Brigada e Pestë Sulmuese “Heroinë e Popullit” është formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës, formuar mbi bazën e dy batalioneve partizane “Ismail Qemali” dhe “Halim Xhelo”, si dhe vullnetarëve të rinj që plotësonin radhët.
Brigada e Pestë është një nga 27 brigadat e Ushtrisë së lavdishme NÇL. Vlen të theksojmë se efektivi i saj përbëhej nga bijtë e bijat më të mira të Vlorës e të Labërisë, luftëtarë të vjetër, ish-partizanë të Çetës “Plakë” të Vlorës, e të shumë njësive të tjera.
Datëlindja e parë e kësaj njësie luftarake që përkon dhe me një ditë të shënuar 31 vjetori i Pavarësisë nga Ismail Qemali. Fillimisht kishte 3 batalione, me një efektiv të përgjithshëm prej 960 partizanësh. Me një organizim të tillë, Br.V S ishte formuar që më 28 nëntor 1943 në Gumenicë, madje ishte angazhuar në luftime për përballimin e operacionit nazist “Bergkessel” në luginën e Lumit të Vlorës, në dhjetor 1943.
Luftimet e para brigata e V-të e sapo formuar, jo e plotë i zhvilloi në Dukat dhe në qafën e Kiçokut batalionin e tretë. Detyra ishte për të penguar çdo përpjekje të armikut për të depërtuar në zonën e Lirë të Mesaplikut dhe Kurveleshit.
Në këto kushte armiku filloi të tërhiqej nga Gjormi. Gjatë luftimeve në tërheqje, një mitroloz gjerman gjuante me breshëri në drejtim të pozicioneve të partizanëve dhe ra në krye të detyrës duke luftuar Komandanti Abaz Shehu së bashku me dy korrierat trima dhe besnik Bilal Malaj dhe Xhuvel Xhemali.
Në periudhën nga 28.11.1943 deri më 20 janar

944 u arrit që të formohen edhe dy batalione me luftëtarë dhe kuadro. Megjithë vështirësitë e dimërit, në saj të angazhimit të gjitha strukturave partiake dhe këshillave të fshatrave u arrit që forcat partizane që do merrnin pjesë në inagurimin e brigatës të grumbulloheshin në Bramyshnjë të Tërbaçit.
Ajo u përurua më 20 janar 1944 në fushën e Bramyshnjës së Tërbaçit dhe përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe politike-ushtarake. Më 20 janar 1944, Brigada u plotësua me 5 batalione me mbi 1200 partizanë, fillimisht secili me nga 3 kompani.
Efektivi i përgjithshëm i Brigadës nga 1200 partizanë në Bramyshnjë, kur po nisej nga Novipazari më 15 mars 1945 numri efektiv i Brigadës arrin 3000 luftëtarë. Brigada kishte 5 batalione me nga 200- 400 partizanë dhe në çdo batalion kishte 4 kompani me nga 40-80 vetë. Karakterizohej nga thellësia e veprimeve luftarake në drejtim 2300 km, me temp minimal e maksimal të marshimeve: 20-50 km në ditë, si dhe vazhdueshmëri të marshimeve të sforcuara 3-5 ditë.
Rruga luftarake e Brigadës së Pestë, e betejave të saj të lavdishme, duket nga vetë luftimet e ashpra e të pandërprera që ajo zhvilloi prej skajeve jugperëndimore të Atdheut deri tek ato verilindore në Kukës e në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren e në Drenicë të Kosovës, madje edhe përtej tyre, deri në Sanxhak e në Bosnjën Jugore. Luftimet e saj, si ato për thyerjen e operacioneve naziste në dimrin e viteve 1943-’44 në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër, ato të Sevasterit, të Kuçit e të Borshit në mars e në prill të vitit 1944, të Çarshovës e Biovizhdës së Përmetit në maj, të Qafës së Gjarpërit e të Gurit të Prerë gjatë thyerjes së Mësymjes armike të Qershorit 1944; kalimi i Shkumbinit dhe luftimet në Shupal të Tiranës, në Macukull e Klos të Matit, në Sinë e Korab të Dibrës, në Lumë të Kukësit, në Gjakovë e Prizren dhe në malet me borë të Sanxhakut, do të kujtohen gjithnjë si beteja, ku është derdhur shumë gjak trimash të kësaj njësie partizane kundër një armiku të madh, të egër, të fuqishëm dhe të armatosur gjer në dhëmbë.