, u shpreh mirënjohjen vajzave të heroit të cilat kanë publikuar gjithcka për personalitetin e babait të tyre, shkrimtarin e publicistin e shquar z. Shpendi Topollaj, i cili ka hartuar parathënien unike për librin, pa harruar konsulencën me Dr. Genc Danin, dhëndërrin e Nexhipit, i cili ruan një arkiv të vyer kujtimesh për N.Vinçanin).
SHKRIMJETA E GJENERAL NEXHIP VINÇANIT
- Lindi më 21 gusht 1916
- Kreu gjimnazin në: Korçë, Tiranë e Shkodër
- Jurisprudencë, studime në Romë, Itali
- 1941, pranverë, arrestohet, si organizator i demonstratës antifashiste të studentëve shqiptarë.
- 1941, 28/11/ kthehet në atdhe.Radhitet në LANC.
- 1942, 16 shtator, delegat në Konferencën e Pezës, përfaqësues i Rinisë Antifashiste,
- 1942-43 organizator i çetave e batalioneve partizane, Korçë
- 1943, mars, Komand. Operac. për çlirimin e Leskovikut.
- 1943, qershor, kom. shtabit për çlirimin e Korçës
- 1943, korrik, Kom. Shtab, Oper. për çlirimin e Përmetit
- 1943, 28 nëntor, plagoset në luftë për çlirimin e Pogradecit
- 1943, 28 dhjetor, Komandant i Brig. IV-S
- 1944, tetot-17 nëntor, zv/komandant i Shtabit Operativ për çlirimin e Tiranës.
- Komandant i divizionit Korçë.
- Drejtor i Drejtorisë Operative
- Komandant i Divizionit në Gjirokastër.
- Kongresi i Parë i pksh e zgjodhi kandidat të kqp
- 1945-48. Akademia Usht. “Voroshillov” në Moskë.
- 1948, divizionet Peshkopi e Diviz. Korçës
- 1949 drejtor, Drejtoria Operative e Min. Mbrojtjes Zv/Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë.
- Në provokacionet e gushtit, kryeson i grupin operativ.
- 1949 Kongresi 1 pksh. i jep goditje te cfrenuar Nexhipit
- 1950-Shkarkohet nga posti i Zv / Shefit të Shtatmadhorisë dhe i kandidatit të Kom. Qendror.
- 1950, shkurt, plenumi kqp -E. Hoxha e godet personalitetin e N.Vinçanit
- 1951 emërohet shef i Degës ushtarake në Elbasan. Komandant i Divizionit të Parë në Tiranë.
- 1953 Komandant i Mbrojtjes Bregdetare.
- 1956 e lirojnë nga detyra dhe nga ushtria.
- 1956 në Konf. e Tiranës E.H. i jep goditjen fatale.
- 40 vjeç, dërgohet punëtor i thjeshtë në Lushnjë e përgjegjës i kantierit në Fier.
- 1958 arrestimi i parë i Nexhipit
- 1971 del në pension pleqërie