Brezi që dhuroi jetën për lirinë e Shqipërisë na la një amanet: Atdheu është përgjegjësi

Prof.asoc.dr. Bernard ZOTAJ – Mjeshtër i Madh

Historia e Shqipërisë është endur me fije gjaku e flijimi, e veçanërisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u shënuan faqe të lavdishme që nuk i zbeh asnjë kohë. Çdo krahinë, çdo fshat e çdo familje dha pjesën e vet në përpjekjen titanike për liri. Mes shumë emrave që ndriçojnë kujtesën kombëtare, qëndrojnë edhe tre dëshmorë të rinj: Zeqir Hetem Deromemaj, Gani Bajram Gabaj dhe Sejdi Ormën Muraj, të cilët e shkruan me jetën e tyre një testament të pavdekshëm atdhetarie. Ata nuk jetuan gjatë, por jetuan me qëllim të madh: lirinë e Shqipërisë. Prandaj mbetën të rinj në përjetësi.

Zeqir Deromemaj – jetimi që ra dëshmor në Kukës

Historia e Zeqir Deromemajt është histori e dhimbshme, por madhështore. I lindur në Mesaplik në vitin 1923, ai u rrit jetim, pasi i ati u vra që herët. E ëma, nëna Pashakoja, e rriti mes varfërisë por me dinjitet e karakter të pathyeshëm. Ajo i dha të birit edukatë, dashuri për librin dhe ndjenja të pastra atdhetare. Zeqiri u dallua në shkollë për zgjuarsi e kulturë, por në kohë pushtimi, libri u ndërpre nga detyrimet e luftës.

I përfshirë në lëvizjen antifashiste, ai u përjashtua nga shkolla Tregtare e Vlorës, u arrestua, u burgos e më pas u lirua për mungesë provash. Në gusht 1943 u rreshtua në çetën partizane “Zigur Lelo” dhe më vonë në Brigadën e V Sulmuese. Edhe pse i ri, ai mori funksione drejtuese dhe në vitin 1944 u caktua zëvendëskomisar kompanie. Ra heroikisht në Kukës më 3 tetor 1944, vetëm pak ditë para çlirimit.

Nëna Pashako i ruajti si relike dy letrat e tij të fundit, ku Zeqiri shkruante: “Kush vdes si burrë në ballë të luftës, emri i tij do të mbetet i paharruar në histori e këngë…”. Dhe vërtet, emri i tij sot mban shkolla 9-vjeçare e Mesaplikut, ndërsa ai është dekoruar me medaljet “Trimëria” dhe “Kujtimi” dhe është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Gani Bajram Gabaj – trimi i Ramicës që ra në Gjakovë

Nga Ramica e Smokthinës vjen një tjetër figurë e pavdekshme: Gani Gabaj, lindur më 1921 në një familje atdhetare. Familja Gabaj dha shumë për luftën: djep trimash, strehë për partizanë, vatër sakrifice.

Ganiu dezertoi nga ushtria fashiste në vitin 1942 dhe u bashkua me çetën “Plakë” të Vlorës. Mori pjesë në betejat e Gjormit, Selenicës dhe Drashovicës. Më pas u rreshtua në Brigadën e V Sulmuese dhe bashkë me të marshoi deri në Kosovë.

Në betejën për çlirimin e Gjakovës më 16 tetor 1944, Ganiu u shqua për trimëri të jashtëzakonshme. Në një moment kritik, kur armiku kishte marrë një pozicion të fortifikuar, ai u hodh me granata për të hapur rrugën e fitores. Edhe pse i plagosur, vazhdoi luftimin derisa ra heroikisht. Populli gjakovar u ngrit atë ditë për të ndihmuar partizanët shqiptarë – një vëllazëri gjaku që nuk harrohet.

Ganiu prehet sot në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë dhe është nderuar me medalje dhe mirënjohje. Familja e tij është simbol krenarie për Smokthinën.

Sejdi Ormën Muraj – komisari që mbeti flamur në Junik

Një tjetër bir smokthinjot, Sejdi Muraj, lindi në Bashaj më 1920. Edhe ai u rrit në frymën e patriotizmit. U arratis nga ushtria fashiste në vitin 1942 dhe u bashkua me çetat partizane. U burgos nga pushtuesit, por u lirua pas një aksioni të njësitit gueril në Vlorë. Ai u dallua për karakter, përkushtim dhe integritet. U ngjit në detyra drejtuese dhe u emërua komisar kompanie në Brigadën e V Sulmuese.

Ra heroikisht më 25 tetor 1944 në Junik të Gjakovës, duke udhëhequr shokët në luftë të drejtpërdrejtë me gjermanët. Lajmi i rënies së tij mbërriti në shtëpinë e nënës Metullaha, e cila e priti me dinjitet e shtërngoi lotët duke thënë: “Mendoni sa nder na sollën bijtë tanë, ndaj përpiquni të jeni të denjë…”

Familja Muraj ka tre dëshmorë dhe kujtimi i tyre nderohet në rrugë e shkolla të Vlorës. Sejdiu u shpall po ashtu Dëshmor i Atdheut.

Përfundim: Dëshmorët mbetën të rinj përgjithmonë

Brezi që dhuroi jetën për lirinë e Shqipërisë na la një amanet: Atdheu është përgjegjësi. Zeqiri, Ganiu dhe Sejdiu nuk jetuan gjatë, por jetuan me dinjitet. Ata mbetën të rinj në këngë, në histori, në kujtesë. Jeta e tyre u ndërpre, por lavdia e tyre nuk shuhet. Ata ishin bij të popullit – djem nënash, që u rritën ndër male, mbajtën pushkën dhe besuan te liria. Për ta, atdheu ishte fjala më e shtrenjtë.