• E krijuar para 30 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona
kombëtare

Halil RAMA*

Për Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, 2024 është viti i dy ngjarjeve madhore: 80 vjetori i çlirimit të atdheut nga okupatori nazifashist dhe 30 vjetori i krijimit të saj. Në këtë kuadër kryesia e OBVL ka hartuar dhe miratuar një program të ngjeshur veprimtarish. Gjithsesi kryesia e OBVL sjell në vëmendjen e opinionit publik dhe në mënyrë të veçantë, në vëmendjen qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që ashtu si në përvjetorët tjerë jubilarë është domosdoshmëri krijimi i një komisioni të posaçëm shtetëror gjithëpërfshirës. OBVL kërkon që ky komison të jetë gjithëpërfshirës në dimensionet e vlerave që mbart dhe sjell 80-vjetori i çlirimit të atdheut, me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi i këtij jubileu të jetë i denjë për këtë ngjare të madhe, të jetë i denjë për të nderuar sakricën sublime, gjakun e dëshmorëve, heroizmin e luftës partizane, e cila ishte dhe mbetet lufta më e madhe patriotike që ka zhvilluar populli shqiptar. Kjo sipas kryetarit të OBVL, kolonel Sotir Budina, për faktin se nderimi i 80-vjetorit të çlirimit të atdheut është padyshim një meritë për Shqipërinë evropiane, sepse në themel të Evropës së Bashkuar qëndrojnë vlerat e Luftës së Dytë Botërore

30 VJET OBVL, HISTORI SUKSESI

E krijuar para 30 vitesh me nismën e një grupi pre 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane e ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani, Skënder Malindi, Edip Ohri dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
Me një aktivitet intensiv në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, dr. Dishnica dhe gjeneral Parllaku arritën ta bëjnë OBVL-në anëtare të Federatave Evropiane dhe Botërore të Veteranëve. Me pjesëmarrjen në aktivitetet e këtyre Federatave, jo vetëm në Evropë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj, OBVL-ja ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II Botërore dhe në luftërat për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që jep sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nisur nga ky aktivitet intensive dhe vlerat që mbron e promovon. OBVL vlerësohet për orientim e drejtë, për veprimtarinë e gjallë të saj, për përshkrime të disa jetëve njerëzore, për vetëdijen dhe besimin e veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të organizatës, jo vetëm në luftë, por edhe në demokraci.

KATËR PERSONALITETE TË OBVL “NDERI I KOMBIT”
Tridhjetë vjet pas krijimit, për rolin që ka luajtur, si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave më të mira kombëtare shqiptare, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftërave për Liri e Pavarësi të Popullit Shqiptar (OBVL) është ndër organizatat më të vlerësuara nga institucionet shtetërore, me katër personalitete “Nderi i Kombit”. Me këtë titull të lartë të akorduar nga ish-presidentët Nishani e Meta janë vlerësuar dy kryetarët e parë të OBVL: Dr. Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, si dhe gjeneralët Nexhip Vinçani e Veli Dedi.
Ndërkohë, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë dekoruar ish-themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të kësaj organizate: Ish-nënkryetari dhe kryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli, ish-sekretari i Përgjithshëm Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë: Liri Belishova e Hamit Keçi; ndërkohë që drejtuesit aktualë të OBVL: Sekretari i Përgjithshëm, akademik Halil Rama, nënkryetari Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës së OBVL Pukë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Po ashtu, me propozimin e OBVL ju është akorduar “Dekorata e Artë e Shqiponjës” komandantit të Çetës së parë Partizane të Gollobordës, patriotit të madh me rrezatim mbarëkombëtar Ahmet Cami, si dhe ish-kuadrit të Brigadës së 18, Ismail Bara.
OBVL, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me vlerësimin që ju bëhet këtyre personaliteteve dhe angazhohen për të ecur në shembullin e tyre, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë. Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVL-së.

*Mjeshtër i Madh dhe sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së