Nga libri “Mirënjohje familjeve vlonjate që më mbajtën si birin e tyre
Gjenaral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit & Nderi i Kombit
Kur fillova ti hedh në letër këto shënime, shumë herë kam pyetur veten se cilët janë heronjtë e vërtetë të asaj lufte, të cilëve është pak t’ju dedikosh nga një libër me vete. “
Jemi ne bijtë e asaj lufte, që në moshën e rinisë vumë jetën në shërbim të popullit e atdheut, apo janë prindërit tanë që u bashkuan me ne e që nisën bijtë e bijat e tyre në luftë të bindur në ndërgjegje se mund të mos i shihnin më dhe vunë veten e shtëpitë e tyre në shërbim të luftës, në një kohë kur kudo rrinin varur shpalljet e fashistëve se kushdo që strehon ilegalë, do të pushkatohet dhe do t’i digjet shtëpia. Janë këta prindër patriotë që meritojnë nderimin më të madh e mirënjohjen e Kombit, e të tillë prindër e familje Vlora ka pasur shumë. Unë që nuk isha nga Vlora, por që pas lufte nuk them që s’jam nga Vlora e kam ndier më shumë, jo vetëm bujarinë e mikpritjen e vlonjatëve, por edhe guximin e vendosmërinë e tyre për t’u shkrirë familjarisht për lirinë e popullit e të atdheut. Është hera e parë që shkruaj dhe druaj se s’do të mund të jap të plotë portretin e këtyre njerëzve të feve e shtresave të ndryshme, që i kishte bashkuar shpirti liridashës, ndonëse po përpiqem me gjithë shpirt ta bëj këtë.
Në çdo lagje të Vlorës ka pasur baza të tilla, ku unë gjeja familjen time dhe prindërit e mi që i kisha larg, prandaj duke mos ditur nga ta filloj më parë, vendosa ta nis nga Llonxha (Partizani), nga Nënë Tarika, siç e thërrisnim ne të gjithë. Tarika Hoxha, nëna ime e dytë, ishte një grua e thjeshtë që po rriste fëmijë të vegjël jetimë, pa baba, në një kohë kur dy djemtë e rritur Feçorri e Hysniu, luftëtarë të njësitevë guerrile vdiqën në kampet naziste.
Ishte 9 tetori i vitit 1943 kur nazistët të udhëhequr nga ballistë e tradhëtarë e rrethuan qytetin dhe bënë kontrolle e arrestime në masë. Atë natë Hysniu, Feçorri e guerrilas të tjerë të drejtuar nga ish zëvendësi im, Miço Emini, kishin punuar deri në mesnatë për të pastruar mbi 200 pushkë, 12 mitralozë të lehtë, 7 mitralozë të rëndë, 4 mortaja e municionet e tyre dhe ua jepnin guerrilasve për t’i shpërndarë në disa pika e për t’i nisur për në repartet partizane.
Nënë Tarika tregon se kur u kthyen djemte në shtëpi, kishte kaluar mesi i natës. Kishin ngrënë dhe kishin rënë për të fjetur, kur në gjumin e parë, pa trokitur, kishte shpërthyer dera e kasolles dhe ata ishin zgjuar nga fenerët e gjermanëve që ndriçonin fytyrat e të 5 djemve që po flinin krah njeri – tjetrit mbi rrogozin e shtruar përdhe (edhe unë kisha kaluar shumë net mbi atë rrogoz). Hyrja e tyre ishte e befasishme pasi kallauzi (informatori) që u printe nazistëve ishte i lagjes dhe e njihte mirë kasollen. Djemtë e përgjumur nuk patën mundësi t’i rrëmbenin armët dhe një tentativë e Miços, dështoi, pasi atë e mbërthyen në moment dy nazistë. Pas kontrollit u arrestuan Miçua dhe tre djemtë e nënë Tarikës, në mes tyre dhe Gjyshi 13- vjeçar, i cili ato ditë ishte plagosur aksidentalisht në këmbë me automatikun e Çobanit. Nëna i ndoqi djemtë deri në qendrën e grumbullimit të të arrestuarve. Ajo mbante në shpinë Gjyshin dhe ju lutej atyre ta lironi, se i rrëzuar nga biçikleta kishte thyer këmbën dhe se ishte akoma i vogël. Njëri nga ballistët i tha se do t’ja lironin Gjyshin, dhe po të merrte vesh e t’i njoftonte ku isha fshehur unë do t’ja lironin edhe dy djemtë e tjerë.
