• Ramica u bë seli e shtabeve partizane të Qarkut të Vlorës, si dhe e disa brigadave të rëndësishme, si Brigada V Sulmuese (BrVS), Brigada I Sulmuese (BrIS), Brigada VI Sulmuese (BrVIS) dhe Brigada XII Sulmuese (BrXIIS), përveç çetave dhe batalioneve partizane. Populli i Ramicës i strehoi, i ushqeu, i veshi dhe i mbathi partizanët, duke dëshmuar solidaritet të lartë dhe një frymë të rrallë humanizmi
Prof. asoc. Bernard ZOTAJ – Mjeshtër i Madh
Bazë e shtabeve ushtarake
Gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, populli i fshatit Ramicë, në Qarkun e Vlorës, u shndërrua në një nga bazat më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të luftës çlirimtare. Ky fshat malor, i frymëzuar nga ndjenjat e thella patriotike dhe dashuria për Atdheun, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për fatet e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke vënë në shërbim të luftës gjithçka kishte më të shtrenjtë, deri edhe jetën.
Ramica shërbeu jo vetëm si Zonë e Lirë e LANÇ-it, por edhe si pikë dominuese strategjike, falë terrenit të saj të favorshëm, i cili lehtësonte drejtimin operativ dhe strategjik të veprimeve luftarake në gjithë zonën e Lumit të Vlorës. Nga kjo zonë u organizuan dhe u zhvilluan luftime të rëndësishme, veçanërisht gjatë Operacionit të Dimrit 1943–1944, si dhe gjatë gjithë gjashtëmujorit të parë të vitit 1944.
Ramica u bë seli e shtabeve partizane të Qarkut të Vlorës, si dhe e disa brigadave të rëndësishme, si Brigada V Sulmuese (BrVS), Brigada I Sulmuese (BrIS), Brigada VI Sulmuese (BrVIS) dhe Brigada XII Sulmuese (BrXIIS), përveç çetave dhe batalioneve partizane. Populli i Ramicës i strehoi, i ushqeu, i veshi dhe i mbathi partizanët, duke dëshmuar solidaritet të lartë dhe një frymë të rrallë humanizmi. Në Ramicë u hap dhe funksionoi spitali partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, i vendosur në shpellën e Hyse, ndërkohë që shumë familje ramiciote strehuan dhe mjekuan partizanë të plagosur.
Në këtë fshat gjetën mbështetje dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre, si ilegalë dhe legalë, figura të shquara të LANÇ-it, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ali Demi, Manush Myftiu, Pajo Islami, Shefqet Peçi, Haki Toska, Liri Gega, Liri Arapi, Teli Ndini, Ymer Veshi, Ramize Gjebreja, si dhe dhjetëra të tjerë. Që nga tetori i vitit 1943 e deri në çlirim, në Ramicë u vendosën dhe punuan Qarkori i Partisë për Vlorën, Komanda e Qarkut, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Qarkut, Shtabi i BrVS dhe Shtabi i BrVIS.
Në historikun e fshatit, por edhe në lapidarin përkujtimor, roli i Shtabit të BrVIS nuk është pasqyruar në masën e duhur. Komanda dhe shtabi i kësaj brigade, me komandant Tahir Kadarenë dhe komisar Haki Toskën, u vendosën në shtëpinë e Hodo Feratit. Nga Ramica u nisën gjithashtu delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin Antifashist të Përmetit (maj 1944) dhe delegatët e rinisë antifashiste për në Kongresin e Helmësit (gusht 1944).
Kontributi i popullit të Ramicës në luftë
Më 28 nëntor 1942, në Prrallin e Verbasit, në Ramicë u zgjodh pushteti popullor, i përfaqësuar nga Këshilli Antifashist i fshatit. Deri në çlirim, në Ramicë u zhvilluan mbi 30 veprimtari masive me karakter informues, sqarues dhe vendimmarrës, në sheshe, shtëpi dhe livadhe.
Mbi 10 shtëpi u vlerësuan si “Baza të Luftës”. Ndër to përmenden shtëpitë e Zenel Hasan Currajt, Gilo Lame Sulçajt, Dervishajve, Zoto Rakip Zotajt, Caneve, Pronjeve, Lavdosh Zaçe Zotajt, si dhe Feti e Faik Liçajt.
Mbi 70 djem dhe vajza të Ramicës u rreshtuan në njësitet partizane, kryesisht në BrVS dhe BrXIIS. Mbi 50 të tjerë u angazhuan në çetën vullnetare territoriale të fshatit, e cila mori pjesë në të gjitha luftimet deri në çlirimin e Vlorës. Rreth 70 gra ramiciote kontribuuan në mënyrë të veçantë në ndihmë të ekonomisë partizane. Populli i Ramicës përballoi me vetmohim pesë operacionet e mëdha armike që kaluan në krahinën e Mesaplikut, duke përjetuar shkatërrime, uri dhe humbje të rënda. Bilanci i luftës ishte i dhimbshëm: 25 dëshmorë, ndër ta partizania Rakibe Dervishaj dhe dëshmoret Hajdine Zoga, Sartë Gabaj e Rubie Bocaj; 10 të plagosur, të internuar e të burgosur; 70 shtëpi të djegura dhe rreth 2 000 krerë bagëti të imta të shkatërruara.
Nga radhët e ramiciotëve dolën shumë komandantë dhe komisarë, të cilët pas çlirimit u bënë kuadro e specialistë të aftë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike dhe ushtarake, si: Mevlan Dervishaj, Pajo Islami, Bako Dervishaj, Moisi Elezi, Bardhosh Halimi, Lavdosh Zotaj, Njazi Canaj, Shyqyri Ajazi, Gilo Lame, Hasan Abedini, Ismail Burhanaj, Fato Zotaj, etj.
Shefqet Peçi dhe Ramica
Një nga figurat më të shquara të LANÇ-it, që u lidh ngushtë me Ramicën, ishte Shefqet Peçi. Ai njohu nga afër trimërinë dhe sakrificat e popullit të këtij fshati dhe i përjetësoi ato në këngë dhe shkrime. Shefqet Peçi vendosi shtabin e tij në Ramicë, ndërsa Shtabi i BrVS kishte rezidencën në shtëpinë e Zotajve. Bashkëpunimi i tij me Hysni Kapon dhe kuadrot partizane forcoi më tej organizimin dhe moralin luftarak.
Ramica dhe Urdhri i Flamurit
Për kontributin e jashtëzakonshëm në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, fshati Ramicë u dekorua me “Urdhrin e Flamurit”. Më 14 nëntor 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar mori vendimin për dekorimin e Ramicës me këtë dekoratë të lartë, si shenjë mirënjohjeje për heroizmin, sakrificat dhe qëndresën e popullsisë së saj, e cila mbajti në gjirin e vet partizanë, përballoi operacione të rënda armike dhe sakrifikoi pasurinë dhe jetën për lirinë e Atdheut.