Nënë Tarika me Gjyshin në shpinë kthehet në kasolle dhe merr vesh se unë isha aty afër, në shtëpinë e Mulla Sulos, (babai i Akademik, Shaban Demirajt, që ishte Hoxhë). Ajo erdhi më takoi menjëherë dhe më dha lajmin e arrestimit të Miços, të djemve të saj e të qindra të tjerëve. Edhe sot i kam në vesh fjalët e saj: Gëzohem që ke shpëtuar. Ata pyesin çdo të arrestuar për ty. Mua ma lejuan Gjyshin, por më porositën; po more vesh ku është Rrahmani, do të t’i lirojmë edhe dy djemtë e tjerë.
Unë ata i kam djem gjaku, por ty të kam djalë hakikati. Armiqtë me ty e kanë mllefin (inatin ), por dhe ne me ta e kemi inatin. Po qe e shkruar të mi vrasin fëmijët, unë s’jam as e para dhe s’do të jem as e fundit nënë që i vriten fëmijët për Shqipërinë. Ruaju e mos u bjer në dorë.
U përqafuam e u ndamë me lot në sy me këtë nënë heroike. Nënë Tarikën e shumë nëna të tjera nga Vlora shkova e i takova me t’u kthyer nga luftimet e reparteve tona në Jugosllavi, në maj të 1945, para se të shkoja për të takuar prindërit e mi. I jam ndodhur pranë Nënë Tarikës deri sa vdiq, po kështu edhe fëmijëve të saj, e nënave të tjera. Po me ato nëna që bënë aq shumë për ne, për luftën, mendoj se nuk do të shlyhemi kurrë, gjatë gjithë jetës. Bëmë shumë pak për to, për të mos thënë asgjë!!. Arsyet janë të kuptueshme, nuk kishim kopetenca.
Po kthehem te një nënë tjetër, të cilës emrin ja mësova vetëm tani që po shkruaj. Është Nënokja, kështu e thërrisnim të gjithë ne si vajzat e saj, Hyri Drenovën, nënën e tri partizaneve trime Ylvijes, Hanes dhe pionieres luftëtare Fairesë. Shtëpia e Nënokes ishte e hapur për të gjithë luftëtarët e lirisë. Në shtëpinë e saj bëheshin takime, mbledhje, ilegalët linin armatimin, pakot me komunikata. Atje u mbajt i arrestuar edhe spiuni Azem Spolata, që denoncoi heronjtë e Topanas, etj.
Ne bënim mbledhje e Nënokja me një shall a pallto mbi supe na bënte roje pranë gardhit të oborrit të mbuluar me manaferra, dhe kur do të dilnim nga shtëpia, ajo dilte para nesh e kontrollonte rrugën përpara shtëpisë dhe rrugicën që ngjitej lagjes përpjetë. Nënokja mund t’i linte vajzat e saj pa ngrënë, po ne asnjëherë s’harronte të na pyeste a kishim uri dhe shpesh herë na e shtronte bukën pa na pyetur fare. Ylvia, që shquhej për karakterin e saj burrëror i la Lilon e vogël disamuajsh ta mbante Nënokja dhe bashkë me të shoqin, bashkëluftëtarin e saj, Skënder Kreshpa dolën partizanë. Të dy, ata mjekonin e shëronin plagët e partizanëve dhe ju ndodhën pranë atyre edhe në operacionet më të egra të fashistëve.
Ylvijen e arrestuan në prill 1943 dhe e internuan në Porto Romano dhe pastaj në Burrel, nga ku u lirua më 31 korrik, kur u çlirua Burreli.
Me arrestimin e Ylvies, nënë Hyrijes dhe dy vajzave të tjera iu bë i pamundur qëndrimi në qytet, pasi shtëpia e saj ishte gjithnjë nën mbikqyrjen e agjentëve fashistë. Hëna, vajza tjetër e Nënokes ishte një nga organizatoret e drejtueset e rinisë në qytet, kurse pionierja Faire, si korriere, na bënte shërbime nga më të ndryshmet, na transportonte materjale propagandistike dhe nganjëherë bënte edhe punën e zbuluesit. Them me bindje se të tri vajzat e nënokes e meritonin të ishin vajzat e një luftëtareje dhe patrioteje të madhe si ajo. Por fatkeqësisht Nënokes në vend që t’i shpërbleheshin me të mira sakrificat e luftës, ju krijuan mjaft fatkeqësi në jetën e saj dhe të vajzave, nga lufta e pamëshirshme e klasave që zhvilloi diktatura. Nënokes i dënuan dhëndrin, më mirë me thënë djalin, Pajo Islamin, luftëtarin e orëve të para dhe njerin nga udhëheqësit e luftës në qarkun e Vlorës. E dënuan për të vetmin faj se mbronte fjalën e mendimin e lirë, se i quante dhe i thoshte gjërat siçishin në të vërtetë. Nënokja, duke i vuajtur fëmijët, vuante edhe vetë, megjithëse vajzat e saj, të edukuara më së miri, ditën ta përballojnë të keqen. Kështu Ylvia, si burrëreshë nuk ju nda jo vetëm Hanes e fëmijëve të saj, por edhe kunatit, Pajos, duke e ndjekur atë nëpër kampe e burgje ku vuante dënimin. Nënoken e dëshpëronte shumë fakti që djemtë e vajzat që kishte pritur, strehuar e mbajtur jo vetëm nuk i shkonin më për vizitë, por edhe i shmangeshin takimeve me të. (Ishte koha e luftës së klasave që mos u ktheftë më kurrë). Po në atë rrugicë, pak më lart banonte një nënë tjetër luftëtare, Nënë Havaja, e jëma e luftëtarit për pavarësi, patriotit e demokratit Halim Xhelo Tërbaçi. Me nënë Havanë u njoha kur vajta në takim te Patrioti,*) që banonte aty. Nënë Havaja kishte rritur me shumë mundime djemtë e Halimit, dy luftëtarë që ndoqën rrugën dhe idealin e babait të tyre, Sazanin e Nusretin, ky i fundit dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. U qëndroi besnike idealeve të të birit dhe që në fillim e bëri shtëpinë e saj bazë të luftës.
Si shtëpia e Nënokes edhe shtëpia e nënë Havasë u bë shtëpia e luftëtarëve ilegalë në qytet dhe e atyre që vinin me shërbim nga jashtë. Të dy nipat e nënë Havasë ndoqën rrugën e të jatit, dolën malit për të luftuar fashistët okupatorë dhe u bënë partizanë trima. Sazani dhe Nusreti ishin partizanë të Brigadës së 5- të Sulmuese dhe megjithëse komanda e brigadës ishte përpjekur ta mbante pranë Nusretin që ishte shumë i ri në moshë, ai nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë e kishte shkuar në vijën e parë të luftës, në grupin e sulmit, ku edhe në sulm u vra.
Nënë Havaja e duroi me stoicizëm dhimjen e madhe të vrasjes së Nusret Kanakarit, të cilin e kishte rritur me shumë mundime, siç kishte duruar ajo edhe vdekjen e largët të Halimit. Kjo nënë që vuajti gjithë jetën e që i dha dy breza luftëtarësh çështjes kombëtare e luftërave për liri, meriton nderimin më të madh të Kombit. Do të kthehem përsëri në Llonxhë për të përkujtuar një nënë fisnike, jo nga prejardhja e saj, por nga edukata, sjellja e bujaria. Nënë Shefikat Cenko kishte dy vajza, njëra me të meta fizike, që i kishte rritur me punë të mundimshme. Në kasollen e saj gjeje gjithmonë një ambjent të pastër e të këndshëm. Dhe pozicioni i saj ishte shumë i përshtatshëm për veprimtarinë tonë, pasi na siguronte hyrje e dalje në qytet pa rënë në sy të armikut. Shumë ilegalë kanë qëndruar me ditë të tëra në atë shtëpi ku kemi bërë mbledhje e takime të partisë, rinisë, të Këshillit Nacionalçlirimtar, të lagjes, etj. Aty mbajtëm të arrestuar dy agjentë të kriminelit Isa Toska, të dërguar prej tij për të gjyrmuar e vrarë një të kërkuarin e tij. Na u kërkua të mërnim informata prej tyre dhe më pas i dërguam në repartet partizane. Gjatë gjithë aktivitetit që ne zhvillonim në shtëpinë e tyre, nënë Shefikati dhe e bija e saj Nebija, jo vetëm na shërbenin me përkushtim, po edhe ruanin e vigjëlonin se mos na ndodhte gjë. Por këtë veprimtari ato e paguan shtrenjtë me arrestimin dhe internimin e të shoqit të Nebijes, të vetmit mashkull të shtëpisë.
Këto nëna e motra që treguan gatishmëri e vetmohim në luftën për liri sot nderohen me mirënjohje nga të gjithë.
*) Patrioti – Arif Hasko, ishte një nga luftëtarët e parë e përgjegjës i guerrileve të qytetit. Ai më pas u bë përgjegjës i luftës në krahinën e Treblovës, me krijimin e batalioneve partizane, komisar batalioni, në maj të 1944 komisar i Brigadës së I- rë Sulmuese dhe pas çlirimit Komisar Divizioni. Pas çlirimit të vendit ai mbaroi studimet e larta ushtarake në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike dhe shërbeu me detyra të larta në njësitë e ushtrisë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, deri Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Zv.Ministër i Mbrojtjes, ku mori gradën Gjeneral-Lejtënant. Me Arifin më ka lidhur jeta dhe shoqëria ushtarake. Ne luftuam bashkë në Vlorë, mbaruam bashkë studimet akademike, punuam për afër 30 vjet në drejtimin e ushtrisë dhe vuajtëm bashkë në burgun e Burrelit